Gjermani, 275 ekstremistë mes rangjeve të ushtrisë
Ushtria gjermane ka 275 ekstremistë të djathtë në rangjet e saj, thonë hetuesit, duke sjellë prova se njëri prej tyre është dëgjuar të thotë “Heil Hitler” dhe disa të tjerë të përdornin mënyra naziste përshëndetjeje.
Disa prej tyre, të cilët janë nën hetim, dyshohet se janë ushtarakë të abuzuar me prejardhje emigrantësh, ndërsa njëri thuhet se ka shkruar në “Facebook” një kërkesë për dënimin kapital ndaj “të huajve tipikë”.
Ministria gjermane e Mbrojtjes i zbuloi këto detaje të hetimit në një letër dorëzuar Parlamentit gjerman, me këtë të fundit që informoi se 143 raste janë raportuar vitin e kaluar ndërsa 53 raste sivjet.
Shfaqjet publike të simboleve apo përshëndetjeve naziste janë të paligjshme në Gjermani, aty ku shumica e popullsisë revoltohet ndaj çdo lloj shkalle simpatie ndaj diktaturës përgjegjëse për Holokaustin.
Në letër theksohet mënyra e shkujdesur me të cilën disa prej rasteve më serioze janë trajtuar. Njëri prej këtyre incidenteve është ai i etiketuar si “rasti 29”, ku një ushtar është dëgjuar të thotë në mënyrë të hapur “Lavdi Hitlerit”, “Lavdi udhëheqësit tonë”, “Lavdi shokëve”, detajon më tej ministria.
“Çështja i ka kaluar prokurorisë ushtarake dhe zyrës së prokurorit publik, por ende nuk është dhënë ndonjë masë pezullimi apo përjashtimi”, shkruhet në letrën e Ministrisë së Mbrojtjes ndaj Parlamentit.
Media gjermane në fakt raportoi vitin e kaluar se, ka shenja që islamikët po përpiqen t’iu bashkohen Forcave të Armatosura gjermane për të siguruar trajnim me objektivin e mundshëm për të kryer sulme në Gjermani.