☀️
Tiranë 20°C · Kthjellët 19 August 2026
S&P 500 7,692 ▼0.69%
DOW 53,343 ▼0.22%
NASDAQ 26,290 ▼1.33%
NAFTA 84.92 ▲1.02%
ARI 4,410 ▼0.24%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079 EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079
₿ CRYPTO
BTC $64,386 ▲ +0.41% ETH $1,909 ▲ +0.81% XRP $0.9986 ▲ +0.62% SOL $76.7900 ▲ +1.93%
S&P 500 7,692 ▼0.69 % DOW 53,343 ▼0.22 % NASDAQ 26,290 ▼1.33 % NAFTA 84.92 ▲1.02 % ARI 4,410 ▼0.24 % S&P 500 7,692 ▼0.69 % DOW 53,343 ▼0.22 % NASDAQ 26,290 ▼1.33 % NAFTA 84.92 ▲1.02 % ARI 4,410 ▼0.24 %
EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079 EUR/USD 1.1576 EUR/GBP 0.8554 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.7656 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3640 EUR/TRY 55.4769 EUR/JPY 184.75 EUR/CAD 1.6079
19 Aug 2026
Breaking
Opinion

AKSHI, në vend që t’i vërë vetulla, i nxjerr edhe sytë propagandës

Nga THOMA GËLLÇI

Sqarimi i publikuar në Facebook nga e-Albania me titullin “Sqarim lidhur me pasaktësitë e publikuara mbi funksionimin e Diellës” ka një efekt interesant. Në përpjekje për të korrigjuar ato që i quan pasaktësi teknike të publikuara për Diellën, e-Albania përfundon duke korrigjuar, të paktën teknikisht, mënyrën se si vetë kryeministri e ka paraqitur publikisht këtë sistem.

Sepse Diella nuk u prezantua fillimisht vetëm si një asistent dixhital që ndihmon qytetarët në përdorimin e e-Albania. Ajo u paraqit si një lloj entiteti politik, deri në pikën që iu dha edhe titulli “ministre”. Bile e vune te fliste edhe ne Kuvendin e Shqiperise duke e tejkaluar cdo nivel te shakase.

Tani e-Albania na shpjegon se gjërat janë shumë më normale.

Sipas sqarimit, ajo që qytetari sheh në ekran nuk është i gjithë sistemi. Frontend-i nuk është backend-i. Çelësat e sigurisë nuk mund të jenë publikë. Proceset zhvillohen në shtresat e brendshme të sistemit dhe avatari nuk është ai që përpunon dokumentet apo kryen vetë veprimet administrative.

Këto janë shpjegime krejt normale teknike. Askush që njeh sadopak mënyrën si ndërtohen aplikacionet moderne nuk pret që çelësat e sigurisë të varen publikisht në faqen e internetit.

Por pikërisht këtu qëndron ironia.

e-Albania thotë se po korrigjon pasaktësitë e publikuara nga ekspertë dhe komentues të ndryshëm. Ndërkohë, pjesa më e rëndësishme e sqarimit duket sikur korrigjon pasaktësinë më të madhe të krijuar rreth Diellës: idenë se kemi përpara një lloj “ministreje” me ekzistencë dhe veprimtari autonome.

Nga vetë shpjegimi teknik del se kemi të bëjmë me një aplikacion dixhital, me frontend, backend, integrime, sisteme të tjera mbështetëse dhe mbikëqyrje njerëzore. Pra, kemi të bëjmë me software.

Diella përdor modele të inteligjencës artificiale të ofruara përmes Microsoft Azure, përfshirë teknologjinë e OpenAI. AKSHI dhe e-Albania ndërtojnë mënyrën se si këto mjete lidhen me shërbimet e administratës shqiptare dhe si përdoren nga qytetarët. Nuk kemi të bëjmë me një model të ri shqiptar të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga zero.

Kjo nuk e ul aspak vlerën e sistemit. Integrimi i inteligjencës artificiale me shërbimet publike është shumë i dobishëm. Ai kursen kohë, të thjeshton procedurat dhe i ndihmon qytetarët të gjejnë më shpejt shërbimin që kërkojnë. Por një aplikacion mund të jetë i dobishëm edhe pa u bërë qesharak, pra pa u emëruar ministër.

Mund të veprohej siç veprohet kudo në botë.

Estonia ka zhvilluar “Bürokratt”, një sistem asistentësh dixhitalë që ndihmojnë qytetarët të komunikojnë me administratën dhe të marrin shërbime. Askush nuk e ka emëruar Bürokratt-in ministër.

Në Francë, inteligjenca artificiale përdoret nga administrata tatimore për analizimin e të dhënave dhe identifikimin e pasurive apo ndërtimeve të padeklaruara. Algoritmi nuk ka marrë asnjë post qeveritar dhe presidenti francez nuk ka thënë se algoritmi është me barrë.

Në Britaninë e Madhe, inteligjenca artificiale përdoret në sistemin shëndetësor për analizimin e imazheve mjekësore dhe ndihmën në diagnostikim. As aty nuk është menduar këtë program kompjuterik ta emërojnë as drejtor spitali dhe jo më ministër shteti.

Mund të sjell edhe shumë shembuj të tjerë nga vende që kanë zhvilluar modelet e tyre të inteligjencës artificiale, si SHBA, Kina apo Rusia, por në asnjë prej këtyre vendeve nuk ka shpallur ndonjë model si anëtar kabineti. Kjo për arsyen e vetme sepse komedinë ua kanë lënë ta bëjnë komedianët.

Në gjithë botën parimi është shumë i thjeshtë: sistemet kompjuterike ndihmojnë, administrata vepron dhe njeriu mban përgjegjësi.

Në Shqipëri, Diella bëri edhe  karrierë politike.

Prandaj sqarimi i e-Albania është më interesant nga sa mund të duket në pamje të parë. Institucioni kërkon të sqarojë publikun se si funksionon teknikisht sistemi, por duke e bërë këtë e kthen Diellën në përmasat e saj reale.

Kur e-Albania shpjegon se avatari nuk është sistemi që përpunon të dhënat, se funksionet kryhen në backend dhe se proceset varen nga infrastruktura dhe integrimet e tjera, atëherë bëhet e qartë se kemi të bëjmë me një arkitekturë normale software.

Nuk ka asgjë problematike këtu. Problemi është se publikut nuk iu prezantua fillimisht vetëm kjo arkitekturë normale software. Publikut iu prezantua “ministrja”.

Tani del e-Albania dhe, me shumë seriozitet teknik, na shpjegon se Diella ka frontend, backend, shtresa sigurie, integrime dhe procese të kontrolluara. Mirë që na e sqaroi. Vetëm se tani lind një pyetje tjetër shumë më e thjeshtë: nëse Diella është ajo që përshkruhet në këtë sqarim, çfarë ishte saktësisht ajo që u emërua ministre?

Këtu propaganda hyn në vështirësi me teknologjinë.

Teknologjia ka nevojë për përkufizime të sakta. Duhet të thuash çfarë bën sistemi, cilat janë kufijtë e tij, çfarë modelesh përdor, me çfarë sistemesh komunikon dhe kush mban përgjegjësi për rezultatet. Ndersa propaganda ka më shumë liri. Ajo mund t’i japë edhe post qeveritar një avatari.

Prandaj e-Albania, ndoshta pa e pasur këtë qëllim, ka bërë një shërbim të dobishëm publik. Ka shpjeguar se Diella është një sistem teknologjik që përdor modele të inteligjencës artificiale përmes Microsoft Azure dhe që funksionon përmes integrimit me infrastrukturën e administratës shqiptare.

Ky është edhe përshkrimi që duhej të ishte përdorur që në fillim. Atëherë debati do të përqendrohej te gjërat që kanë vërtet rëndësi: A funksionon sistemi? Sa kushton? Çfarë të dhënash përpunon? Ku ruhen ato? Kush kontrollon mënyrën si funksionon? Kush verifikon përgjigjet? Kush mban përgjegjësi kur jep informacion të gabuar? Çfarë pjese të teknologjisë kontrollon vetë shteti shqiptar dhe çfarë pjese varet nga Microsoft Azure dhe shërbimet e tjera të jashtme?Këto janë pyetje normale për një sistem publik të inteligjencës artificiale. Në vend të tyre, habitëm botën duke diskutuar për “ministren AI”.

Dhe tani kemi arritur në një situatë paksa komike: kryeministri na prezantoi një ministre, ndërsa e-Albania del në Facebook dhe na shpjegon backend-in e saj. Në këtë kuptim, “Sqarimi lidhur me pasaktësitë e publikuara mbi funksionimin e Diellës” ka një vlerë që ndoshta autorët e tij nuk e kishin parashikuar: Ai nuk sqaron kritikët. Ai sqaron propagandën.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.