Kosova

Intervista e plotë për RTSH: Ramush Haradinaj, komandanti që vijon”luftën”

Intervistë e z.Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës- dhënë për Televizionin Publik të Shqipërisë (RTSH).

Ramush Haradinaj, kryeministri i qeverisë së Kosovës, ka dhënë shumë për Kosovën: ai ka luftuar me armë në dorë, është plagosur, anëtarë të familjes së tij kanë dhënë jetën në luftë për çlirimin e vendit. Ai vetë ka provuar në duar prangat në disa shtete (në Ljubjanë, në Paris, në Hagë). Prej 18 muajsh ai është për herë të dytë kryeministër i shtetit më të ri në kontinent, shtetit të dytë shqiptar, që vetëm dy javë më parë festoi 11 vjetorin e pavarësisë. Ai thotë se e do çdo shqiptar kudo që ndodhet dhe është i sinqertë kur thekson se kur vjen çështja tek afrimi i Shqipërisë me Kosovën më shumë se punë kemi fjalë. Kur e pyesin njerëz që nuk e dinë ku bie Kosova, thotë se në Kosovë do të gjeni bujari dhe mikpritje sepse “bota (nënkupto këtu Perëndimin) është treguar shumë bujare me ne”. Perëndimi, që zhvilloi për Kosovën luftën e parë dhe deri tani të vetme për të drejtat e njeriut dhe jo për territor apo influencë, sot duket i ndarë pikërisht për debatin e hapur për “kufijtë e Kosovës”. Me stilin që duhet ta ketë trashëgim nga koha e luftës, kryeministri drejton qeverinë në një mënyrë që të kujton mobilizimin e trupave në betejë. Si për ironi, betejat që zhvillon në paqe të kujtojnë thënien e Mit‘hat Frashërit: shqiptarët do të fitojnë çdo luftë me kusht që të mbyllin luftërat me njëri – tjetrin! Kryeministri është njeri që bashkon (koalicioni që i dha drejtimin e qeverisë është dëshmi e forcës së tij imponuese dhe bashkuese), por edhe njeri që ndan me qëndrimet e tij të forta, më i diskutuari rasti i taksës. Edhe kur bashkon, edhe kur ndan, ai është i vendosur dhe këmbëngulës. Por shpesh në politikë të kesh të drejtë është një gjë dhe të bindësh është një gjë tjetër. – Për qëndrimin për taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës i është mohuar së fundmi edhe marrja e vizës për të udhëtuar në SHBA. Jeta e tij është dëshmi se është i gatshëm të mbaj kosto dhe kjo është një cilësi sublime: Pyetja është po kur kostot rrezikon t’i mbajë vendi?!

Intervista e plotëR

Në mendjet e të gjithëve është një çështje ku duket që ju mbani pozicionin tuaj dhe nuk lëvizni: çështja e taksës. Ka një opinion që thotë se në raport me Serbinë, taksa është një vendim i drejtë dhe i vonuar, por në raport me partnerët strategjikë (dhe këtu po veçoj dy vende SHBA dhe Gjermania që duket se kanë nuanca në debatin për marrëveshjen finale), kjo taksë po  kthehet në kundërproduktive për shkak se i lë Serbisë një alibi dhe nuk e detyron të ulet në tavolinë. Presioni është drejtuar kryesisht ndaj jush, është një gjë e rrallë që në marrëdhëniet mes dy qeverive aleate, tre institucione të rëndësishme (Pentagoni, Departamenti Shtetit, Këshilli i Sigurisë) ju drejtohen duke kërkuar, pezullimin e taksës për një periudhë të përkohshme. Ju keni dhënë shpesh shpjegime, por në raport me miqtë, me partnerët, me Perëndimin, me vendin që ju thoni nuk e keni gënjyer asnjëhere, – cila është përgjigja që ju jepni?

–        Eshtë me rëndësi që të shpjegohet se Kosova e pavaruar e 17 shkurtit është një kompromis se dihet që e drejta e shqiptarëve në Ballkan ka mbetur peng, nuk është realizuar në plotninë e vet dhe Kosova e pavarur e 17 shkurtit me territorin që ka me kufijtë e vet është një zgjidhje kompromisi dhe shpërblim për të drejtën e shqiptarëve. Pra, Kosova i është dhënë krejt shqiptarëve- Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarëve në Mal të Zi, në Preshevë, në diasporë- kudo që janë, pra është shpëblyer e drejta jonë me një rezultat që është Kosova e pavarur. Mirëpo ky shpërblim ta quaj ashtu ka ardhur pas një sakrifice të jashtzakonshme. Janë qindra vjet përpjekje për me qenë i lirë dhe lufta e fundit e udhëhur nga UÇK dhe e përkrahur nga NATO ka lënë plagë të mëdha dhe dhimbje të mëdha. Jo se këto nuk i dinë shqiptarët kudo që jetojnë, por e vërteta e asaj që përfaqësoj unë sot si kryetar qeverie, pra është një qeveri që ka dalë nga procese të gjata, të vështira, të dhimbshme edhe nga viti 1999 deri në 2019 që jemi tash, janë 20 vjet. 20 vjet proceset nuk kanë marrë epilog në Kosovë, në Serbi. Pas 20 vitesh të agresionit të Serbisë, kemi agresion diplomatik, agresion politik, agresion në fushën e sigurisë- kuptohet që qeveria e Kosovës është detyruar me i thënë ndal. Atë që tha Presidenti Bush kur ishte në Shqipëri- që tha enough is eunough – ka me ardh dita me u bo Kosova e pavarur. Do të thotë ky nuk është vendim i rastësishëm dhe ta themi ashtu, i rastit.

Zoti Kryeministër, Kosova ka mbërritur në ditën që ju thoni: është çliruar, krahas betejës së UÇK-së, është çliruar me përkrahjen e Miqve dhe tani miqtë po thonë që do të shkojmë në një epilog tjetër dhe kërkojmë që ju të mos na zhgënjeni! Presidenti Trump, përveç çështjes së Koresë së Veriut, në një kohë të shkurtër i drejton dy herë mesazh udhëheqjes së Kosovës, thotë që dështimi për të kapur këtë mundësi do të ishte një kthim tragjik pas, një shans për një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse nuk ka gjasa të ndodh shpesh. Në letrën e dytë ai thotë që normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për integrimin në strukturat perëndimore të Kosovës….

–        Është e vërtetë dhe do të thotë se unë e shoh ndryshe nga qasja që ju e paraqisni. Presidenti Trump në letrën e parë është tematike, ka të bëj për dialogun Kosovë – Serbi dhe shprehet në respekt të Kosovës së pavarur dhe sovrane, në letrën e dytë ku na uron shtetësinë, po ashtu Kosovës së pavarur dhe sovrane. Në të njëjtën kohë e shpreh edhe rëndësinë e një marrëveshje Kosovë – Serbi për të cilën edhe ne jemi, dhe ne dëshirojmë të marrim këtë mundësi, por në anglisht edhe amerikanët e kanë BUT, nuk shkohet në tavolinë t’u lëshu pe akoma pa u ul. Nuk mundet me i qit viktimës, Kosovës kushte, atë desha me ju than, ne e dimë që e kemi marrë ndihmën pa të cilën ndoshta nuk do të ishim kështu si jemi, por nëse Kosova e pranon që pala që ja ka shkaktuar gjithë këto të këqija, ndër shekuj, nuk është fjala vetëm për luftën e fundit, por ndër shekuj, tani me vendos kushte?! Me na vendos ne kushte- ne që kemi 20 mijë zonja të dhunueme në Kosovë, nëse dikujt i hyn në mend se çka po flas, ne kemi ende viktima të pagjetura dhe Vuçic qet kushte?!!  Do të pranojmë të ulemi me kosovarët, por me e heq taksën. Më falni por për çfarë e keni fjalën? Kush për çfarë e ka fjalën?! Nuk mundet Serbia me shit me zor kundër vullnetit të Kosovës, mallrat e veta në Kosovë me ato pare, që janë shumë, me shku me ble armë në Moskë që me na rreziku prapë, me na vra prapë. Serbia mundet me shit, mundet me përfitu prej tregut në Kosovë nëse bën paqe politike dhe me njohje.

Kryeministër, këndvështrimi juaj dhe qëndrimi juaj është i qartë në këtë çështje, por ajo që vëzhgues të jetës politike brenda qoftë edhe miq të shqiptarëve shohin që ka një kthim, dmth nëse për dekada presioni i Perëndimit dhe “delja e zezë” në rajon ka qenë Serbia, tashmë si ndodhi që presioni është ndaj Kosovës?

–        Shiko, kthimi nuk është i rastësishëm. Pse ka ndodh kthimi? Sepse Kosovës kanë provu me ja servir që fati i shtetësisë së Kosovës do të varet më tej nga tavolina e Brukselit dhe nga Beogradi. Këtë e kam ndryshuar prej ardhjes në qeveri dhe këtë e them pa asnjë hezitim. Fati i Kosovës është në Kosovë. E ardhmja e Kosovës ndërtohet në Kosovë. Kosova ekziston për shkak të vetvetes dhe të popullit të vet. Edhe formimi ushtrisë, edhe veprime të tjera në forcim të sovranitetit të vendit janë reale, nuk janë më fiktive. Pra, Kosova nuk është më një vend që e pret fatin e vet nga disponimi i dikujt në Bruksel apo Beograd. Kosova ekziston si shtet, më vete. Nuk jemi “delja e zezë”, por kemi ardhur në tavolinë. Pra kemi qenë jashtë tavolinës, nuk na kanë trajtu- na kanë lënë 20 vjet kështu si jemi. Ma në fund kemi ardhur në tavolinë. Si erdhëm në tavolinë? Erdhëm se u forcuam si Kosovë. Nëse vazhdojmë me u forcu brenda. Shiko, nuk ka pa dhimbje punë të madhe. Nuk e kemi fituar as qershorin e 1999-tës pa do mospajtime. Nuk e kemi fitu as 17 shkuritn 2008, pa do energji e mospajtime. Nuk e kemi fituar as ushtrinë pa do mospajtime, mos harroni. Nuk do ta fitojmë njohjen nga Serbia duke u përshtat duke u nënshtru ende pa shku në tavolinë. Nëse ti e fillon të shkumen në tavolinë me lëshime pe… çfarë marrëveshje finale do të kemi?!

Kryeministër ju përmendët But (por), por është edhe shprehja ever say never (kurrë mos thuaj kurrë). Ka diçka jo tamam politike në qëndrimin tuaj – ka sugjerime që çështja e taksës të trajtohet si çështje teknike dhe ajo që ju thatë: a dëshirojnë konsumatorët të konsumojnë mallrat e prodhuara në Serbi- një fushatë sensibilizuese e qeverisë apo përdorimi i mjeteve të tjera alternative që të krijojë të njëjtin efekt presioni ndaj Serbisë- nuk do të ishin opsione për t’i konsideruar?

–        Shikoni, politika ashtu si vlerësohet tek shqiptarët ka me u ndryshu. Ju e shihni, nuk i kemi trendet më të mira. Pse i kemi këto trende tani? Pse jemi kaq vonë? Për shkak se standartet tona të të bërit politikë- shumica janë të gabueme… përshtatshmëria, servilizmi, nënshtrimi, pazaret, shantazhet…

Kryeministër po flasim për raportet me Uashingtonin, le të themi edhe Berlinin…..

–        Shiko shumë drejt po të kuptoj për çka po flasim, por edhe unë shumë drejt po të shpjegoj: nuk ka nevojë Uashingtoni as për servil, as për mashtrues që shkojn atje në Uashington dhe u thonë: ju duam shumë e në të njëtin kohë i duam krejt… ata kanë nevojë për njerëz që janë të zotët e vendit vet. Një ditë prej ditësh Amerikës i konvenon që Kosova të jetë vetvetja, jo gjithë kohën me t’i dhënë detyra dikush. Nuk është ashtu bota, nuk është politika ashtu. Nuk jemi mirë kështu as për veten, as për Amerikën. Me servilizëm mundesh me nxjerr ndonjë profit të cakuar, ndonjë elemet të caktuar, por e vetmja mënyrë me qenë në tavolinë i trajtum është kur e zhvillon vendin tënd, Kosovën, forcon rendin dhe ligjin, forcon institucionet e sigurisë, forcon sistemin demokratik, respekton mediat e lira, respekton demokracinë tënde, e respekton opozitën- këto janë ato që bëjnë fuqinë e një vendi dhe i rrisin respektin. Ne jemi me Amerikën në çdo temë të botës, pra sa i përket Venezuelës jemi me Amerikën, sa i përket sanksioneve dhe politikave ekonomike ndëshkuese, ndaj ekonomisë së Kinës, ekonomisë së Rusisë, ndaj Iranit jemi me Amerikën – sa i përket politikës në Lindjen e Mesme jemi me Amerikën. Pra, është vetëm një temë që kam mendim ndryshe dhe që e kam marrë në bazë të ligjeve dhe kushtetutës së vendit dhe kjo temë ka të bëj jo me Amerikën, por me Serbinë dhe Rusinë dhe unë jam vija e frontit- pra jam ushtari i parë i Amerikës në vijën e frontit me Rusine. Duke qenë kështu, ky është qëndrim sovran i Kosovës…e Serbia … ne mund me e vazhdu bisedën gjatë, por shqiptarët duhet me dalë prej këtij mentaliteti servil se nuk do të ketë dobi për kërkënd.

Zoti kryeministër, nëse Kosova dhe Shqipëria do të ishin shtete me institucione të forta, me drejtësi të pavarur, me ekonomi konkurruese, me media vërtet të pavarura, kjo bisedë nuk do të bëhej, ndoshta ne jemi dekada larg kësaj situate. Ajo çfarë është shqetësuese është se ju thoni se jeni ushtari i parë i Amerikës në vijën e frontit, por letra e dërguar thotë…”Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona” – letër e nëshkruar nga tre institucione të rëndësishme. Pozicioni juaj është krejt i qartë, por bëhet fjalë që Presidenti i Amerikës thotë: e shoh marrëveshjen që është e mundshme…

–        Edhe unë e shoh..

Si e shihni ju epilogun?

–        Edhe unë e pres që të ketë marrëveshje. Po ashtu edhe administrata e Amerikës në të gjitha temat qeverisëse të këtij vendi ka vlerësim serioz për punën e Kosovës. Nëse nuk flasim për tarifën sot, por e merr totalin e asaj çfarë ndodh në Kosovë kanë vlerësim serioz, ndërsa Ministri i Jashtëm gjerman i dha vlerësim reformave në Kosovë- mos harroni.

Po diskutojmë vetëm për një pikë, për të cilën edhe Ministri i Jashtëm gjerman…

–        …A mund ta mbajmë bisedën edhe pak këtu se unë po e shoh që je vetëm te një pikë…, por Ministri i Jashtëm gjerman dhe gjermanët nuk bëjnë lavdata, nuk të japin fal kurrgja…

…edhe si natyrë….

–        Hiç e kanë sistemin e tillë. Ata pa i bind mirë nuk ta thonë atë fjalë, për cilin shtet në Ballkan Ministri i Jashtëm gjerman kur foli tha vlerësojmë, duhet të vlerësohen tha reformat në Kosovë. I dogji Vuçiçit se nuk e tha për Serbinë e mund t’i ketë djegë edhe plot të tjerëve. Pse po flasin? Shikoni ne nuk jemi pa kredit. Ne po i kryejmë punët e shtëpisë në Kosovë, si vend, si Kosovë. Kemi në një temë dallim. Nuk e kam dallimin me Amerikën. E kam dallimin me armikun tim të qindra vjetëve e për të cilin du edhe unë me pas opinion qysh zgjidhet problemi jem me to- se jam palë. Nuk mundet dikush me më tregu mu qysh ka me u zgjidh problemi mes Kosovës dhe Serbisë? Do të dëgjohem unë se jam palë.

Po mire, pse kjo palë nuk është në një zë të përbashkët?…as në Prishtinë, e as në Tiranë. Me çfarë krediti i shkon miqve dhe u thua: kemi këtë qëndrim?!

–        Shiko, ne miqtë na njohin. Edhe miqtë na testojnë sa jemi të vendosur për t’u mbajt në të drejtën tonë. Nëse ne bëjm servilizmin, shkojmë një e nga një atje dhe mundohemi me u dhënë atyre ndonjë ide qysh duam ne me rregullu botën pa e marrë respektin e popullit tënd dhe pa e dit populli yt se çfarë është ajo ide, kuptohet që nuk do ta kesh të lehtë atëherë. Unë e kam vështirë se jam i vetëm në këto që i them…fatkeqësisht si institucione, por shiko nuk është kjo as lazdrim, as privilegj. Nëse ne heqim dorë në këtë etapë prej të drejtës tonë pse Amerika atëherë me e mbrojt të drejtën tonë. I pari që do të pranosh ta zemë edhe sakrificat për të drejtën tënde je ti vetë, pastaj tjetri të vlerëson. Është një testim. Ju siguroj që është një testim për Kosovën, sa është e vendosur me mbet në të drejtën e vet, shtet i pavarur, sovran, me territor, me kufij, pa një Republikë të Dodikut brenda. Kjo ka ndodhur në Kosovë. Pra, nuk është taksa si taksë, as nuk është suspendimi si veprim, por është kualiteti finales me çka do të merremi vesh, këtu është fjala për finalen. A do të jetë njohja reciproke pa dëme të brendshme apo me dëme të brendshme qofshin dëme të natyrës së territorit apo kufijve qofshin dëmet e Republikës së Dodikut këtu. Duke qenë kështu kuptohet që unë s’mundem me pas qëndrim tjetër. Edhe i lus krejt politikanët shqiptar kudo që janë që të mos ta neglizhojnë se nëse ne trajtohemi dhe ia nisim tash me hapa prapa si do të arrijmë ne në finale?  Për këtë kemi mbetur 20 vjet për këto politikanë, për këtë logjikë vendimmarrëse, servile, mashtruese dhe kemi shku e i kemi mashtru edhe miqtë u kemi dhënë opinione të gabume për proceset. Koha është me e thënë të vërtetën në tavolinë, me u ditë. Shiko- një Kosovë e 17 shkurtit është një minimum, është një kompromis për të drejtën e shqiptarëve nuk mundet ajo edhe me u zvogëlu më shumë!

Kur jeni zgjedhur kryeministër keni vendosur objektiva të mëdha për veten, ushtria, Trepça, anëtarësimi në Interpol, sigurisht që keni objektiva që doni t’i arrini dhe të përmirësoni jetën e qytetarëve në Kosovë. Do t’ia vlente të sakrifikonit këto synime apo objektiva të tjerë për shkak të çështjes së taksës?

–        Nuk shpjegohen kështu. Ushtria do të thotë është e drejtë e Kosovës, me kushtetutë me ligje.

…është një gjë që e arritët.

–        Po, po, por ajo i ka takuar këtij populli është vonuar shumë fatkeqësisht. Duhet të ishte bërë kaherë, por është bë më në fund. Dhe a e di si është bërë? 107 deputetë e kanë votuar. ⅔ e Parlamentit tonë bëjnë 80 vota. 107 deputetë e kanë votuar Ushtrinë e Kosovës, që është diçka e mrekullueshme, që i ka takuar këtij populli pa dallim; të gjitha partitë  politike, komunitetet, hiq serbët që nuk ishin në seancë. Trepça është pasuri e Kosovës. Eshtë në Kosovë.

Në dokumentin prej 30 faqesh për marrëveshje me Serbinë nënvizohet anëtarësimi në OKB i Kosovës. Nëse Serbia bie dakord, anëtarësimi në OKB është në dorë të fuqive të tjera të mëdha si Rusia apo Kina. Çfarë kuptimi ka të kërkosh ulëse në OKB nga Serbia?

–        Kush tha se e kërkojmë?

Objektivi final i deklaruar është Kosova të fitojë ulëse në OKB…

–        Eshtë e drejtë e jona. Jemi shtet i pavaruar. Jemi njoh nga mbi 100 shtete. Ne kërkojmë me u zbatu e drejta jonë në OKB, e në të gjitha organizimet ndërkombëtare, me u anëtarësu në NATO si dhe me u anëtarësu në BE, pra është e drejtë e jona. Çështja e njohjes reciproke i zgjidh edhe këto…

Jo domosdoshmërisht.

–        Shiko pajtohem me ju, por procesi i njohjes mund ta përfshijë edhe mospengimin e anëtarësimit në OKB. Nuk është njohja vetëm në favor tonin. Mos e harroni këtë. Nuk është vetëm Kosova që ka interes për njohje. Përndryshe pse na kishte njoh Serbia. Po Serbia nuk mundet me ec më tutje në asnjë proces të vetin integrues drejt BE-së pa e njoh Kosovën. Kushti më kryesor për me ec me përmbyll kapitujt për një aspirant në BE është zgjidhja e çdo kontesti me fqinjtë. Pra Serbia e ka edhe ajo interesin.

Mirë. Pse u ngut Kosova në këtë debat, kur presioni ishte mbi Serbinë?

–        Debati për kufijtë, nuk e di për besë. Kjo është e habitshme pse ka ndodh kështu. Mendoj që është gabim i madh.

Ku duhet ta kërkoj këtë përgjigje?

–        Shiko kjo iniciativë është e Serbisë. Serbia ka një kërkesë të tillë të vazhdueshme prej Graçaninit e deri më sot. Të gjithë intelektualët serbë kanë thënë se duhet ta bëjmë një ndarje mes shqiptarëve dhe serbëve, ta marrim një pjesë të Kosovës, një pjesë ta marrë Shqipëria, pra me e pre këtë vend. Kjo ka vazhdu në kohë të Xhinxhit (ish kryeministër i Serbisë 2001-203) vazhdon edhe sot, por kjo i përputhet shumë politikave të Vladimir Putinit, se ai përpos që ka aneksu, përpos se ka pushtue e sulmue disa vende fqinje ai ende…ende e ka në plan ridizanjimin e kufijve me vendet që i ka fqinjë, të BRSS -së së vjetër që kanë qenë dikur anëtare të Paktit apo të Unionit të tij- pra kjo i shkon përshtatje atij dhe vetëm atij, askujt tjetër

Nëse flasim për marrëveshjen finale me Serbinë a ka ardhur koha për reciprocitet me Serbinë, të drejtat që ka minoriteti serb në Kosovë në barazpeshë me të drejtat e minoritetit shqiptar në Serbi?

–        Vështirë e zbatueshme, e kërkueshme po- duhet me u kërku kjo duhet me vlejt.

Pse nuk është kërkuar?

–        Tani në platformën e delegacionit shtetëror është pjesë, është pjesë, mirëpo prap garancat për zbatim janë të vogla për shkak se megjithatë më tutje mbetet në diskrecionin e institucioneve përkatëse me i zbatu, pra ajo edhe mund të premtohet, mund të merren obligime por vështirë është me u bazu në të.

Quid pro quo. Kokë për kokë.

–        Nuk jemi krejt ashtu të fort e të zot.

S’jeni aq të fort e të zot…?

–        Jo, jo unë du me qenë real dhe i sinqertë. Kapaciteti i Kosovës së sotme është i mjaftueshëm dhe është garancë që jemi zot shtëpie në Kosovë, por nuk është Kosova aq e fortë sa me i dal zot shqiptarëve kudo që jetojnë në Ballkan fatkeqësit. Pra nuk e kemi at kapacitet të mjaftueshëm.

Marrëveshjet e rëndësishme dhe të mëdha që arrihen në tavolinë kërkojnë kompromis. A është e përgatitur Kosova për një kompromis tjetër me Serbinë?

–        Për ne duhet theksuar se Serbia ende nuk ka kërku falje për ato që i ka bo në Kosovë. Fakti i njohjes dhe i marrëdhënieve nënkupton një lloj pajtimi realisht një lloj falje.  Jo falje ligjore, por fakti se kur njihemi reciprocikisht, krijojmë marrëdhënie diplomatike nënkupton një etapë të re të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në këtë rast edhe shqiptaro – serbe se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë edhe të shqiptarëve në fund të fundit. Pra është një kapitull i ri dhe për ne nuk është dhe aq i thjeshtë, pas dhimbjeve dhe pas gjithë atyre që kemi kaluar, pra ky është kompromisi i madh që do të bëjmë ne.

Pranimin e faljes..?

–        Shiko është një lloj dhënie e faljes se kur njihemni reciprocikisht, zhvillojmë marrëdhënie të tjera dhe kalojmë në një etapë tjetër të marrëdhënieve vetvetiu është një lloj paqeje, është një marrëveshje paqeje. Për ne kjo e ka kompromisin se është kompromis i madh, dhimbje që kemi për atë që na ka ndodh në periudhat që i dinë të gjithë. Ju përshembull e dini që gjysma e popullit këtu ka ardhur atje, kanë lëshu pothuaj gjithë Kosovën dhe kanë shkuar në Shqipëri, Maqedoni e vende të tjera. Pra është kompromis i madh. Por te çështja e kufijve, a duhet me ndodh, a duhet me u nguc kufijtë, shikoni në Ballkan nuk ka kufi perfekt dhe lëvizja me kufinj është e rrezikshme. Do të thotë se këto kufi që ka Kosova sot janë mbi 50 vjet. Hapja e këtyre kufijve nuk garanton më qëndrueshmëri. E para ne e hapim 17 shkurtin, hapim të arriturën tonë më të madhe të Kosovës e kësisoj nuk dihet më ku ndalet kjo. Nuk ka kurkush që garanton se hapja e kufijve është në dobi të shqiptarëve. Shqiptarët e kanë perspektivën duke u konsoliduar, duke u zhvilluar duke u bashkëvepruar, duke u ndërlidhur ndërvete, por nëse tash nisim ne me rivizatu kufijtë nuk do të jemi në dobi tonën.

Si e shihni Kosovën kur ndodhet mes alternativës së Zajednicës me fuqi ekzekutive dhe marrëveshjes për territor apo e thënë ndryshe: land for peace (tokë në këmbim të paqes)?

–        Fiktive janë këto.

Debat i stisur?

–        Atë thashë, pare janë hedhur shumë. Plot think tank, mekanizma të ndryshëm nëpër Europë se lëre në Ballkan marrin indirekt pare prej Rusisë.

A ka hetime qeveria e Kosovës për këto financime?

–        Sigurisht ne non-stop jemi në këto tema. Kemi inteligjencën tonë, ka Shqipëria inteligjencën e vet, janë shërbimet aleate këtu, të gjithë e dinë se ç’po bën Rusia, sa para po shtin e çka po bën..

Ka hetime specifike për atë që ju thoni kanë hedhur para për të nxitur debatin e “korrektimit të kufijve”?

–        Tani duhet me shku në gjykatë se nëse ua konfirmoj këtë, por krejt rastësisht nuk flasim. Edhe ne kemi mjaftueshëm informacion, qysh ka edhe Tirana zyrtare, qysh kanë të gjithë. Shihni propagandën që bën me fake neës dhe me SPUTNIK-un edhe me satelitë të tjerë, me ndikimin në zgjedhjet europiane, me tendencën e puçit në Mal të Zi kur ishte kryeministri ishte i rrezikum. Donte me e shti në sherr edhe Serbinë me Malin e Zi se përfshiu shtetas serb me vra kryeministrin e Malit të Zi, pra me i shti në luftë. Krejt këto procese të hapjes së temave që nuk mund të mbyllen janë tendencë e Rusisë me na mbajt gjatë kështu si jemi.

A i druheni ju një marrëveshje të mundshme mes SHBA-së dhe Rusisë ku pjesë e zgjidhjes së problemeve globale është edhe Kosova?

–        Jo unë i gëzohem nëse kishte mujt me u arrit ajo marrëveshje. Nuk kam unë gjë kundër dhe mendoj se aty do të ishte fati ynë se Kosova i takon familjes së Amerikës dhe popujve të lirë që i prin Amerika. Edhe ku me e marr me u arrit ajo marrëveshje. Kuptohet Rusia ka dalë, pra nuk e ka më fuqinë në Ballkan, mundohet me pengu, provoi në Maqedoni, por dështoi, tani i ka mbet Serbia, Bosnja dhe Kosova me vazhdu, por me Kosovën e ka të pamundur se është zonë tjetër, janë njerëz të lirë…por aty ku ishit ju mes dy zgjidhjeve: kufijtë ose zajednica, ekziston edhe e treta: është kushtetuta e Kosovës. Shumë lehtë është me vazhdu me mbet me kushtetutën. Më lehtë është me e mbrojt vetveten në atë që je sesa me hap eksperimente për veten.

Sot ka një kontekst tjetër, gjërat po ndryshojnë, gjëra që ishin të pamendueshme po bëhen të pashmangshme, fqinji i Kosovës- Maqedonia e tjetërsoi kushtetutën në këmbim të një marrëveshje që do t’i hapë rrugën europiane që i kishte bllokuar Greqia me apo pa të drejtë?

–        Mirë, po kush është Greqia? Eshtë anëtare e BE-së dhe NATO-s. Kush është Serbia? Mos harroni është mbetja e një federate që kanë qenë 8 njësi, është mbetja, njëra nga këto që i ka shkaktu tragjedi minimumi tri popujve: boshnjak, kroat dhe shqiptar edhe bëni këto dallime. Ne nuk jemi palë me Greqinë, një vend që nuk ka bo luftë 50 vitet e fundit ta zemë, që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Po flisnim për tabu-në e prekjes së Kushtetutës.

–        E kuptoj unë tabu-në, por dallojnë kontestet. Ne jemi në kontest me mbetjet e shtetit presidenti i së cilit ka vdek në burg- Millosheviçi, i cili ka shkaktu tragjedi, i cili duhet të sanksionohet. Në rrethana të tjera sanksionimi nuk ish dasht vetëm me largu trupat prej Kosovës, por edhe me reduktu numrin e tankseve, numrin e kësaj e numrin e asaj për tragjeditë që kanë shkaktue.

A shikoni ju një qasje tjetër ju ..po përdor fjalën “Perëndim” ndaj Serbisë?. Duket e harruar pjesa e tragjedisë ballkanike me luftra pothuaj në çdo njësi përbërëse të ish Federatës?

–        Kur e harrojmë ne e harrojnë edhe të tjerët. Nëse ne e dimë çka duam dhe e dimë me respektu veten, atëherë mos u mërzitni. Nuk bohet kundër vullnetit të popullit të Kosovës kurrgjë. Mos u mërzitni. Vetëm ne duhet ta dimë çka duam. Ma i lehti opsion. Po e marrim shembull LDK-në, parti e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova dikur, një parti e shquar për një lëvizje paqësore. Çfarë është më e lehtë për LDK-në sot? A është më e lehtë me hap kufi e territore e me mbrojt pastaj? A është më e lehtë një Republikë e Dodikut apo kushtetuta që i kemi cu duart krejt për të…

Po…

–        Më fal, por ka rëndësi ta bëjmë diferencën…

Por, por delegacioni i Kosovës ka firmosur marrëveshjen…

–        Po duhet ta kuptoni një gjë, po i servohet popullit tonë gjoja ti je kështu dhe vetëm këto dy zgjidhje kemi. Nuk është e vërtetë..

Po, por në këtë rast flasim që delegacionit të Kosovës nuk i ka vendosur kush armën kokë për të firmosur në Bruksel.

–        …më fal për PDK-në, për  PDK-në e Adem Jasharit e të UÇK-së çka është më e lehtë me hap kufijtë tash me Serbinë? Me pru një Republika Serbska në Kosovë? Më e lehtë është kushtetuta e vendit se e kemi shkruar bashkë me miqtë tanë, me Perëndimin është kushtetuta më e re në Europë, …

5% e minoritetit serb  që jeton në Kosovë, ka gjuhën e vet zyrtare, vendet e sigurta në Parlament, të drejta që nuk i ka kush në Europë pse sipas jush e gjen sërish Kosova veten me këtë debat të hapur?

–        Shikoni. Çështja e njohjes Kosovë – Serbi është edhe çështja edhe e interesit të Kosovës. Nëse shteti fqinj Serbia ka interes me qytetarët serb të Kosovës të cilët janë bashkkombas, siç mund të ketë Shqipëria për shqiptarët e Preshevës se i konsideron bashkombas kjo është legjitime, ne nuk jemi kundër këtyre aspekteve të respektimit të komuniteteve, të drejtave të njeriut.

Këto janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

–        Po janë.

Çfarë kërkohet më tepër?

–        Nuk po kërkohet asgjë. Me u respektu kushtetuta, atë thashë unë.

Çfarë kërkohet jo nga Kosova, por çfarë kërkon Serbia?

–        Shiko Serbia mundet me pas një listë dëshirash. Edhe të tjerë mundet me pas, po ti çfarë do prej vetes dhe prej Kosovës. Shumica e spektrit politik në Kosovë sot, shumica do me u respektu Kosova e 17 shkurtit, kushtetuta jonë, territori, kufijtë, sovraniteti, integriteti territorial. Këto janë. Nuk po kërkojmë diçka tjetër. Po jemi të interesuar për njohje me Serbinë, pa prek elemente bazë të shtetit. Nëse do të preket qoftë edhe një nga këto elemente nuk na vyen njohja. Rrimë pa njohje. Konsolidohemi. Forcojmë ushtrinë, forcojmë veten, forcojmë ekonominë, rendin e ligjin, sovranitetin. Kontrollojmë çdo pjesë të Kosovës. Çdo metër katror të Kosovës e kontrollon Kosova se dëgjoj shpesh diskutime: “s’ke kontroll atje”. Jo. Çdo metër katror të Kosovës e kontrollojmë. Total. Edhe policia e Kosovës sot nuk besoj se ke në rajon polici më të aftë. Njësitë elitë të policisë sonë nuk besoj se ka në rajon njësi më të aftë, as nuk e ke në Serbi, as në Mal të Zi askërkund, hiç.I kemi plot raste që edhe situatat më të vështira i kanë zgjidh në mënyrë e duhur. Po du me u rikthy dhe me e thënë me siguri: mos të krijojmë presione fiktive; mos të krijojmë situata pa rrugëdalje, mos ta bindim veten se bohemi më miq me Amerikën duke ja heq taksën Rusit se Rusit ja kemi qit ne jo Serbisë.

U rikthyet te taksa…

–        Shiko të gjitha edhe dialogu, edhe njohja edhe krejt po vijnë aty. Për shembull Vulini (Aleksandër Vulin, ministër i Mbrojtes së Serbisë) po shkon dhe blen armë në Rusi, e njëjta ushtri që na ka myt dikur, edhe duhet me pagu ratat çdo tre muaj, nja dy nuk ka mbërrit me i pagu se nuk ka patur para. Shihni çfarë po ndodh. Në Kosovë janë hapur shumë vende pune, gjatë kësaj kohe, kemi hapur vende pune… unë kam hapur vende pune në Shqipëri…

Maqedoni…

–        Edhe në Maqedoni fatmirësisht një pjesë e madhe e popullit është bashkkombas i yti dhe i jemi, por ne kemi hapur vende të punës në Shqipëri. Sipërmarrësit e Shqipërisë na thonë: ju lutem vazhdoni kështu.

Fqinjin nuk e zgjedh vetë. Po të ishte e mundur kjo bota do të ishte ndryshe. Ju si e shihni finale me Serbinë…?

–        Shqiptarët janë të mirë si fqinj. Nuk ka popull më të respektueshëm se ne. Shumica e popullit serb i çmon shqiptarët, për vlerat, për virtytin, për respektin. Shikoni tani paqja është në vullnetin dy palësh. Nuk bëhet paqja vetëm prej njërit, nuk bëhet paqja vetëm prej viktimës e keni parasysh. Ne jemi për me jetu në paqe me Serbinë siç jemi për të jetuar në paqe me çdo fqinj tonin. Shqiptarët jetojnë me plot fqinj. Nuk kemi axhendë kërcënimi apo të rreziqeve ndaj të tjerëve. Por duhet, duhet të sigurojmë të vërtetën tonë, mirëqenien tonë, jetesën tonë, këtë e kemi obligim.

Prej 18 muajsh që jeni në drejtimin e qeverisë Kosova merret me çështje të mëdha ekzistenciale me apo pa dëshirën tuaj, ndërkohë që jeta e qytetarëve në Kosovë ka dinamikën e vet, përtej taksës. Ju vetë keni thënë: dy njollat e Kosovës janë korrupsioni dhe bërllogu. Indeksi i fundit i Transparency International radhit Shqipërinë dhe Kosovën në vendet e fundit në Europë sa i përket perceptimit të korrupsionit. Ajri në Prishtinë dëmton mushkritë e gjithë qytetarëve, të pasur, të varfër, shqiptarë apo serb qofshin. Si e gjen veten mes trajtimit të problemeve të mëdha ekzistenciale dhe trajtimit të problemeve të jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës?

–        Nuk kemi hequr dorë nga detyrat tona bazë. Pra, edhe pse përballemi me të tilla. Këtë vit e kemi shpallur si vitin e ekonomisë, pra jemi non-stop në tema ekonomike, çdo ditë vetëm ekonomi. Pastaj atë që thashë që ministri jashtëm gjerman lavdëroi reformat- kjo ka të bëj me pakon ligjore të luftës kundër krimit, të luftës kundër korrupsionit, të konfliktit të interesit dhe këto ligje u votuan në fund të vitit që shkoi. Unë mendoj se rritja e buxhetit për gjyqësorin…shikoni në Kosovë paga e gjyqtarit është rritur 100%, pra nëse ka qenë 800 euro, është 1600. Në Kosovë buxheit për gjyqësorin është rritur 100%…

Çështja është a është rritur cilësia e drejtësisë se pagat…

–        A mundem me e shpjegu: ju kemi mbyll çdo argument të mos suksesit. Pra ju kemi dhënë përkrahje me mandatin ligjore që kanë, por edhe përkrahjen financiare.

Nëse Kosova do të kishte drejtësinë e duhur, sot nuk do të kishim nevojë të kishim gjykatë speciale në Hagë.

–        Më fal, më fal. Nuk po themi ne që Kosova e ka pas apo e ka, por…

Hapat që…

–        Jo jo ne po flasim për investimin konkret të këtij vendi sa i përket…kush e bën ligjin, pra e bën norma, pastaj e bëjnë njerëzit- sistemi gjyqësor. Ligjet na janë lavdëruar, prej departamentit të shtetit kemi marrë shkresa, pra në vjeshtën që shkoi, në fund të vitit që shkoi jemi lavdëruar publikisht nga departamenti amerikan i shtetit për pakon ligjore, ashtu si na lavdëroi Gjermania, Anglia etj. Njëkohësisht njerëzve që janë në punë, përpos përkrahjes ligjore që kanë ju kemi dhënë pare ..edhe detyrën e kanë. Shihni edhe një element që është shumë interesant. Sa  aktakuza janë hapur për korrupsion në Kosovë? Ka dhjetëra aktakuza të të gjitha niveleve prej ministrave në detyrë e deri te më i vogli. Ka ndodh diçka në Kosovë. Nuk kemi prit me na ardhur dikush me na bo vettingun, as me na bo ne ligjin, por po punojmë. Unë jam, ju e thatë qe 18 muaj, jam në punë. Unë që atëherë jam në punë, po që atëherë kjo ka ndodh në Kosovë. Pra paga e gjyqtarit të Kosovës është rritur 100%. Nuk po flas fjalë kot. Pse po i them këto? Ne nuk e neglizhojmë gjendjen me korrupsionin dhe krimin. Dhe jemi në punë. Gjykata speciale është karakter tjetër. Shiko: tri herë bashkësia ndërkombëtare bani filtra me shqiptarët. Njëherë me UNMIK, 8 vjet, Tribunali për ish Jugosllavi 10 vjet, Eulex 10 vjet, filtri katërt. Ne jemi të zot sot me procesu çfarëdo rasti në institucionet vendore. Kush ka kry krim mundet me u ballafaqu me ligjin në Kosovë. Nëse sot ke aktakuzë për 15 vetë, komandantë të UÇK-së, për rastin e veteranëve qysh e dini dhe ministra në detyrë, pra gjyqësori ynë nuk është një gjyqësor mos me u respektu…

Ju përmendët veteranët, nuk doja t’a hapja këtë temë, por meqë e përmendët. Sa veteranë janë në Kosovë?

–        Nuk e kam shifrën e saktë, por…

Përafërsisht…?

–        Për besë nuk mundem me fol. Po vdesin njerëzit. Për shembull supozohet që në muaj përafërsisht mbi 100 vdesin. Fatkeqësisht. Mosha, dikush ka qenë në luftë mes 40-50, tani është mes 60 e më shumë.

Fqinji tjetër i shtetit të Kosovës- Shqipëria. Zoti kryeministër idenë e bashkimit me Shqipërinë ju e shihni si ëndërr romantike-? instrument që i ka ardhur koha për ta vënë në veprim? apo instrument shantazhi ndaj BE-së dhe ndonjë tjetri?

–        Unë mendoj se…ëndërr… kjo nuk është ëndërr  e quaj ashtu është domosdoshmëri e shqiptarëve, integrimi i ndërsjelltë, kjo në fund të fundit është për shkaqe racionale se flasim një gjuhë, se nëse shkruan atje në një produkt: përqindja…kaq përqind sheqer, kaq yndyrë, kaq ato e…lexon konsumatori edhe në Sarandë, edhe në Progonat edhe Theth, edhe në Kamenicë edhe në Bistricë të Mitrovicës, pra i njëjti konsumator, e njëjta gjuhë pra ka plot arsye pse duhet të shtohet integrimi i ndërsjelltë, të thellohet. Nuk mendohet që ky integrim i ndërsjelltë i shqiptarëve bie ndesh me rregullimet e sotme shtetërore, pra nuk pengon funksionimin e shteteve, nuk cënon kushtetuetshmërinë e shteteve ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, por njëkohësisht nuk është në kundërshtim as me logjikën e BE-së ose me logjikën e globalizmit. Ajo që unë shoh ndonjëherë me habi është se ne shumë bisedojmë për këtë temë edhe flasim, lavdërohemi si thatë ju edhe kërcënojmë e shantazhojmë të tjerë e ku di unë, ama në praktikë pastaj mungojnë veprimet e duhura.

Pse? 20 vjet Kosovë e çliruar, 11vjet shtet…

–        Shiko mendoj se ka përparime. Unë nuk po them se nuk ka përparime e zhvillime, lëvizje ka shumë më shumë tani.

Aty ku nuk kanë dorë shtetet ka akoma më shumë integrim…

–        Shiko edhe shtetet kanë bo, edhe ne me Shqipërinë ta zemë, kemi nënshkruar, kemi liberalizuar, kemi hequr barriera tarifore, kemi bo plot punë, por prap duhet të bëjmë më shumë. Më së pari unë e kam shumë zor me i thënë Shqipërisë fqinj, nuk e ndjej veten mirë…

Ishte fqinj në kuptimin e respektimit të shtetit të Kosovës…

–        Shiko fqinj e kam edhe një kojshi timin, në kuptimin e njëjtë me vendet e tjera nuk e përjetojmë Shqipërinë ashtu.

Ju e shihni si dy vëllezër me shtëpi të veçantë.

–        Po, po e përjetojmë ndryshe. Unë jam…më së pari u bëj thirrje sipërmarrësve në Shqipëri të gjithëve që seriozisht ta shqyrtojnë bashkëpunimin me Kosovën. Pra që të vijnë të investojnë….

Duhet të jetë rrugë me dy kalime….

–        Njëkohësisht…

Biznesi shqiptar gjen më lehtësi, biznesi Kosovës në Shqipëri nuk gjen…

–        Aty deshta me dal, dhe po ashtu integroni idetë e bizneseve tona atje. Pse? Se ato ju sjellin ju këtu dhe anasjelltas, pra vjen njeri atje nga aty krijohet lidhja me ardh këtu. Pra nëse ai vjen atje do të gjej një partner, një palë, ajo palë mund të vij këtu. Pra duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik. Studentëve, ju bëj thirrje të vijnë të studiojnë në Prishtinë, fëmijëve të Shkodrës, Sarandës, Gjirokastrës… i bëj thirrje shkollave të mesme, maturantët e Kosovës që vijnë dhe shohin Shqipërinë, ta bëjnë edhe nga Shqipëria, të vijnë fëmija në një eskursion një ditor të shohin Prekazin, Mitrovicën, Kaçanikun..

Kjo tani është në dorë të Besa Shahinit.

–        Në dorë të secilit. Unë mendoj se është në dorë të secilit, është në dorë të qeverisë, të drejtorëve të shkollave të fëmijëve….

Për të shkuar atje dhe për të ardhur këtu, shqiptarëve në të dy anët u duhet të ndalojnë  në dy stacione: një në Morinë dhe një në Kalimash. A ja keni ngritur si çështje kryeministrit Rama që taksa, tarifa në rrugën e Kombit është e lartë, nuk është e arsyeshme?

–        E kemi biseduar.

Cila ka qenë përgjigja?

–        Me thënë të drejtën shpjegimet janë…

Se nëse flasim për lehtësim…

–        Shpjegimi i tij ka qenë që meqë rruga nuk është e përfunduar krejt, ka një kosto përfundimi, pastaj edhe mirëmbatja edhe vështirësistë buxhetore e krejt këto, por mendoj që është një logjikë e gabume në total pra. Shqipëria  e ka treg Kosovën e ka konsumator si për detin ashtu edhe për punë të tjera do të thotë ti për me pru konsumatorin duhet me e josh. Si e josh? Për shembull me thonë Shqipëria që çdo makinë e Kosovës që hyn ja japim një bonus për një kafe dikund dhe kështu ti rrit frekuentimin, shton njerëzit, rrit klientelën. Më vjen keq që ka ndodh kjo me taksën, tarifën në Kalimash. Edhe ma keq kalojnë transportuesit, pagesa e skanerit që është shumë e shtrenjtë. Eshtë e pashpjegueshme. Ne jemi keq. Ne i kemi dy punë që duhet t’i bëjmë me Shqipërinë në infrastrukturë. Eshtë hekurudha. Duhet të kemi linjën hekurudhore Kosovë- Durrës, është në interes të Shqipërisë shumë dhe kanali i gazit. Shqipëria si operator përfiton nëse gazi i Kosovës vjen nga Shqipëria. Eshtë gabim për Kosovën me e marr gazin prej Maqedonisë.

Këto janë gjëra që kërkojnë dekada….

–        Jo, jo dikur ka qenë dekada, tashmë jo. Në të kaluarën, këto projekte kanë zgjat shumë, tani ju e shihni që …

Projekti interkonjeksionit i gatshëm, i përfunduar dhe penguar nga Serbia dhe që do të bënte kompatibël energjinë e dy vendeve- hidro dhe termo.

–        Ky problem ekziston. Funksionalizimi është kthyer në problem të transmisioneve ndërkombëtare, përsëri do të zgjidhet, nuk jemi larg shumë. Kanali i gazit nuk është projekt i pa realizueshëm dhe nuk ka nevojë me marr shumë kohë. Nëse ka dakordim të ndërsjelltë- mund të kryhet para tre vjetëve. Hekurudha mundet me u kry para tre vjetëve. Nuk është kosto e madhe. 340 milionë (euro) është kosto në pjesën e Shqipërisë. Ne kemi investu në autostradë për Shkup qindra milionë, kemi autorrugën e Dukagjinit që po ashtu presim me e përmbyll. Kemi investime në hekurudha të Kosovës 200 milionë.

Po flasim për hekurudhë që duam të ndërtojmë dhe kemi rrugën e Kombit që ekziston. Nëse flasim për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave….flasim për hekurudhë kur nuk kemi zgjidhur…

–        Më vjen keq. E kam zor me komentu vendime të qeverisë së Shqipërisë në territorin e Shqipërisë.

Edhe kur këto vendime i konsideroni të gabuara?

–        Jo, shiko duhet të bëjmë një minimum kujdesi. Ua thashë mendimin tim. Mua më duket e habitshme kjo qasje e tillë. Megjithatë është një vendim që e ka marrë Shqipëria. Nëse ta zemë është një tarifë e vendosur në një rrugë në Shkup, Shqipëria e ka zor me thënë pse e ke bo.

Nëse mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive nuk janë për…

–        I kemi fol, i kemi fol. Si nuk i kemi fol, por megjithatë .. ne nuk mundemi tash me qit kushte Shqipërisë: po nuk e hoqe atë do të bëjmë këtë. Nuk bohet ashtu. Shpresoj që do të gjindet ndonjë zgjidhje, por zor është me imponu zgjidhje.

Sa të rëndësishme i konsideroni raportet personale mes liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë për të avancuar projekte të përbashkëta?

–        Janë me shumë rëndësi. Unë bëj shumë kujdes. I ruaj këto raporte. Kam raporte të mira me krejt lidershipin e Shqipërisë. Nëse ka ndonjëherë ndonjë situatë të mos pajtimit me ndonjë temë, se unë kam edhe në Kosovë mospajtim ose me Presidentin ose me kryeparlamentarin ose me dikënd tjetër, mirëpo unë prap se prap i shoh me shumë kujdes marrëdhëniet personale si me Presidentin Meta, si me z. Ruçi, z. Basha, me znj Kryemadhi, me kryeministrin Berisha, pastaj kam plot miq në të dy partitë. Pandeli Majko është i rregullt, vjen dhe kemi komunikim shumë të mirë me të, me Fatmir Mediun e PR-së, do të thotë kemi kush e di sa miq, janë shumë. Nuk bëjmë dallime pra tilla dhe bëjmë kujdes shumë. Unë bëj kujdes shumë. Mundohem në maksimum për të ruajtur një marrëdhënie edhe personale, edhe njerëzore, por edhe institucionale, edhe vëllazërore sepse kemi interes jetik ta kemi këtë marrëdhënie. Kur jam në Tiranë ndihem shumë mirë me thënë të drejtën. Ndihem si në shtëpi. Pastaj kemi plot miq personal, çdokund në Shqipëri.

Ministra dhe zëvëndësministra nga Kosova në qeverinë e Tiranës. A vjen koha që do të ketë ministra dhe zëvëndësministra nga Shqipëria në qeverinë e Prishtinës?

–        Shiko, nuk kam ndonjë koment për këtë pjesë. Nuk dua të komentoj. Do të thotë nëse unë i bëj punët mirë në Kosovë, kjo është në dobi të Shqipërisë. Çdo punë të mirë që e bën Kosova është në dobi të Shqipërisë se faktorizohemi si shqiptarë. Nëse Shqipëria i bën punët mirë në Shqipëri i ndihmon shumë kosovarët i ndihmon të gjithëve me fuqizimin e vetvetes. Kur punët shkojnë vështirë ose keq tek ne i dobësojmë interesat tona.

Çfarë mund të mësoj Kosova nga Shqipëria?

–        Shumëçka. Shqipëria është shtet me traditë. Ka 100 vjet shtet. Ka shumëçka, Përvoja të mira. Sikundër ne e ndjejmë edhe shqetësimin për proceset që shkojnë vështirë në Shqipëri, na shqetësojnë edhe ne me thënë të drejtën.

Keni koment për zhvillimet e ditëve të fundit në Shqipëri?

–        Më vjen keq që unë me shit mend ose me i tregu Shqipërisë që duhet me bo punë, por më vjen keq kur i shohim proceset që janë të tilla. Nuk është aq lehtë me i pa. Shpresoj që çdo gjë të kalojë mirë dhe do të ketë një epilog të mirë dhe të ketë një rezultat që nuk e dobëson Shqipërinë. çdo proces shpresoj që nuk do ta dobësoj Shqipërinë. Frika jonë është nga dobësimi Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button