🌤️
Tiranë 30°C · Kryesisht kthjellët 30 August 2026
S&P 500 7,712 ▼0.25%
DOW 53,560 ▼0.02%
NASDAQ 26,402 ▼0.52%
NAFTA 83.40 ▼0.16%
ARI 4,530 ▼2.88%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1607 EUR/GBP 0.8562 EUR/CHF 0.9375 EUR/ALL 92.2626 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3110 EUR/TRY 55.9565 EUR/JPY 185.55 EUR/CAD 1.6110 EUR/USD 1.1607 EUR/GBP 0.8562 EUR/CHF 0.9375 EUR/ALL 92.2626 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3110 EUR/TRY 55.9565 EUR/JPY 185.55 EUR/CAD 1.6110
₿ CRYPTO
BTC $79,032 ▲ +1.25% ETH $2,507 ▲ +2.32% XRP $1.4158 ▲ +1.81% SOL $106.1500 ▲ +1.28%
S&P 500 7,712 ▼0.25 % DOW 53,560 ▼0.02 % NASDAQ 26,402 ▼0.52 % NAFTA 83.40 ▼0.16 % ARI 4,530 ▼2.88 % S&P 500 7,712 ▼0.25 % DOW 53,560 ▼0.02 % NASDAQ 26,402 ▼0.52 % NAFTA 83.40 ▼0.16 % ARI 4,530 ▼2.88 %
EUR/USD 1.1607 EUR/GBP 0.8562 EUR/CHF 0.9375 EUR/ALL 92.2626 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3110 EUR/TRY 55.9565 EUR/JPY 185.55 EUR/CAD 1.6110 EUR/USD 1.1607 EUR/GBP 0.8562 EUR/CHF 0.9375 EUR/ALL 92.2626 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3110 EUR/TRY 55.9565 EUR/JPY 185.55 EUR/CAD 1.6110
30 Aug 2026
Breaking
Opinion

Kontradikta e Linda Ramës me shkencën dhe diasporën: Nga Athina te dera e mbyllur e Tiranës

Kontradikta e Linda Ramës me shkencën dhe diasporën: Nga Athina

intervistën e saj të fundit për Fortune Greece, Linda Rama flet për disa prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor: largimin e trurit, dobësinë e institucioneve, arsimin, meritokracinë dhe nevojën për ta kthyer diasporën në një aset zhvillimi. Është interesante të shohësh se intervista fillon me profilin e saj profesional, ku theksohet edhe kredenciali shkencor: doktoraturë në Ekonomi. Në intervistë ajo argumenton se njerëzit nuk largohen vetëm për paga, por edhe për shkak të meritokracisë së dobët, burokracisë, mjediseve të varfra kërkimore dhe mungesës së vlerësimit profesional.

Nuk ka asgjë të gabuar këtu. Përkundrazi, një doktoraturë është rezultat i viteve të studimit e kërkimit dhe është krejt normale që të jetë pjesë e identitetit profesional të dikujt. Por pikërisht këtu fillon një kontradiktë që meriton të diskutohet publikisht. Nëse grada shkencore ka rëndësi të mjaftueshme për t’u vendosur në kartëvizitën profesionale përpara një audience ndërkombëtare, atëherë duhet të ketë rëndësi edhe sistemi universitar që prodhon këto grada. Nëse doktoratura e marrë në Universitetin e Tiranës përbën një kredencial me vlerë, është e natyrshme të pyesim: ku ka qenë zëri publik i Linda Ramës për degradimin e shkencës dhe arsimit të lartë shqiptar?

Pyetja nuk shtrohet sepse Linda Rama është bashkëshortja e Kryeministrit. Ajo nuk mban funksion qeveritar dhe nuk ka përgjegjësi institucionale për politikat e arsimit. Por në momentin që zgjedh të hyjë publikisht dhe për më tepër në arenën ndërkombëtare, si ekonomiste dhe doktore shkencash, në debatin për meritokracinë, universitetet, largimin e trurit dhe diasporën, është legjitime që idetë e saj të ballafaqohen me realitetin shqiptar, por dhe te përgjegjësia. Nuk mund të kërkojmë prestigjin që na jep grada shkencore kur prezantohemi jashtë vendit, ndërsa për dobësimin e universitetit dhe vlerën e gradës shkencore brenda vendit të zgjedhim heshtjen.

Shifrat dhe renditjet globale që rrëzojnë iluzionin e Linda Ramës

Edhe treguesit ndërkombëtarë të prezencës universitare tregojnë një hendek të madh me rajonin. Sipas renditjes globale UniRank, Universiteti i Tiranës gjendet në vendin e 3521-të, ndërsa Universiteti i Athinës renditet në vendin e 352-të, Universiteti i Beogradit në 357-të, Universiteti i Zagrebit në 385-të dhe Universiteti i Malit të Zi në 1487-të. Universiteti i Vlorës gjendet në vendin 5013-të, ai i Elbasanit në 6807-të, i Korçës në 8342-të dhe i Shkodrës në 8832-të. Tabloja nuk duket e ndryshme dhe nga sisteme të tjera ndërkombëtare të renditjes së universiteteve. Ky hendek duhet të na bëjë të paktën të pyesim se sa konkurrues është realisht universiteti shqiptar.

Kontradikta e Linda Ramës me shkencën dhe diasporën: Nga Athina

Tabloja bëhet edhe më shqetësuese kur kalojmë te kërkimi. Shqipëria ka 39 institucione të arsimit të lartë, por dukshmëria e tyre kërkimore mbetet e kufizuar. Gjatë gjithë ekzistencës së tyre prej disa dekadash, Universiteti i Tiranës paraqitet me H-index 63, Universiteti Bujqësor me 74 dhe Universiteti Politeknik me 54. Për krahasim ilustrues, një profesor shqiptar i diasporës arrin një H-index mbi 60-100. Diferenca ilustron se sa e papërfillshme mbetet pesha ndërkombëtare e kërkimit të universiteteve tona kryesore.

Edhe më shqetësuese janë të dhënat mbi cilësinë e brendshme dhe integritetin akademik. Tashmë edhe vetë Kryeministri e ka pranuar publikisht se “jemi vendi i plagjiaturës”, ku vlerësohet kopja dhe jo dija për marrjen e gradave shkencore e titujve “Profesor”. Kjo pasqyrohet qartë në realitetin e auditoreve, i cili paraqitet mjaft i rëndë. Sipas studimit të Qëndresës Qytetare të vitit 2025, mbi 50 pedagogë e punonjës universiteti janë marrë nën hetim për korrupsion, haraç për nota e plagjiaturë, por një pjesë e tyre janë rikthyer sërish në mësimdhënie. Sot, gati 90 për qind e studentëve pranojnë se korrupsioni është i pranishëm në universitetet ku studiojnë, ndërsa mbi 53 për qind e tyre besojnë se punësimi i pedagogëve bëhet me mik dhe jo me meritë. Kjo përputhet me të dhënat e anketimit ku 69.8 për qind e studentëve evidentojnë plagjiaturën e përhapur te stafi akademik dhe 73 për qind ngrenë shqetësimin e mungesës së zotërimit të lëndës nga pedagogët, ndërsa studimet akademike tregojnë se 58 për qind e profesorëve në vend nuk kanë asnjë publikim të vetëm në revista me faktor impakti.

Kthimi nga investimi: Çfarë merr shoqëria në këmbim?

Këtu lind edhe një pyetje që Linda Rama, pikërisht si ekonomiste, duhet ta kuptojë më mirë se shumë të tjerë: cili është kthimi nga investimi që Shqipëria bën në universitetet e saj?

Investimi publik në arsim duhet të prodhojë vlerë publike dhe ekonomi të re: diploma që kanë peshë në tregun e punës, kërkim shkencor, projekte europiane, patenta, inovacion, bashkëpunim me industrinë dhe kapital njerëzor që ekonomia arrin ta përdorë e ta mbajë. Shteti financon çdo vit paga pedagogësh, administratë, godina dhe programe studimi. Familjet shqiptare investojnë para, ndërsa studentët investojnë disa prej viteve më të rëndësishme të jetës së tyre. Prandaj pyetja është elementare: çfarë marrim në këmbim?

Nëse një profesor paguhet nga fondet publike për vite me radhë, por nuk prodhon kërkim të verifikueshëm, nuk fiton projekte, nuk krijon bashkëpunime, nuk kontribuon në inovacion dhe nuk ndihmon në rritjen e vlerës së diplomës së universitetit ku punon, atëherë çfarë po financon konkretisht taksapaguesi? Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur shohim performancën e inovacionit. Sipas Indeksit Global të Inovacionit në 2025 (Global Innovation Index 2025 të WIPO-s), Shqipëria renditej e 53-ta në botë për burimet dhe kushtet që ushqejnë inovacionin, por vetëm e 82-ta për rezultatet e inovacionit. Për kapitalin njerëzor dhe kërkimin renditej e 99-ta, ndërsa për krijimin e dijes e 114-ta. WIPO evidenton gjithashtu dobësi të mëdha në bashkëpunimin mes kërkimit publik e industrisë dhe në ndikimin shkencor të dokumenteve të citueshme. Me fjalë të tjera, kemi një problem jo vetëm me sa investojmë, por me aftësinë për ta kthyer investimin në rezultat. Kthimi nga investimi në universitet është studenti që del më i aftë se kur hyri; diploma që njihet për cilësinë e saj; profesori që prodhon dije; laboratori që krijon një teknologji; grupi kërkimor që fiton një projekt europian; bashkëpunimi me industrinë që shndërrohet në produkt apo shërbim. Universiteti publik apo privat nuk duhet të jetë thjesht një institucion që konsumon buxhet dhe shpërndan diploma. Ai duhet të jetë një nga motorët e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Kjo nuk është një thirrje për të ulur financimin e universiteteve. Përkundrazi, Shqipëria duhet të investojë më shumë në shkencë. Por më shumë para pa standarde më të forta mund të prodhojnë vetëm një version më të shtrenjtë të të njëjtit sistem. Financimi duhet të shoqërohet me meritë, konkurrencë, transparencë dhe rezultate. Profesori që boton, fiton projekte, ndërton laboratorë dhe formon studiues të rinj nuk mund të trajtohet njësoj me atë që prej vitesh nuk prodhon rezultate shkencore të verifikueshme. Universiteti publik nuk është zyrë punësimi; është institucion që financohet nga shoqëria për t’i kthyer asaj dije dhe zhvillim.

Diagnoza e saktë e Linda Ramës, por mungon gishti te përgjegjësia e politikëbërjes dhe bashkshortit të saj

Pikërisht këtu intervista e Linda Ramës bëhet edhe më interesante. Ajo e identifikon saktë me diagnozë problemin e diasporës: njerëzit nuk largohen vetëm për paga. Ata largohen edhe për shkak të paparashikueshmërisë, meritokracisë së dobët, burokracisë dhe mjediseve të varfra kërkimore. Madje e thotë qartë se institucionet, shkollat dhe universitetet më të mira janë në vetvete “politikë talenti”. Dakord. Por pikërisht një diagnozë kaq e saktë e bën të pashmangshme pyetjen: kush ka pasur mundësinë institucionale për t’i ndryshuar këto kushte në Shqipëri?

Edi Rama, bashkëshorti i saj, është Kryeministër që prej vitit 2013. Pas më shumë se një dekade qeverisjeje, meritokracia e dobët, burokracia, mjedisi i varfër kërkimor dhe pamundësia për të tërhequr trurin shqiptar nuk mund të përshkruhen pafundësisht vetëm si probleme strukturore të rajonit. Në një moment ato bëhen edhe bilanc qeverisës: rezultat i reformave të bëra, i reformave që kanë dështuar dhe i atyre që nuk janë ndërmarrë kurrë. Linda Rama nuk është përgjegjëse për vendimet e qeverisë së bashkëshortit të saj. Por është e vështirë të mos shohësh kontradiktën kur problemet e meritokracisë, universitetit dhe largimit të trurit përshkruhen me kaq qartësi për një audiencë ndërkombëtare, ndërsa mungon e njëjta forcë kritike ndaj rezultateve konkrete në Shqipëri.

Ndërtimi i mekanizmave realë për Diasporën

Sepse diaspora nuk kthehet me retorikë. Një shkencëtar shqiptar në Berlin, Londër, Boston apo Zyrih nuk vendos tërikthehet sepse dëgjon se diaspora është “aset strategjik”. Ai pyet nëse diploma dhe eksperienca do t’i njihen shpejt, nëse do të konkurrojë realisht për një pozicion, nëse do të ketë financim e infrastrukturë për kërkim dhe nëse karriera e tij do të përcaktohet nga rezultatet. Sot kthimi përballet me pengesa konkrete. Njohja e diplomave dhe titujve të huaj zgjat shpesh me vite, duke i çuar kërkuesit deri në dyert e gjykatave, ndërsa mungojnë stimujt e strukturuar financiarë dhe administrativë për integrimin e studiuesve të diasporës në universitet dhe inovacion.

Në vend që t’i kërkojmë diasporës thjesht të “kthehet” dhe ti përdorim për retorike politike sa herë ka nevojë qeveria dhe klasa politike, duhet të ndërtojmë një sistem ku kthimi ka kuptim. Zgjidhjet nuk janë të komplikuara, mjafton vullneti politik: konkurse të hapura ndërkombëtare, bursa rikthimi, paketa kërkimore, njohje e shpejtë e kredencialeve dhe emërime të përbashkëta (joint appointments) që u lejojnë studiuesve shqiptarë të mbajnë lidhjen me universitetet europiane ndërsa kontribuojnë edhe në Shqipëri. Kthimi mund të jetë i plotë, i pjesshëm ose qarkullues. Ajo që ka rëndësi është që sistemi të arrijë ta tërheqë, integrojë dhe mbajë talentin.

Në fund, çështja nuk është doktoratura e Linda Ramës. Çështja është se çfarë vlere i japim doktoraturës, profesorit dhe universitetit në Shqipëri. Nëse titulli “Doktor i Shkencave” është një kredencial që e perdorim për ti dhënë vlerë vetes kur prezantohemi në botë, atëherë shkenca duhet të jetë një vlerë që e mbrojmë edhe në Tiranë. Nëse diaspora është kapital kombëtar, duhet të ndërtojmë institucionet që e bëjnë këtë kapital të kontribuojë. Dhe nëse meritokracia është përgjigjja ndaj largimit të trurit, ajo duhet të fillojë pikërisht aty ku një vend prodhon dhe duhet të mbajë mendjet e tij më të mira: në universitet.

Shqipërisë nuk i mungojnë talentet. Shumë prej tyre janë tashmë në universitetet dhe qendrat kërkimore më të mira të botës. Nuk i mungojnë as universitetet, profesorët apo titujt akademikë. Ajo që i mungon është kthimi nga investimi: një sistem që ta shndërrojë paranë publike në dije, dijen në inovacion, inovacionin në zhvillim dhe meritën në mundësi. Dhe kjo, përpara se të jetë një çështje politike, është një pyetje që çdo ekonomist duhet të jetë i gatshëm ta bëjë.

Shpërndaje te miqtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.