FOKUS – Merz: Pesimist për perspektivat e përfundimit të luftës në Ukrainë pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së
ERLIN, 10 shtator /ATSH -AA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është shprehur se nuk sheh shenja që Rusia është e gatshme t’i japë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht nismës së fundit diplomatike të SHBA-së.
“Për momentin, kemi pak tregues se qeveria ruse apo presidenti rus është i gatshëm të hyjë në bisedime serioze për përfundimin e luftës”, tha Merz në një konferencë për media në Berlin me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Ne e kemi bërë këtë ofertë prej muajsh. Qeveria federale dhe unë personalisht, jemi të përkushtuar të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për të lehtësuar një zgjidhje diplomatike këtu. Por për sa kohë që qeveria ruse mbetet e mbyllur ndaj të gjitha kërkesave për dialog, negociata dhe zgjidhje diplomatike, për momentin shoh relativisht pak mundësi për ta arritur këtë”, shtoi ai.
Megjithatë, Merz u zotua të intensifikojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar se “nuk do të lëkundemi në përpjekjet tona për të arritur një zgjidhje diplomatike”.
“Gjithçka që bëjmë për të mbështetur Ukrainën nuk synon ta zgjasë luftën, por t’i japë fund asaj dhe mbështetja jonë është pjesë e kësaj. Megjithatë, kjo përfshin gjithashtu shterimin e të gjitha mundësive diplomatike që kemi aktualisht në dispozicion”, shtoi ai.
Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të fuqishme ushtarake të Ukrainës që nga shpërthimi i luftës në shkurt të vitit 2022, duke ofruar sisteme të avancuara armatimi, municione dhe ndihmë të konsiderueshme financiare, si dhe duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Nga ana e tij, Costa i bëri thirrje Rusisë t’i japë fund luftës dhe riafirmoi mbështetjen afatgjatë të bllokut për Kievin.
“Është koha që Rusia t’i japë fund kësaj lufte, jo ta përshkallëzojë apo zgjasë atë. BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, gjatë luftës, në çdo negociatë, në rindërtim dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Costa dënoi gjithashtu aktivitetet e fundit hibride në mbarë Evropën, përfshirë incidentet me dronë, sabotimet dhe sulmet ndaj kabllove dhe infrastrukturës kritike.
Ai tha se Gjermania ka qenë “në vijën e parë të këtij realiteti të ri”, duke përmendur tentativën e sulmit rus me dron në Leipzig dhe incidente të tjera të fundit, ndërsa shprehu solidaritetin e plotë të BE-së me Berlinin.
“Rusia duhet ta kuptojë se këto kërcënime nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e BE-së ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.