Sporti

Kukësi përgatit 100 mijë euro për sulmuesin e Kombëtares

Azdren Llullaku është objektivi madhor i Kukësit për të fuqizuar sulmin, duke harruar sa më shpejt golashënuesin më të mirë të sezonit të fundit, Arturo Rexhinaldo.

“Panorama Sport” zbuloi dy ditë më parë se drejtuesit verilindorë kishin shprehur hapur interesimin për lojtarin e Kombëtares shqiptare, i cili tashmë është i lirë në treg, pasi ka prishur marrëveshjen me rumunët e Astra Giurgiu.

Mirëpo, në lojë për Llullakun është edhe Partizani, kështu që në këtë moment sulmuesi i lindur në Istog nuk kërkon të nxitohet, duke pritur ofertën më të mirë. “Është një ekip shumë i mirë. Normalisht që dëshira të luaj në Champions është e madhe”, deklaroi Llullaku për Partizanin. Ndërsa një ditë më pas nuk mohoi as lajmin për Kukësin.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për ekipin kampion, Partizanin, por edhe për Kukësin. Natyrisht, gjithçka do të varet nga ofertat financiare dhe kushtet e tjera, por kemi ende kohë për të vendosur”, theksoi sulmuesi. Gazeta zbulon se Kukësi i ka ofruar Llullakut 100 mijë euro në sezon, pa përfshirë bonuset. Presidenti Safet Gjici kërkon të bëjë një sakrificë financiare pikërisht për një lojtar, nga i cili pritet të bëjë diferencën.

Nuk dihet nëse oferta e Kukësit është më e lartë se e Partizanit, por gjithsesi tashmë gjithçka mbetet në dorë të vetë lojtarit për të zgjedhur. Duke qenë një prej sulmuesve të afirmuar në Rumani në gjashtë sezonet e fundit, ofertat për kosovarin nuk mungojnë edhe nga vende të tjera. Megjithatë, te Kukësi besojnë se do të zgjedhë ata përpara Partizanit, paçka se Llullaku ka thënë se e josh Champions-i.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button