Iris Luarasi denoncon protestën me fyerje përpara Parlamentit: Vajzat më kishin zënë pritë, poshtërimi nuk është aktivizëm
Deputetja Iris Luarasi ka reaguar sot ndaj një proteste që i është bërë përpara hyrjes së Parlamentit, duke e cilësuar atë si një akt me fyerje, sharje dhe dhunë verbale, e jo si aktivizëm legjitim.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Luarasi tregon se disa vajza e kishin pritur me sharje dhe celularë gati për të filmuar.
“Sot duke hyrë në parlament disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kishin përgatitur,” thotë ajo.
Deputetja shpjegon se u lëndua jo nga kritika në vetvete, por nga mënyra se si të rejat e kuptuan mbrojtjen e grave.
“Dhe patjetër që për një çast u lëndova, jo se nuk e përballoj kritikën, po sepse pashë vajza të reja që besonin se poshtërimi i një gruaje ishte mënyra për të mbrojtur gratë. Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoi të mi vjedhë askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm”, thekson Luarasi.
Ajo thekson ironinë e situatës, ku ato që pretendojnë të mbrojnë gratë, sipas saj, ushtruan dhunë verbale ndaj një gruaje të vetme.
“Më akuzuan se nuk mbroj gratë ndërkohë që po dhunonin vetë verbalisht një grua. Kjo është vërtetë ironike, po edhe për të ardhur keq. Mbrojtëse të grave me fyerjen në gojë, me telefonin në dorë dhe një grua të vetme që e kishte rrethuar”, shpjegoi Luarasi.
Luarasi bën dallim të qartë mes aktivizmit dhe agresionit.
“Unë nuk pretendoj të përfaqësoj këto gra që ngatërrojnë aktivizmin me agresionin, protestën me pritën dhe guximin me fyerjen, por përfaqësoj gra dhe vajza të tjera që punojnë dhe e ngrenë zërin me dinjitet, ato që nuk kanë nevojë për një grup, kamera dhe një viktimë për t’u ndjerë të fuqishme”, thotë deputetja.
Ajo nënvizon se është e hapur ndaj kritikës dhe pyetjeve, por jo ndaj shpifjes, kërcënimit dhe dhunës.
“Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë, sepse fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm dhe dhuna nuk bëhet më pak dhunë vetëm sepse ushtrohet nga vajza”, përfundon Luarasi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.