Kombëtarja kuqezi, një formacion me shumë dilema
Kombëtarja kuqezi ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Lihtenshtejnin dhe, teksa kanë mbetur më pak se 48 orë deri në përballjen që do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, dilemat janë shtuar sa i përkeq formacionit kuqezi.
Natyrisht, dilema më e madhe është sulmi, ku trajneri Kristian Panuçi, ka lënë jashtë, për arsye disiplinore, Sokol Cikalleshin, ndërsa alternativa kryesore, Armando Sadiku, ende nuk është deklaruar i gatshëm për sfidën e së shtunës nga ana e stafit mjekësor. 26-vjeçari mungoi edhe në seancën stërvitore të pasdites së kësaj të enjteje dhe duket se është në garë me kohën, jo vetëm për t’u përmirësuar, por mbi të gjitha për të treguar se është në formë optimale për të luajtur ndaj ekipit që mbyll renditjen në Grupin G të Eliminatoreve të Botërorit 2018. E premtja do të jetë dita që do të vendosë për sulmuesin kuqezi, i cili, në fakt, ka kushtuar gjithçka sa i përket rreshtimit të Kombëtares në fushë.
Në mungesë të Sadikut, alternativë për majën e sulmit janë Llullaku dhe Latifi. Ndërkaq, edhe nga krahët ka pikëpyetje, pasi Odise Roshi dhe Valon Ahmedi synojnë një fanellë titullari nga e djathta, ndërsa Hyka ka si rival Eros Grezdën në të majtën.
Jo vetëm kaq, por trajneri Panuçi ka disa dilema edhe në repartet e tjera, teksa bëhet e qartë se ai do të përballet edhe me ndërrimin e brezave në Kombëtaren kuqezi. Në mbrojtje, për një vend përkrah Mavrajt në qendër, janë në garë Ajeti dhe Gjimshiti ndërsa si një zëvendësues eventual dhe i denjë i kapitenit Agolli vlerësohet i riu Memolla. Kështu ndodh edhe në mesfushë, ku pritet të jenë titullarë Basha dhe Lila, ndërsa për vendin e mbetur në një skemë sulmuese 4-3-3, Kukeli e Memushaj janë në balotazh për vendin e mbetur.
Panuçi u përqendrua sërish në aspektin taktik, duke organizuar një tjetër mini-ndeshje kontrolli brenda grupit, për të përvijuar formacionin titullar, ndonëse ndaj Lihtenshtejnit armiku kryesor mbetet mosnënvlerësimi i kundërshtarit dhe gjetja sa më shpejt e golit.