FOKUS – BQE-ja rrit normën bazë të interesit në 2,5%, shkak inflacioni nga lufta me Iranin
FRANKFURT, 10 shtator /ATSH-DPA/- Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka vendosur të rrisë me 0,25 pikë përqindjeje normën e interesit për depozitat, duke e çuar atë nga 2,25% në 2,5%.
Kjo është rritja e dytë e normës së interesit nga BQE-ja, këtë vit dhe synimi është të frenohet rritja e çmimeve (inflacioni), e cila është shkaktuar nga lufta me Iranin.
Ekonomistët e kishin parashikuar gjerësisht, këtë rritje të normës së interesit.
Kjo normë, është e rëndësishme për bankat dhe njerëzit që kanë kursime, pasi ndikon në interesat që bankat paguajnë për paratë e depozituara.
Lufta me Iranin, ka shkaktuar rritje të fortë të çmimit të naftës, duke ndikuar drejtpërdrejt te konsumatorët.
Shoferët po e ndiejnë këtë rritje në çmimet e karburanteve, ndërsa familjet që përdorin naftë për ngrohje, po përballen me kosto më të larta.
Deri tani nuk ka shenja për përfundimin e konfliktit në rajonin e Gjirit.
Në zonën euro, në gusht çmimet e mallrave dhe shërbimeve për konsumatorët ishin 3,3% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga shtatori i vitit 2023 dhe është dukshëm mbi objektivin e BQE-së prej 2%.
Në Gjermani, çmimet e larta të energjisë, e çuan inflacionin në 2,9% në muajin gusht.
Çfarë do të thotë rritja e interesit?
Kur BQE-ja rrit normat e interesit, marrja e një kredie bëhet më e shtrenjtë.
Kjo mund t’i bëjë njerëzit dhe kompanitë të marrin më pak kredi dhe të shpenzojnë më pak para.
Në këtë mënyrë, ulet kërkesa për mallra dhe shërbime dhe mund të frenohet rritja e çmimeve.
Nga ana tjetër, kursimtarët mund të përfitojnë, nëse bankat ua rrisin interesin për paratë që kanë në depozita.
Ndërsa për bizneset dhe personat që marrin kredi, rritja e interesave, do të thotë kosto më të larta dhe mund të ndikojë negativisht te investimet. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.