Gjiknuri: Çmimi i energjisë do të ketë surpriza
“Qeveria do të mbrojë konsumatorin familjar në procesin e vendosjes së çmimit”
“Çmimi i energjisë apo tarifa e energjisë përcaktohet nga Enti Rregullator i Energjisë, qeveria është përgjegjëse vetëm për politikat e mbrojtjes së konsumatorit”, tha dje ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në një intervistë për News 24. Ai tha se, rritja e tarifave të energjisë është një proces që bëhet transparent, publik. “Kompanitë paraqesin tarifat e tyre të reja, edhe qeveria si palë e interesuar direkt do të shprehë opinionin e saj dhe do të ushtrojë trysninë e saj në mënyrë që konsumatori familjar të mos preket. Sepse qëllimi ynë është edhe qëllim social dhe gjithmonë jemi në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, deklaroi Gjiknuri. Duke sqaruar deklarimin e bërë më parë, ministri Gjiknuri sqaroi se, “kam thënë që Enti Rregullator i Energjisë përcakton çmimin dhe bën politikat e çmimit, qeveria në çdo rast do të mbrojë konsumatorin dhe familjarët. Asnjë nga ne nuk ka thënë se do të rritet tarifa e energjisë, ky është një spekulim i mirëfilltë i nisur nga nënkuptime me dashje të mediave”. “Ka shumë spekulim te elementet e tarifës së energjisë, spekulime të karakterit politik, sikur do bëhet nami, do të rritet shumë, unë them le të presim, le të shikojmë, se mund të ketë edhe surpriza”, – u shpreh Gjiknuri. Një nga kushtet e kredisë së BB-së për energjetikën është pikërisht shëndoshja financiare e sistemit energjetik. I pyetur nëse kjo nënkupton rritjen e çmimit si një angazhim i marrë edhe para donatorëve, Gjiknuri deklaroi: “Shëndoshja financiare ka shumë elemente dhe mënyra më e thjeshtë mund të ishte rritja e çmimit, por kjo nuk është shëndoshje financiare, përkundrazi kjo është ta dëmtosh sistemin. Sepse nuk mund të ketë rritje tarifash në mënyrë disproporcionale sidomos kur nuk përmirëson elemente të tjerë të sistemit”. Megjithatë, vazhdoi ministri Gjiknuri, sistemit i duhet të bërë një skaner dhe këtu duhet të themi disa të vërteta. “Mbështetjen financiare e kemi marrë për reformat dhe investimet dhe kjo tregon besim te rruga e ndjekur nga qeveria në këtë vit të parë në sektorin energjetik”, tha Gjiknuri.