Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar do forcojë masat për përdorimin e lekut
Grupit Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF) në mbledhejn e tij të fundit ka diskutuar mbi nevojën për identifikimin e veprimeve që synojnë rritjen graduale të përdorimit të monedhës vendase në sektorin real të ekonomisë. Diskutimi evidentoi rëndësinë që ky hap paraqet për suksesin e objektivit mbi rritjen e përgjithshme të përdorimit të lekut në sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare.
Në zbatim të Strategjisë përkatëse ndërinstitucionale1, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u angazhuan ta trajtojnë me përparësi këtë çështje.
Në këtë mbledhje, e cila u drejtua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSh) Gent Sejko, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) Pajtim Melani, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) Genc Mamani, si edhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Programi i mbledhjes përfshinte vlerësimet më të fundit të autoriteteve financiare të pranishme, mbi zhvillimet në institucionet dhe tregjet që mbikëqyrin.
Në prezantimin e Bankës së Shqipërisë, me fokus te vlerësimi i gjendjes financiare të sektorit bankar, u theksua se gjatë 2018-ës zhvillimet ishin përgjithësisht pozitive.
Tregjet financiare funksionuan normalisht, ku vëllimet e transaksioneve mbetën të qëndrueshme dhe normat e interesit mbetën në nivele të ulëta.
Veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua, pavarësisht efektit statistikor pakësues që dha mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë, ishte i kontrolluar.
Kreditë me probleme u pakësuan me gati 15 miliardë lekë, duke bërë që raporti i kredive me probleme të bjerë në nivelin 11.1%. Në rënien e këtij treguesi është forcuar ndikimi që vjen nga shlyerjet, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e qëndrueshmërisë së prirjes rënëse të kredive me probleme.
Treguesit e rreziqeve të tregut nuk shfaqën ndryshime gjatë vitit, por mbetet i nevojshëm vlerësimi i kujdesshëm i ndikimit të tërthortë të kursit të këmbimit dhe të normave të interesit. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar.
Në prezantim u evidentuan edhe ndryshimet strukturore që kanë ndodhur në sektorin bankar deri në tremujorin e parë të 2019-ës, të cilat janë shoqëruar me rritjen e kapitalit vendas në bankat e sektorit. Krahas konsolidimit të sektorit bankar, ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e kreditimit. Të pranishmit u njohën gjithashtu me nismat e përmirësimeve të ndryshme ligjore dhe rregullative, në fushat e mbikëqyrjes mikro e makroprudenciale, dhe të sistemeve të pagesave.
Ndryshimet e propozuara në ligjin për sistemet e pagesave, pritet të zgjerojnë mundësitë që avancimet teknologjike të përmirësojnë aksesin e publikut në shërbimet financiare me kosto më të ulët dhe me shpejtësi më të madhe. Kjo do të ofrojë përfitime konkrete për grupe të caktuara të interesit dhe transaksione të rëndësishme për ekonominë e vendit, ku përfshihen edhe dërgesat e emigrantëve. Në shkallë më të gjerë, këto ndryshime pritet të kontribuojnë ndjeshëm në drejtim të formalizimit të ekonomisë dhe të rritjes së ndërmjetësimit financiar.
Përfaqësuesit e AMF-së i njohën të pranishmit me zhvillimet në tregjet financiare që mbikëqyr ky institucion. Në prezantim u evidentuan zhvillimet në fondet private vullnetare të pensionit, fondet e investimeve dhe tregu me pakicë i letrave me vlerë. Tek ky i fundit, mbizotërojnë transaksionet mes individëve dhe preferenca për titujt afatshkurtër të borxhit të qeverisë. Në vijim, u theksuan përpjekjet që po bën Bursa për të nisur tregtimin e titujve privatë të borxhit dhe të kapitalit, veçanërisht pas krijimit të infrastrukturës bazë për klerimin dhe shlyerjen e tyre. Për tregun e sigurimeve, përfaqësuesit e AMF-së evidentuan rritjen e primeve të paguara bruto gjatë 2018, po edhe rritjen më të shpejtë të dëmeve të paguara. Struktura e tregut mbizotërohet nga sigurimi i detyrueshëm motorik, i cili gjeneron edhe pjesën më të madhe të primeve të shkruara buto. Në kuadër të përafrimit me standardet evropiane dhe për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve në tregjet e brendshme, të pranishmit u informuan mbi elementët kryesorë dhe stadin e disa projektligjeve të përgatitura nga AMF për veprimtaritë e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe tregjeve të kapitalit.
Pas diskutimit të çështjeve të mësipërme, drejtuesit e institucioneve vlerësuan pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar, në tregjet financiare dhe në kuadrin rregullativ përkatës, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Ata theksuan rëndësinë e monitorimit të zhvillimeve financiare dhe të përshpejtimit të procesit për miratimin e projektligjeve të përgatitura, për të trajtuar problemet përkatëse dhe për të siguruar përafrimin me standardet më të mira në fushat respektive.