Fondacioni “Yunus Social Business Albania” çel aplikimet për sipërmarrësit e rinj
Nga sot, deri në 20 tetor, Fondacioni “Yunus Social Business Albania” ka hapur aplikimet për sipërmarrës të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, që duan të bëhen pjesë e përfitimit me fonde për zhvillimin e bizneseve në fushat: bujqësi, mjedis, turizëm dhe teknologji e informacionit me nismat, që mund të jenë në fazë ideje, planifikim fillestar, faza e nisjes, apo zhvillimi në biznes.
Aplikimet bëhen duke plotësuar formularin elektronik në platformën e aplikimeve: www.hapide.com, bëri të ditur zyra e Fondacionit në Shqipëri.
Fondacioni “Yunus Social Business Albania” (YSBA), në bashkëpunim me PNUD, Agjencinë Austriake për Zhvillim, Ministrinë e Cështjeve Sociale dhe Rinisë, disa organizata kombëtare dhe ndërkombëtare ka nisur edicionin e dytë të Programit të Përshpejtimit të Biznesit, që do të mbahet në Nëntor 2014-Shkurt 2015.
Synohet që gjatë kësaj kohe, të informohen dhe ndihmohen aplikuesit në zhvillimin e ideve të biznesit, ndaj do të mbahen 4 aktivitete të veçanta, prej të cilave, 3 do të zhvillohen në Shqipëri për bujqësinë, mjedisin, turizmin dhe teknologjinë e Informacionit dhe një aktivitet përmbledhës në Kosovë.
Ky program është mundësi unike për sipërmarrësit e rinj, që të zhvillojnë aftësitë personale, të vënë në provë idetë që kanë në biznes, marrim formim profesional për sipërmarrjen me ekspertë dhe mbështetje për projektet më të mira.
Drejtori i “Yunus Social Business Albania“, Shkëlzen Marku, tha se “Fondacioni është angazhuar të sjellë një model të ri sipërmarrjeje në Ballkan, me synim zgjidhje të problemeve në rajon dhe krijimin e sipërmarrjeve të reja, frymëzuese”. Sipas tij, kërkohen persona nga brezat e rinj që besojnë në sipërmarrje, të cilët YSBA i mbështet për të krijuar modele të besueshme.
YSBA është pjesë e rrjetit botëror të “Yunus Social Business” që ka ndihmuar në krijimin dhe financimin e një numri biznesesh sociale të suksesshme, ndërsa ka mbështetur shumë sipërmarrës me trajnime, kualifikime profesionale, këshillim intensiv dhe akses në rrjetet vendore dhe botërore.
YSB çel fonde-inkubimi në botë duke ndihmuar njerëzit në vendet në zhvillim përmes formave të posaçme të mbështetjes për nizma biznesi me impakt social dhe për t’u bërë sipërmarrës të suksesshëm.
YSB është bashkëthemeluar nga Laureati i Çmimit Nobel për Paqen Prof. Muhammad Yunus, i vlerësuar për angazhimin e tij botëror në luftën kundër varfërisë përmes përmirësimit të aksesist në financime dhe inicimit dhe mbështetjes së modeleve të suksesshme të biznesit social në vende të ndryshme të botës.
Bizneset sociale kanë mision të kontribuojnë në zgjidhjen e nevojave shoqërore, mjedisore, janë kompani që nuk shpërndajnë fitim, por i riinvestojnë aty, apo në tjetër biznes social. Një model i tillë biznesi ka dhënë rezultate të mira në shumë vende, ndikon në zhvillimin lokal, siguron punësim, kualifikime, ul varfërinë dhe kontribuon në progres ekonomik.