Kosova, 11 vjet e pavarur/ Haradinaj: Ta përmbyllim vitin me marrëveshje me Serbinë
Qeveria e Kosovës ka nisur aktivitetet në shënim të përvjetorit të njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës me mbledhjen e saj solemne të drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.
“Pavarësia jeton në ne dhe me ne dhe për Pavarësinë të gjithë kemi rrëfimin tonë”, tha ai duke shprehur konsideratën dhe vlerësimin më të lartë për përvjetorin e shënimit të ngjarjes më të madhe të Kosovës dhe popullit të saj.
“Në këtë ditë do të shprehim gjithë falënderimin tonë për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi. Me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që i kanë dalë para Kosovës, para Qeverisë, dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit. Ka shumë vendime, shumë ligje, reforma, vendime të mëdha sikurse ishte ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën, me resurset tjera ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.
Duke folur për fillimin e dekadës së dytë të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj shtoi se janë edhe më të vendosur që të ecin rrugës së konsolidimit të shtetit dhe stabilitetit të tij dhe se synojnë që në këtë vit vendimtar ta përmbyllin edhe dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke të vendeve tona, dhe të vazhdojnë në procesin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Gjatë rrugëtimin tonë kemi hasur në sfida, jemi në sfida, do të sfidohemi në të ardhmen, por bindja ime është që Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, por vetëm hapa para dhe këtë do t’ua kërkojmë dhe do t’ua shpjegojmë miqve tanë se hapat prapa e dobësojnë Kosovën, e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, tha kryeministri Haradinaj.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët e vendit për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë. Gjithashtu, urimin e tij kryeministri e ka drejtuar edhe për të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, të prirë nga SHBA-ja, me shprehje të falënderimit dhe përkushtimit për të vazhduar rrugëtimin drejt progresit, lirisë, dhe mirëqenies së qytetarëve.
Pas mbledhjes, kabineti qeveritar ka vazhduar me aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, fillimisht me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, me nderimet të shtatorja e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe me nderimin te pllaka përkujtimore për të zhdukurit.
Kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar ka vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe ka bërë nderime të varrezat e të rënëve, duke rikujtuar se sakrifica dhe lufta e shenjtë e UÇK-së ishin themeli i Pavarësisë dhe lirisë së Kosovës.