Ekonomia e nuskave: zhvillimi ekonomik nuk vjen nga resortet dhe koncertet

Qeveria shqiptare ka krijuar një gjuhë të re ekonomike. Është gjuha e shumëfishimeve magjike, ku njëshi është dysh, ndërsa dy plus dy bëjnë pesë.
Me këtë gjuhë qeveria po “shpjegon” se si investime të vogla krijojnë pasuri të mëdha—qindarkat kthehen në mijëra dhe mijërat kthehen në miliona.
Kështu, kryeministri Rama shpjegoi se rreth 4,2 milionë euro financim nga qeveria për të financuar koncertin e Kanje Uest kanë sjellë mbi 100 milionë euro në ekonominë tonë. Kryeministri pretendoi se në koncert kanë qenë rreth 25 mijë të huaj. Kjo do të thotë se çdo i huaj (pa llogaritur biletën dhe udhëtimin, paratë e të cilave paguhen jashtë vendit) ka harxhuar mesatarisht 4 mijë euro në Tiranë.
Me të njëjtën logjikë, Kryeministri ka shpjeguar disa herë se çdo 1 euro investim në një resort luksoz sjell 1,6 deri në 2 euro në ekonomi.
Këtë pohim e ka përforcuar Zoti Taulant Balla, i cili ka shpjeguar se si 4 miliardë euro investime të huaja do të sjellin 8–12 miliardë euro në ekonominë tonë.
Këto shumëfishime mbresëlënëse nuk janë mbështetur në ndonjë analizë apo vlerësim të bazuar mbi statistika. Shumëfishimi është më shumë magji se ekonomi ose “ekonomi nuskash”, siç i quajnë ekonomistët ekzagjerime të tilla nga politikanët.
Problemi nuk është nëse një aktivitet turizmi apo një koncert krijon aktivitet të shtuar ekonomik. Natyrisht që krijon.
Problemi është se pohimet e mësipërme ngatërrojnë (me qëllim ose jo) disa koncepte ekonomike: ngatërrojnë shpenzimet me prodhimin e brendshëm të vendit dhe ngatërrojnë prodhimin e tanishëm me mirëqenien afatgjatë.
Qeveria e llogarit çdo euro të shpenzuar nga turistët sikur të ishte prodhim vendas dhe pasurim automatik i shqiptarëve.
Nga çdo euro që shpenzon një turist, vetëm një pjesë mbetet në ekonominë shqiptare si vlerë e shtuar. Pjesa tjetër largohet jashtë vendit për importe, fitime, licenca apo shërbime të blera jashtë Shqipërisë. Edhe nga pjesa që mbetet në Shqipëri, vetëm një pjesë përkthehet në rritje të qëndrueshme të mirëqenies.
Në një artikull të para disa javëve (lexojeni këtu), kam shpjeguar hollësisht këtë dinamikë ekonomike, e cila dëshmon se sa më pak të prodhojë një ekonomi, aq më e madhe pjesa e shpenzimeve të turistëve që rrjedh jashtë vendit.
Ky fakt nuk do të thotë që turizmi është i keq. Turizmi sjell të ardhura të rëndësishme në ekonomi, krijon punësim dhe mund të bëhet nxitës për zhvillimin e sektorëve të lidhur me të, veçanërisht të agro-industrisë.
Problemi nuk është turizmi në vetvete. Problemi është kur turizmi kthehet në strategjinë kryesore të zhvillimit të vendit.
Ekonomitë e suksesshme, vendet e zhvilluara, nuk janë bërë kurrë të tilla nga turizmi.
Produktiviteti—jo turistët—krijon sukses ekonomik
Ajo që i zhvillon vendet, ajo që rrit mirëqenien është rritja e vlerës që prodhon çdo punonjës—në gjuhën ekonomike, rritja e produktivitetit.
Një vend bëhet i pasur kur punonjësit e tij prodhojnë më shumë vlerë për çdo orë pune që kryejnë—jo duke punuar mw shumw por duke prodhuar mw shumw pwr tw njejtwn kohw pune.
Produktiviteti rritet nga përmirësimet teknologjike dhe inovacioni, orientimi drejt industrive të sofistikuara dhe përparimi industrial, nga menaxhimi më i mirë i biznesit dhe natyrisht nga vetë aftësitë e punonjësve që rriten nga arsimimi dhe trajnimi.
Turizmi është një sektor ku mundësitë për rritje të produktivitetit janë më të kufizuara krahasuar me sektorët e tjerë.
Të shërbesh më shumë kafe apo birra, të pastrosh më shumë dhoma apo të shesësh më shumë çadra plazhi mund të rrisë të ardhurat, por rrit pak produktivitetin.
E njëjta gjë është në fushën e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme, që bashkë me turizmin janë degët kryesore të ekonomisë sonë.
Në fakt, siç dëshmojnë raportet më të fundit të OECD-së dhe të BE-së, Shqipëria është vendi me produktivitetin më të ulët në Ballkanin Perëndimor dhe një ndër dy vendet me produktivitetin më të ulët në Evropë.
Sipas Zyrës së Punës së Kombeve të Bashkuara, një punëtor shqiptar prodhoi mesatarisht rreth 18,7 dollarë për çdo orë pune në vitin 2025. Një punëtor irlandez (ekonomia me produktivitetin më të lartë në Evropë) prodhoi rreth 164,7 dollarë në orë, ose thuajse 9 herë më shumë se një punëtor shqiptar.
Irlanda nuk u bë e pasur sepse tërhoqi më shumë turistë, por sepse zhvilloi një ekonomi të mbështetur te teknologjia, biofarmaceutika dhe prodhimi me vlerë të shtuar të lartë.
Sipas të dhënave të OECD-së, një firmë shqiptare e ka produktivitetin mesatarisht sa 10–15 për qind e një firme të BE-së. Pra, një firmë e BE-së, për një orë pune me të njëjtën sasi lënde të parë, prodhon 7–10 herë më shumë vlerë produkti sesa një firmë shqiptare.
OECD-ja, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht pohojnë se sfida kryesore e ekonomisë shqiptare dhe e vetmja mënyrë për rritje afatgjatë ekonomike është rritja e produktivitetit përmes reformave dhe orientimit të ekonomisë drejt sektorëve me vlerë të shtuar të lartë dhe fuqizimit të burimeve njerëzore.
Kjo është e vetmja mënyrë që historia e ekonomisë ka njohur për të arritur mirëqenie ekonomike. Vendet që kanë arritur mirëqenie të qëndrueshme—Gjermania, Irlanda, Koreja e Jugut, Singapori, Estonia apo Sllovenia—ia kanë dalë duke i orientuar ekonomitë e tyre drejt aktiviteteve me vlerë të shtuar.
Ndryshim i filozofisë ekonomike
Deri para një dekade, retorika ekonomike e Shqipërisë ishte për zhvillimin e industrisë, energjisë, infrastrukturës, prodhimit, eksporteve, teknologjisë, investimeve.
Sot qeveria ka vetëm një model ekonomik: ndërtimin e resorteve turistike, marinave dhe ndërtimin e pasurive të paluajtshme.
Suksesi ekonomik nuk matet me atë që Shqipëria prodhon apo eksporton, por me atë që të huajt ose shqiptarët që vizitojnë Shqipërinë konsumojnë.
Edhe politikat lehtësuese dhe mbështetëse të vendit janë përqendruar tek ndërtimi dhe menaxhimi i hoteleve.
Është një ndryshim rrënjësor në filozofinë ekonomike: në vend të përpjekjeve për të krijuar firma më produktive, për investime në prodhim dhe industri të përparuara, për të nxitur eksportet, e vetmja politikë publike është tërheqja e sa më shumë turistëve dhe blerësve të pasurive të paluajtshme.
Kështu kapitali zhvendoset tek hotelet apo pasuritë e paluajtshme—çdo euro që përfundon në apartamente apo resorte është kapital që nuk investohet në fabrika, teknologji, eksport apo kërkim.
Pasuritë natyrore të vendit kthehen në lëndë të parë për ndërtimin. Punonjësit specializohen gjithnjë e më shumë në shërbime me produktivitet të ulët dhe jo në aftësi teknike dhe industriale.
Dhe gradualisht, turizmi nga një sektor ekonomik mes të tjerëve, kthehet në shtyllën e ekonomisë e cila orienton të gjithë ekonominë e vendit.
Kjo strukturë në thelb joproduktive ekonomike, pastaj mbrohet nga qeveria me shumëfishime pa kuptim ekonomik.
Shumëfishuesit janë realë aq sa janë premtimet e shërueseve popullore që bëjnë “nuska” për t’u zgjidhur hallet personave naivë.
Për një vend të tërë, kjo qasje është një iluzion i dëmshëm për të ardhmen e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.