Korrupsioni si sistem: Kur problemi nuk janë individët, por vetë shteti
Nga Prof. Dr. Pal Nikolli
Në debatin publik shqiptar, korrupsioni shpesh paraqitet si rezultat i sjelljes së disa zyrtarëve të pandershëm. Çdo arrestim, çdo hetim apo çdo skandal i ri trajtohet si një rast i izoluar, sikur problemi të qëndrojë tek individi dhe jo tek sistemi që e prodhon dhe e riprodhon atë. Por raporti më i fundit i Komitetit Shqiptar të Helsinkit sjell një konstatim shumë më të rëndë: korrupsioni në Shqipëri është një fenomen strukturor. Ky përfundim duhet të shqetësojë çdo qytetar. Sepse një korrupsion strukturor nuk luftohet vetëm me arrestime spektakolare, konferenca shtypi apo reforma të pjesshme.
Ai kërkon transformim të kulturës institucionale dhe të mënyrës se si ushtrohet pushteti. Kur qytetarët përballen me procedura të ndërlikuara, me mungesë informacioni, me vonesa të pajustifikuara dhe me trajtim të pabarabartë, krijohet terreni ideal për korrupsionin. Në këto kushte, ryshfeti nuk shfaqet si përjashtim, por si rruga më e shpejtë për të marrë një shërbim që duhej të ishte garantuar me ligj. Veçanërisht shqetësuese janë gjetjet për sistemin e drejtësisë. Një shtet demokratik mbështetet mbi besimin se drejtësia është e paanshme dhe e barabartë për të gjithë.
Por kur qytetarët krijojnë bindjen se lidhjet politike, klientelizmi apo favorizimet ndikojnë në vendimmarrje, atëherë nuk cenohet vetëm drejtësia; cenohet vetë legjitimiteti i shtetit. Drejtësia që perceptohet si selektive nuk prodhon besim, por cinizëm dhe mosbesim ndaj institucioneve. Po aq alarmante është edhe panorama në administratë, shëndetësi dhe punësimin publik. Kur vendet e punës shihen si privilegj politik, kur shërbimet shëndetësore kushtëzohen nga pagesa informale dhe kur qytetari ndihet i pafuqishëm përballë burokracisë, atëherë korrupsioni shndërrohet në normë sociale.
Dhe normat sociale janë shumë më të vështira për t’u ndryshuar sesa ligjet. Ndoshta treguesi më domethënës i raportit është fakti se vetëm një pakicë e qytetarëve raportojnë përvoja vazhdimisht pozitive me institucionet publike. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm ekonomik apo juridik; ai është thellësisht moral dhe politik. Kur besimi te shteti bie, qytetari fillon të kërkojë zgjidhje jashtë institucioneve, duke forcuar edhe më tej rrjetet informale të ndikimit dhe favorizimit. Për këtë arsye, rekomandimi për kalimin nga një qasje thjesht ndëshkuese në një qasje parandaluese meriton vëmendje të veçantë.
Një shtet modern nuk matet vetëm nga aftësia për të dënuar korrupsionin pasi ai ndodh, por nga aftësia për të krijuar mekanizma që e bëjnë atë të vështirë dhe të kushtueshëm për t’u realizuar. Shqipëria ka kaluar dekada duke shpallur luftë kundër korrupsionit. Megjithatë, raport pas raporti, indekse pas indeksi dhe skandal pas skandali tregojnë se beteja nuk mund të fitohet duke trajtuar simptomat. Sëmundja është më e thellë.
Ajo lidhet me mënyrën se si organizohet pushteti, si funksionojnë institucionet dhe si ndërtohet marrëdhënia mes shtetit dhe qytetarit. Prandaj pyetja thelbësore nuk është më sa zyrtarë do të hetohen apo sa dosje do të hapen. Pyetja është nëse Shqipëria do të ketë vullnetin për të reformuar strukturat që prodhojnë korrupsionin. Sepse vetëm atëherë korrupsioni do të pushojë së qeni një sistem dhe do të kthehet në atë që duhet të jetë në një shtet demokratik: një përjashtim që ndëshkohet, jo një rregull që tolerohet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.