TEL AVIV – Presidenti i EBA-s paralajmëroi Netanyahun për një sulm të Hamasit para 7 tetorit
TEL AVIV, 8 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, e kishte paralajmëruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pak para sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023, se Hamasi po planifikonte një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Izraelit, sipas një raportimi të medias izraelite të publikuar sot.
Sipas gazetës “Haaretz”, Netanyahu nuk ua përcolli paralajmërimin drejtuesve të shërbimeve të sigurisë izraelite dhe nuk ndërmori masa në përgjigje të tij.
Zyra e Netanyahut e hodhi poshtë raportimin si një “gënjeshtër absolute”, shkroi gazeta.
Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të veçantë për komente.
“Haaretz” tha se hetimi i saj bazohet në intervista me dhjetëra burime, përfshirë zyrtarë të lartë në Izrael dhe në vende të tjera.
Sipas raportimit, bin Zayed e telefonoi Netanyahun nga pallati presidencial në Abu Dabi rreth një javë e gjysmë para sulmeve të 7 tetorit.
Biseda telefonike thuhet se zgjati rreth 45 minuta.
Gjatë telefonatës, presidenti i Emirateve dyshohet se e paralajmëroi Netanyahun se lideri i atëhershëm i Hamasit, Yehya al-Sinwar, po planifikonte një sulm të madh ndaj Izraelit.
Bin Zayed shprehu gjithashtu shqetësimin se një sulm i tillë jo vetëm që do të shkaktonte gjakderdhje, por mund të destabilizonte të gjithë rajonin dhe të dëmtonte Marrëveshjet e Abrahamit, përmes të cilave Izraeli kishte normalizuar marrëdhëniet me disa shtete arabe.
Sipas “Haaretz”, bin Zayed i kërkoi Netanyahut ta merrte seriozisht paralajmërimin dhe të përgatitej për një sulm të mundshëm.
Netanyahu, megjithatë, raportohet se reagoi “relativisht i qetë” dhe e siguroi presidentin emiratas se Izraeli ishte “i përgatitur për çdo skenar”.
Sipas raportimit, kryeministri izraelit e konsideronte situatën në Bregun Perëndimor shumë më të paqëndrueshme.
“Haaretz” njoftoi se tre zyrtarë të lartë të qeverive të huaja ishin informuar për përmbajtjen e telefonatës.
Gazeta citoi gjithashtu një këshilltar të bin Zayed, i cili ishte në dijeni të bisedës.
Hetimi u krye nga gazetarët Shlomi Eldar dhe Ruth Yuval, të cilët kanë shkruar një libër për pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës dhe luftën në Gaza.
Raportimi publikohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael muajin e ardhshëm, ndërsa sondazhet sugjerojnë se as blloku i Netanyahut dhe as kundërshtarët e tij nuk kanë aktualisht një shumicë të sigurt.
Rivali kryesor i Netanyahut, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, e përdori raportimin për të kritikuar kryeministrin.
“Gjithnjë e më shumë shenja tregojnë se Netanyahu e udhëhoqi verbërisht Izraelin drejt katastrofës së 7 tetorit”, shkroi Eisenkot në X.
Eisenkot, lideri i partisë centriste Yashar, e akuzoi Netanyahun se kishte injoruar dhjetëra paralajmërime dhe deklaroi se ai nuk ishte i përshtatshëm për të shërbyer si kryeministër.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.