Bota

“ISIS-i, më i rrezikshëm se Al Kaeda”

Sulmet e ISIS-it në Paris dhe masakra e San Bernardinos në Kaliforni, e frymëzuar po prej tij, kanë një të përbashkët shqetësuese: askush nuk i parashikoi dot, askujt nuk ia mori mendja se mund të ndodhnin.

Sot, kërcënimi më i madh terrorist për Shtetet e Bashkuara nuk është aspak Al Kaeda. ISIS-i është i pasur, i zhdërvjellët, i sofistikuar “online” dhe vepron lirshëm në një territor të gjerë, të cilin e konsideron të tijin. Preferon ta quajnë Shteti Islamik. Qeveria amerikane e njeh si ISIL. Reporterët e thërrasin ISIS, Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Por pavarësisht emrit të vendosur, ai ka fuqinë njerëzore, mjetet e nevojshme dhe pamëshirshmërinë për të sulmuar Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë të rrallë të tij, njeriu që supozohet të ndalojë një mësymje të tillë, shefi i CIA-s, John Brennan tha në programin 60 minuta të CBS Neës se rreziku që buron nga ky grup i dhunshëm xhihadist është i madh e i shpejtë. A po vjen ISIS-i në Shtetet e Bashkuara, e pyet gazetari Scott Pelley. A prisni një goditje në tokën amerikane? Përgjigja e Brennanit nuk është e drejtpërdrejtë, por lë të kuptohet mes rreshtash se çdo gjë mund të ndodhë.

ISIS-i, thotë shefi i CIA-s, dëshiron që të lërë gjurmën e tij në këtë vend. “Unë pres që të ketë përpjekje për të organizuar njerëzit, për të shpërndarë materiale e për të bërë çdo veprim tjetër që do të nxiste sulmet në tokën tonë. Jam i bindur se kjo është e pashmangshme, por nuk mendoj se i tillë do të jetë domosdoshmërisht edhe suksesi i tyre”, shprehet Brennan.

Nga Pelley mbërrin dhe një seri tjetër pyetjesh mjaft interesante. A ia shpjegoni dot njerëzve që po ndjekin këtë intervistë përse janë kaq të prirur këta persona të na godasin? Përse duan të na vrasin? Si i zgjeron interesat e tyre goditja e Amerikës? Komenti i Brennanit është se ajo çfarë grupi më i egër ekstremist i momentit po përpiqet të arrijë është përplasja e botës perëndimore me atë myslimane.

“Mendojnë se në këtë mënyrë do të fitojnë më shumë ndjekës. Ata pretendojnë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të uzurpojnë vendet e tyre, gjë që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën”, shpjegoi Brennan.

Ai shtoi se ISIS-i ka përdorur në të kaluarën armë kimike dhe se ai vetë beson se grupi terrorist ka aftësinë të prodhojë gazin mustard dhe atë klorin. Brennan tha më tej se nga ngjarjet e Parisit u nxorën disa mësime, një ndër të cilët ishte mënyra tepër e sofistikuar e komunikimeve të koduara në internet, ndaj për parandalimin e episodeve të tilla në të ardhmen do të nevojitet një angazhim maksimal i burimeve njerëzore dhe kapaciteteve teknike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button