Kërkimet e Shell në Shpirag, vendburim i ri nafte pas 30 vitesh
Është një ditë e shënuar për naftën dhe gazin shqiptar, por edhe për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë. Kështu u shpreh sot, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtorin e Përgjithshëm të Shell Upstream Albania, Rohan D’Souza, lidhur me zbulimin e rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3 në zonën Shpirag të Qarkut Berat, çka është dhe zbulimi i parë i një vendburimi të ri të naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas disa vitesh aktivitetit kërkues dhe vlerësues në Shqipëri, kompania Shell konfirmon potencialin e zbulimit të rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3 zona e Shpiragut, Qarku Berat. Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë pasi mund të jetë zbulimi i parë i naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri”- tha Balluku.
Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë pasi mund të jetë zbulimi i parë i naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Kompania Shell ka qenë shumë këmbëngulës në punimet në pusin Shpirag 4, ku rezultatet e mëparshme kanë konfirmuar cilësinë e naftës së papërpunuar dhe ekzistencën e rezervave të mundshme të naftës.
Gjithashtu rezultatet e fundit konfirmojnë se struktura e rripit naftëmbajtës është me porozitet të lartë, duke e bërë kështu nxjerrjen e naftës më të lehtë dhe rrjedhimisht, më pak të kushtueshme.
Balluku tha se, konfirmimi në pusin Shpirag 4 i jep Shell garanci për të vazhduar punimet dhe investimet në pusin Shpirag 3, me një probabilitet të lartë suksesi, të nevojshëm për përfundimin e programit të vlerësimit.
Ndërsa nënvizoi faktin se, sikurse përcaktohet në marrëveshjen e hidrokarbureve me SHELL, shteti shqiptar përfiton rentë minerare, pjesën e tij të prodhimit, si dhe tatim mbi fitimin që nga fuçia e parë e prodhuar.
“Çfarë është edhe më e rëndësishme, prodhimi nga ky pus do të stimulojë punësimin, do të rrisë furnizimin me naftë të rafinerive vendase, do të inkurajojë krijimin e ekonomive të shkallës në sektorin e downstream dhe do të krijojë standarde më të larta të prodhimit në atë të sektorit upstream. Konfirmimi i këtij zbulimi të rëndësishëm të naftës së lehtë i hap rrugë investimeve të ardhshme në aktivitetet e kërkimit pasi është një tregues i pranisë së rezervave të pa eksploruara të hidrokarbureve deri më tash në Shqipëri”- tha ajo.
Sektori i hidrokarbureve ka qenë gjatë viteve të fundit në qendër të vëmendjes së Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Ministrja theksoi se, sot, investimet private në fushën e kërkim-zbulimit arrijnë në vlerën 1.5 miliardë dollarë ku një vend të rëndësishëm zë kompania SHELL me një të tretën e këtyre investimeve.
Nga ana tjetër, vijoj ajo, jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me kompani të tjera të mëdha dhe prestigjioze që kanë shfaqur interesin e tyre për ushtruar aktivitetin në vendin tonë për kërkim-zbulimi të naftës dhe të gazit dhe ashtu siç dukshëm, në këto momente zbulimi i SHELL do t’i nxisë këto kompani për të përshpejtuar gjithçka që ata kanë në planet e tyre për investimet në Shqipëri në të ardhmen.
“Qeveria Shqiptare do të vijojë të mbështesë, nxisë dhe të mbrojë, me transparencë të plotë, të gjithë iniciativat e rëndësishme dhe të suksesshme të investitorëve të huaj e vendas në Shqipëri, në zbulimin dhe nxjerrjen e naftës dhe të gazit, si e vetmja mënyrë për të kontribuar në një rrije të qëndrueshme ekonomike të vendit” – deklaroi Balluku.
Ndërsa solli në vëmendje të gazetarëve se, ky është një zbulim me të cilin sapo jemi përballur dhe sapo e kemi mësuar kështu që, unë e di që kurioziteti është sesa është numri i fuçive në ditë apo sesa pritet që të ketë ndikim në buxhetin e shtetit.
“Megjithatë tha ajo, duhet të kuptojmë që ne jemi në fazat e para, rëndësi ka që është zbuluar naftë e lehtë që Shqipëria është prodhuese, për ekspertët që kam dhe më konfirmojnë, e naftës së rëndë e cila nuk është shumë e preferuar dhe e kërkuar në tregje dhe zbulimi i kësaj nafte të lehtë ne na bën që të fillojmë dhe të kemi një rëndësi të madhe në tregun e hidrokarbureve botëror përsa i përket tregtimit të tij dhe sigurisht, furnizimi i rafinerive vendase por edhe i të huajave me naftë të lehtë është shumë më i kërkuar dhe më i duhuri.