Ekuador, taksa të pasurve për tërmetin
Ekuadori do të taksojë të pasurit për të mbuluar shpenzimet e dëmeve katastrofike të tërmetit 7,8 ballësh që goditi të shtunën vendin e varfër të Amerikës së Jugut. Masat e reja ishin nismë e presidentit Rafael Correa. Kostoja e rindërtimit, sqaroi ai, mund të shkojë deri në 3 miliardë dollarë.
Që përpara lëkundjeve të fuqishme të tokës, Banka Botërore kishte parashikuar një tkurrje të ekonomisë vendase me gati 2% këtë vit, ndërsa Ekuadori i pasur me naftë vuan prej muajsh pasojat e rënies së çmimit të arit të zi në tregjet ndërkombëtare.
Sipas kryetarit të majtë të shtetit, të gjitha nivelet e shoqërisë do të kontribuojnë në fondet e rindërtimit. Duke përdorur autoritetin që i jep gjendja e jashtëzakonshme e vendit, Correa do të rrisë për një vit taksat e shitjeve nga 12 në 14 % dhe tatimin e kompanive, e do të vendosë një taksë që shlyhet vetëm një herë prej 0.9% të pasurisë për personat që kanë në llogaritë e tyre bankare më shumë se 1 milionë dollarë. Ata që marrin mbi 1.000 dollarë në muaj, do të kontribuojnë me pagën e një dite.
“E di që ndodhemi në fazën më të vështirë tani, por ky është vetëm fillimi. Pas kësaj fatkeqësie, nevojitet forcë dhe solidaritet. Këto kanë qenë ndër ditët më të vështira të jetës sime, por situata të tilla na japin guximin për të vazhduar përpara”, tha Correa.
Kryqi i Kuq spanjoll vlerëson se në ditët në vazhdim, gati 100 000 vetë në Ekuador mund të kenë nevojë për ndihmë. 13 shtete deri tani janë ofruar të ndihmojnë në përpjekjet e shpëtimit.