Hoxha: Integrimi në BE kërkon angazhim të të gjithëve, të rinjtë në qendër të procesit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha në fjalën e tij në bashkëbisedimin me të rinjtë studentë për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë në BE, ndau reflektime dhe mesazhe të rëndësishme për rrugëtimin e vendit drejt integrimit europian.
Ai u ndal tek përfshirja aktive e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, në procesin e integrimit, duke e cilësuar atë si një përpjekje të përbashkët që nuk mund të realizohet pa kontributin e të gjithëve.
“Evropa fillon këtu. Ta bëjmë sa më të prekshme për gjithkënd. Kur flasim për të ardhmen, flasim për rininë. Në këtë proces ne jemi bashkë; nëse nuk e bëjmë bashkë, nuk bëhet.
E kam vënë re në Bruksel se integrimi shpesh shihet si një proces teknik, por na takon të gjithëve të jemi të përfshirë. BE ka qenë një ëndërr para 30 viteve; sot e kemi bërë projekt dhe duam ta kthejmë në rezultat”, deklaroi ai.
Hoxha theksoi se, ndonëse në nivele ndërkombëtare, si në Bruksel, integrimi shpesh perceptohet si një proces teknik, në thelb ai kërkon angazhim të gjerë shoqëror dhe ndërgjegjësim qytetar.
Sipas tij, Bashkimi Europian ka kaluar nga një ëndërr e largët në një projekt konkret për Shqipërinë, ndërsa tani mbetet sfida për ta kthyer këtë projekt në rezultat të prekshëm.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua rolit të të rinjve, të cilët ai i cilësoi si brezi që jo vetëm do të përfitojë nga anëtarësimi në BE, por duhet të jetë edhe kontribuues aktiv në këtë proces.
Hoxha nënvizoi se integrimi në Bashkimin Europian nuk lidhet vetëm me përmbushjen e kritereve ligjore dhe teknike, por mbi të gjitha me një transformim të mendësisë dhe përqafimin e vlerave europiane.
“Jemi në trajektoren më të mirë të mundshme. Ky është një ‘bebe’ që kërkon vëmendje 24 orë, pa pauzë. Është një plan në lëvizje dhe duhet ta çojmë në destinacion.
Ju jeni brezi që do ta shijojë BE-në, por duhet të jeni edhe kontribuuesit e saj, duke mësuar gjithçka për të. Do t’ju ftoja që Kongresi Rinor të mos jetë një ombrellë, por një koshere bletësh. Angazhohuni, kontribuoni, na ‘bezdisni’ duke na pyetur.
BE nuk është thjesht ligje dhe praktika që ndryshojnë. Hyrja në BE është një mendësi. Duhet të ndryshojmë mendësi, sepse është një sistem vlerash”, theksoi Hoxha.
Ky bashkëbisedim vuri theksin tek roli kyç i të rinjve në procesin e integrimit dhe nevoja për përfshirje aktive, informim dhe kontribut konkret në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.