Jean Ziegler ishte intelektuali më i njohur zviceran në botë dhe socialisti mbase më i angazhuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës
Sociologu i famshëm zviceran Jean Ziegler, i cili ishte mik me Jean-Paul Sartre, Simone de Beauvoir dhe Che Guevarën, vdiq në Gjenevë në moshën 92-vjeçare.
Një ndër punët e tij ishte edhe kjo: të merrte pjesë në demonstrata të shqiptarëve në Gjenevë për lirinë e Kosovës dhe të mbante fjalime kundër Sllobodan Millosheviqit.
Jean Ziegler ishte përherë i mllefosur. Edhe atë ditë në fund të viteve 1990, kur doli para mijëra shqiptarëve, të cilët ishin mbledhur përballë selisë së OKB-së në Gjenevë, sociologu i famshëm zviceran shfryu tërë zemërimin kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe inkurajoi demonstruesit se liria e Kosovës nuk mund të pengohej.
Xhafer Shatri, një aktivist i ngahershëm për çlirimin e Kosovës, i cili jeton prej dekadash në Gjenevë, e përkujton Zieglerin me këto fjalë: «Në shumë manifestime që janë mbajtur në favor të Kosovës, Jean Ziegler ka marrë pjesë bashkë me ne. Shpesh e ka marrë fjalën dhe na ka mbështetur, pa asnjë ekuivok dhe disa dekada rresht. Ishte mik i vërtetë i Kosovës. Dhe i jemi mirënjohës sa të jetë jeta».
Ziegler ishte majtist, socialist i përbetuar, kritik i globalizmit, figurë shumë e popullarizuar në Afrikë dhe në Amerikën Latine, por, për dallim nga shumë bashkëmendimtarë ideologjikë, ai mbështeti intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 me argumentin se e drejta ndërkombëtare pa mundësinë e sanksionimit është jorelevante.
Jean Ziegler ishte intelektuali më i njohur zviceran në botë. Ai ishte mik me Jean-Paul Sartre, Simone de Beauvoir dhe Che Guevarën. Mbi të gjitha ai ishte kritik i madh i kapitalizmit. Zvicrën e quante një «Disneyland i dominuar nga bankat dhe banditët». Përbuzte «grabitqarët, keqbërësit dhe mashtruesit», si dhe «etjen për fitim» dhe qeveritë perëndimore që financonin «kleptokratët» në Afrikë e gjetiu.
Në një tekst përkujtimor gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkruan: «Jean Ziegler kishte dinjitet, stil dhe hijeshi – dhe humor gjithashtu. Fytyra e tij e rrumbullakët pas syzeve me kornizë të trashë, gjermanishtja e ngrohtë e Bernit dhe madje edhe akcenti i tij zvicerano-gjerman kur fliste frëngjisht, shprehnin ndjeshmëri dhe kënaqësi me vetveten».
Ziegler studioi drejtësi në Bern dhe Gjenevë, por për të Zvicra ishte e ngushtë. Donte të shihte botën. I vazhdoi studimet për sociologji në Paris dhe New York, pastaj filloi të ligjërojë në Gjenevë. U lind më 19 prill 1934 si Hans Ziegler në Thun, një qytet i bukur pranë liqenit me të njëjtin emër në kantonin e Bernit.
Partia e tij Socialdemokrate shkroi në një përkujtim: «Ai ishte një figurë e shquar e së majtës zvicerane dhe përfaqësoi Partinë Socialdemokrate e Zvicrës gjatë shtatë mandateve në Parlamentin Federal në Bern. Gjatë gjithë jetës së tij, ai luftoi pa u lodhur për vlerat e socialdemokracisë dhe të solidaritetit ndërkombëtar».
Në librat e tij të shumta denoncoi padrejtësitë në këtë botë. U angazhua përherë për refugjatë dhe përherë kundër urisë. Në vrull e sipër nganjëherë i ngatërroi faktet dhe u përball me kundërshtarët e tij madje edhe në gjykata. Edhe kur humbte, nuk dorëzohej. Nacionalistët zviceranë e quajtën ndotës të atdheut, por kjo vetëm sa e forconte bindjen e tij se ishte në rrugë të drejtë.
Nuk ishte i pagabueshëm. Shpesh i duhej shumë kohë për t’u distancuar nga disa politikanë, të cilët i shihte vetëm si socialistë, duke injoruar faktin se ishin edhe autokratë. Muamar al-Gadafi i ndau një çmim për të drejtat e njeriut. Ziegler e refuzoi. Korporatat i përçmonte si «kryqtare të kapitalizmit», bankierët si «kapitalistë kazinoje» dhe parajsat fiskale si «shtete të ndyra».
Në Brazzaville, kryeqytetin e Republikës së Kongos, punoi për OKB-në (siç do të punonte edhe më vonë). Ndonëse vendi kishte shumë pasuri, ai pothuajse s’përfitonte asgjë. Pasurinë dhe paratë i grabisnin të pushtetshmit, mes tyre edhe perëndimorët. Në Kongo Ziegler mori këtë vendim: «Nuk dua të jem kurrë më në anën e xhelatëve».
Në shënjestër të tij gati përherë ishte Zvicra, vendi i tij i lindjes. Më saktë: tabelë qitjeje ishin bankat, të cilat, sipas tij, pranonin para nga tregtia me drogë dhe të tjera para nga keqpërdorimet fiskale. Në sytë e tij Zvicra s’ishte e pastër si bora. Ajo vetëm pastronte para më pastër.
Jean Ziegler e jetoi jetën me gëzim – përkundër betejave të tij kundër sferave të zymta. Në librin e tij «Der schmale Grat der Hoffnung» («Krahu i ngushtë i shpresës») shkroi: «Vdekja është skandal! Por ajo i jep edhe jetës veçantinë e saj. Asnjë moment nuk do të kthehet», tha ai në një intervistë me gazetën «Tages-Anzeiger».
Motoja e jetës së tij ndoshta është kjo: «Vetëm revolucionarët e lumtur janë revolucionarë të mirë». Jean Ziegler vdiq më 10 qershor 2026 në Gjenevë./Telegrafi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.