FOKUS – SHBA zgjeron dominimin në tregun evropian të gazit përmes Ballkanit
UASHINGTON, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Ndërsa Bashkimi Evropian po shkëputet gradualisht nga energjia ruse, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po forcojnë pozitat si furnizuesi kryesor i gazit natyror për Evropën.
Sipas ekspertëve, terminali kroat i gazit të lëngshëm (LNG) në ishullin Krk mund të shndërrohet në një nyje strategjike për furnizimin e Europës Qendrore dhe Lindore.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, BE-ja ka përshpejtuar planet për të eliminuar varësinë nga gazi rus.
Aktualisht, Rusia mbulon rreth 12% të importeve të gazit të bllokut, por deri në fund të vitit 2027 Bashkimi Evropian synon t’i ndalojë plotësisht këto importe.
Terminali lundrues i LNG-së në Krk, i zgjeruar së fundmi, ka kapacitet të përpunojë rreth 6,1 miliardë metra kub gaz në vit, ose afërsisht 2% të konsumit vjetor të BE-së.
Përmes tubacioneve që lidhen me Hungarinë, ai mundëson transportin e gazit amerikan drejt Evropës Qendrore.
Analisti i energjisë Ivan Brodiç thotë se SHBA-ja synon të zëvendësojë plotësisht ndikimin rus në sektorin energjetik të rajonit.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse Uashingtoni mbështet ndërtimin e një interkonektori të ri të gazit mes Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, i cili do ta lidhte Bosnjën me terminalin e Krkut dhe me rrjetin evropian të gazit.
Administrata amerikane promovoi këtvë vit edhe nismën “Trump Peace Pipelines Framework”, e cila synon zgjerimin e infrastrukturës energjetike në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Plani parashikon që Kroacia të shndërrohet në një qendër të rëndësishme tranziti jo vetëm për gazin, por edhe për naftën, falë rrjetit ekzistues të tubacioneve që e lidhin me Bosnjën, Hungarinë, Slloveninë dhe Serbinë.
Një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe Ukraina. Sipas operatorit ukrainas të depozitimit të gazit, furnizimi përmes terminalit të Krkut mund të jetë rruga më ekonomike për importet e gazit.
Për më tepër, kapacitetet e mëdha të magazinimit nëntokësor të Ukrainës mund të shërbejnë si rezervë strategjike për gazin që më pas do të shpërndahej në vende të tjera evropiane.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se realizimi i këtyre planeve do të kërkojë investime të mëdha në zgjerimin e rrjetit të tubacioneve. Edhe pse terminali i Krkut është rezervuar plotësisht deri në vitin 2036, kapacitetet aktuale nuk do të mjaftojnë nëse kërkesa për gaz amerikan në rajon vazhdon të rritet./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.