Kryeprokurori Llalla: Persona të administratës të përfshirë në ngjarje kriminale
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar sot se ka dyshime qe persona te administrates shteterore te jene te perfshire ne ngajrjet kriminale te fillim vitit 2015. Në një takim të zhvilluar sot, Llalla tha se ndryshimet qe ai prezantoi ne Prokurorine e Krimeve te Renda, jane bere per t’i dhene nje impuls më të fuqishëm hetimeve qe po behen aty.
Ja deklarata e plotë:
Pas disa hetimeve të suksesshme nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën.
Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 04.03.2015) me stafin e Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Llalla u shpreh se, në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore.
Për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj, të cilat, në vlerësimin e tij janë dëshmi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe me mbështetjen konkrete të partnerëve ndërkombëtarë, po angazhohet maksimalisht për të evidentuar, hetuar dhe dërguar para drejtësisë çdo shtetas, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta.
Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Eugen Beçi, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion z. Adnan Xholi, i cili aktualisht është Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Z. Beçi komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkese të theksuar hetimore. Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda.