Hekurudhat në gjendje të mjerë: A është Kosova e gatshme t’i nisë trenat për Serbi?
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në Beograd ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të ketë një marrëveshje për një linjë hekurudhore që lidh të dyja vendet.
Zyrtarë nga institucionet kanë bërë me dije se janë të gatshëm që t’i përgjigjen një ftesë për të arritur marrëveshje për hekurudha.
“Ne si ministri e Infrastrukturës dhe Transportit jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi një ftese të mundshme për të diskutuar me Serbinë lidhur me marrëveshjen për hekurudha, gjithmonë duke marrë parasysh Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Ne jemi pjesë e Komunitetit të Transportit Hekurudhor ku bëjnë pjesë 6 vendet e Ballkanit dhe rrjedhimisht kemi marrë përgjegjësitë aq sa na takojnë sikur secili shtet tjetër”, ka deklaruar ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Ministri në detyrë tutje ka treguar se në rast se arrihet kjo marrëveshje atëherë bëhet fjalë për lidhje pa pengesa me Serbinë në pikat kufitare Leshak dhe Merdare.
Për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë shumë informata as zyrtarët që drejtojnë Hekurudhat e Kosovës.
Megjithatë, kryeshefi ekzekutiv i infrastrukturës së hekurudhave të Kosovës “Infrakos”, Agron Thaçi ka thënë se e mirëpresin çdo iniciativë për hapjen sa më të shpejtë të kësaj linje.
“Hekurudhat e Kosovës nuk kanë ndonjë informacion të saktë dhe i takon Qeverisë së Kosovës që të merret me këtë çështje. Ne si hekurudha e mirëpresim çdo iniciativë për hapjen sa më të shpejtë të kësaj linje dhe sigurisht që çështjet e hekurudhave janë çështje më specifike se sa çështje të tjera. Ne e kemi pasur platformën tonë dhe i kemi dërguar te Qeveria e Kosovës dhe këtë platformë e kanë edhe hekurudhat e Serbisë dhe ne e kemi të qartë se si duhet të ecet deri te ndonjë marrëveshje finale dhe i takon qeverisë së Kosovës që të vendosë”.
Thaçi thotë se në platformën të cilën e kanë krijuar për këtë linjë hekurudhore është bërë e qartë se hekurudhat e dy shteteve duhet të funksionojnë sipas parimit e rregullit ndërkufitar nga Bashkimi Evropian.
Kurse gjatë javës së kaluar kryeministri në largim, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se hapja e hekurudhave merr shumë kohë.
“Sa i përket hekurudhave mund të marrë më shumë kohë. Ne jemi në renovim të hekurudhave brenda Kosovës. Kemi një projekt të renovimit me BE-në, na është dhënë një hua e butë dhe ka donacione, grande por ka edhe para të Kosovës…projekt i rëndësishëm është dhe një hekurudhë për Durrës dhe mendojmë me avancu në këtë drejtim”, pati deklaruar Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e përshëndet synimin për të rivendosur lidhjet hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që, sipas tij, shënon “një tjetër hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë” të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ai i bëri këto komente në Twitter, në ditën kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi arritjen e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore midis Beogradit dhe Prishtinës.
Cila është gjendja e trenave dhe hekurudhave?
Infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.
Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 150 kilometra në orë.
Ndryshe, fillimi i shtrirjes së rrjetit hekurudhor nëpër Kosovë ka filluar në vitin 1874, ku u ndërtua linja e parë hekurudhore në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Në vitin 2007 me tren kanë udhëtuar 417,000 udhëtarë, kurse në vitin 2018 trenin e kanë përdorur 120,000 udhëtarë. Trenat e Kosovës sot nuk lidhen me asnjë linjë ndërkombëtare, ndërkohë që gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, qytetarët e Kosovës e kanë pasur mundësinë që të udhëtojnë duke shfrytëzuar hekurudhat e Kosovës për në shumë vende perëndimore, pasi trenat e Kosovës kanë qenë të lidhur me linjat ndërkombëtare.
Kosova dhe Serbia në “luftë” për trenat
Linja që dikur lidhte Kosovën me Serbinë, aktualisht nuk është funksionale për shkak të tensioneve të vazhdueshme politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Që nga vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, linja që lidhte Kosovën me Serbinë përmes Mitrovicës, nuk është funksionale. Por, kjo nuk e ka penguar Serbinë që të ofrojë shërbime hekurudhore brenda territorit të Kosovës.
Trenat e Hekurudhës së Serbisë, operojnë brenda territorit të Kosovës, pavarësisht se konsiderohen ilegalë nga autoritetet në Prishtinë. Dy herë në ditë trenat e “Srbija Voz”, operojnë nga qyteti i Kraljevës në Serbi për në Mitrovicë të Veriut. Operimi i trenave të Hekurudhës së Serbisë brenda territorit të Kosovës vazhdon, pavarësisht një vendimi të vitit 2017 të lëshuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës, që i shpallur ilegalë trenat serb që operojnë në territorin e Mitrovicës Veriore.
Në fillim të vitit 2017, Serbia tentoi ta dërgonte një tren në Kosovë, në të cilin ishte ngjyrosur flamuri serb dhe shkruante në shumë gjuhë botërore “Kosova është Serbi”. Tentimi i autoriteteve serbe për ta futur këtë tren në territorin e Kosovës, pati tensionuar edhe më tepër situatën mes Prishtinës dhe Beogradit.
Institucionet e Kosovës dërguan në Mitrovicë Veriore forca të shumta policore me qëllim që me çdo kusht ta parandalonin futjen e trenit. Treni u ndal nga Policia e Kosovës dhe u kthye nga ishte nisur.
“Korridori i 10-të”, do të kushtojë 200 milionë euro
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë filluar edhe planet për të bërë investime në modernizimin e transportit hekurudhor. Investimet parashihet që të bëhen në atë që njihet si “Korridori i 10-të”, përkatësisht hekurudha që shkon nga kufiri më Maqedoninë e Veriut, përshkon Kosovën dhe kalon në Serbi për ta lidhur Kosovën me vendet e Evropës Perëndimore.
Linja do të jetë e gjatë 148 kilometra. Sipas ekspertëve, kjo linjë parashihet të ketë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës për shkak të transportit të udhëtarëve dhe mallrave. I gjithë projekti do të kushtojë rreth 200 milionë euro dhe pritet të përfundojë në vitin 2024.
Paratë për modernizmin e “Korridorit të 10-të” parashihet të jenë kredi që Kosova do t’i marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe donacione nga Bashkimi Evropian.
Trenat e Kosovës në të kaluarën kanë qenë ndër transportuesit më të mëdhenj të mallrave. Transportimi i mallrave për në Kosovë është bërë përmes linjës që ka lidhur Kosovën me Maqedoninë e Veriut, si dhe asaj që ka lidhur Kosovën me Serbinë. Mirëpo, në 30 vitet e fundit, transporti i mallrave ka shënuar rënie për shkak edhe të mos funksionimit të rregullt të linjave hekurudhore dhe problemeve politike që kanë afektuar qarkullimin normal të trenave.
Ndërtimi i hekurudhës së Kosovës filloi në vitin 1874. Vija e parë hekurudhore ishte në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë. Në vitin 1931 vazhdoi ndërtimi i kësaj linje në relacionin Mitrovicë – Leshak, më 1934 Fushë Kosovë – Prishtinë, më 1936 Fushë Kosovë – Pejë, më 1949 Prishtinë – Podujevë – Livadhi dhe më 1963 Klinë – Prizren. Hekurudha e Kosovës ka një gjatësi prej rreth 333 kilometrash./Fatos Shala/Monitor/