Ekonomia

Kreditë me probleme, gjysma e 35 korporatave në faliment të pashmangshëm

keqPas një analizë që bankat tregtare kanë bërë me asistencën e Bankës Botërore dhe konsultën e Bankës së Shqipërisë është arritur në përfundimin se gjysma e 35 kompanive të mëdha që zotërojnë 65% të portofolit të kredive me probleme do të nënshtrohen procedurës së falimentit.

Sipas planit, që ka siguruar Monitor, pasi drafti i falimentit të ketë kaluar Kuvendin, bankat tregtare në vend do të mblidhen së bashku ketë vjeshtë për të analizuar bilancet e kompanive dhe borxhet që ato kanë. Duke qenë se, disa prej kompanive kanë kredi të pakthyera jo në një, por në shumë banka, plani sugjeron ristrukturimin ndërmjet bankave dhe kredimarrëseve për të gjetur një zgjidhje, por duket se falimenti për 50% të këtyre korporatave është i pashmangshëm, pasi nga analiza e deritanishme kanë rezultuar raste pa asnjë shpresë.

Për kompanitë pjesërisht të shëndetshme, rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.

Pak kohë më parë, Monitor mësoi nga burimet konfidenciale në Bankën e Shqipërisë se pjesa më e madhe e kredive të humbura ose në rrezik serioz arkëtimi nga bankat zotërohen nga rreth 80 kompani dhe korporata të mëdha, të cilat mbartin 80% të portofolit të kredive me probleme, ndërsa vetëm 35 grupe ndajnë 65% të portofolit të kredisë së pakthyeshme.

Kompanitë me moskthimin e kredive, që po mbajnë peng të gjithë zhvillimin e ekonomisë, janë pjesa më e vështirë e shtruar për zgjidhje.

Por duket se, me këtë pjesë po merret posaçërisht Banka Botërore, e cila, siç mësohet, ka marrë në skaner një nga një të debitorët e mëdhenj.

 Si falimentojnë biznesët me ligjin e ri

Drafti i ri i falimentit përcakton se, nëse një subjekt juridik bëhet i paaftë për të paguar, ose është i mbingarkuar në borxhe, atëherë përfaqësuesit e tij ligjorë, duhet të paraqesin një kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit, jo më vonë sesa 21 ditë nga momenti që ka ndodhur kjo gjendje. Në rastin e një shoqërie të thjeshtë, ku asnjë nga ortakët nuk është person fizik, këtë detyrim e kanë përfaqësuesit ligjor të ortakëve, të autorizuar për të prezantuar përfaqësuar shoqërinë dhe likuidatorët.

Pak a shumë kjo procedurë është e vlefshme edhe për shoqëritë më të thjeshta. Ortakët ose aksionerët e shoqërive nëse kanë dijeni për paaftësinë paguese të shoqërisë, kanë të drejtën të paraqesin kërkesë për hapjen e procedurës së procedurës së falimentit.

Gjykata e falimentimit e pranon kërkesën e kreditorit nëse kreditori provon që debitori është në gjendje paaftësie paguese. Paaftësia paguese prezumohet nëse kreditori ka dështuar në ekzekutimin e detyrimit në një procedurë të ekzekutimit të detyrueshëm në periudhën e ekzekutimit vullnetar sipas Kodit të Procedurës Civile.

Derisa gjykata e falimentimit të marrë vendim për kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit, ajo vendos mbi pasuritë e debitorit çdo lloj mase që e gjykon të nevojshme për të shmangur përkeqësimin e gjendjes financiare të debitorit në dëm të kreditorëve.

Kur një kontratë, në kohën e fillimit të procedurës së falimentimit, nuk është zbatuar plotësisht, si nga debitori ashtu edhe nga pala tjetër, administratori i falimentimit mund ta zbatojë këtë kontratë.

 Inventari i falimentit dhe shpërndarja

Projektligji i ri ngarkon administratorin e falimentimit të përgatisë një inventar të të gjithë pasurisë që përbën masën e falimentimit. Debitori merr pjesë në hartimin e këtij inventari nëse pjesëmarrja e tij nuk krijon vonesa të dëmshme për procedurën e falimentimit. Vlera e çdo sendi duhet të jetë e përcaktuar. Në rast se vlera e sendit varet nga fakti nëse veprimtaria e debitorit do të vazhdojë ose do të mbyllet, paraqiten të dyja vlerat alternative përkatëse. Për përcaktimin e vlerës së sendeve, vlerësimi i të cilave paraqet vështirësi, mund të caktohet një ekspert. Me kërkesë të arsyetuar të administratorit të falimentimit, gjykata e falimentimit ose komiteti i kreditorëve nëse është caktuar, mund të shtyjë kryerjen e inventarit.

Administratori i falimentimit harton listën e të gjithë kreditorëve të debitorit, të cilët janë bërë të njohur nga librat e dokumentet e punës së debitorit, nëpërmjet njoftimit prej debitorit, me kërkesën e tyre ose me ndonjë mënyrë tjetër.

Lista e kreditorëve, me të drejtë ripagimi të veçantë dhe e çdo kategorie të rangjeve më të ulëta të kreditorëve të falimentimit duhet të paraqitet e ndarë. Për çdo kreditor shënohet adresa, arsyeja dhe shuma e pretenduar. Gjithashtu lista duhet të tregojë gjendjen që mundëson kompensimin e ndërsjellë të pretendimeve dhe shumën e detyrimeve ndaj masës së falimentimit në rastin e një shitjeje të shpejtë të pasurisë së debitorit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button