Kundërshtari nuk përjashtohet, por mposhtet në zgjedhje
Nga Altin Ketro
Një nga thirrjet kryesore në protestën qytetare në Tiranë është largimi nga politika i kryeministrit Edi Rama dhe i liderit të opozitës, Sali Berisha. Që ka qytetarë që refuzojnë të dy liderët, kjo nuk diskutohet. Megjithatë, forma se si kërkohet ky largim nuk është e duhura.
Kryeministri Rama ka treguar se është i suksesshëm në udhëheqjen e betejave elektorale, duke e mbajtur partinë e tij në pushtet për katër mandate rresht. Nga ana tjetër, Sali Berisha është po aq i suksesshëm brenda spektrit të tij opozitar. Ai e ka treguar forcën duke garuar në zgjedhje edhe pa siglën zyrtare të Partisë Demokratike, duke marrë mbështetje të konsiderueshme përtej strukturës formale të partisë. Në këtë kuptim, ai shkon përtej vetë vulës së PD-së.
Ndikimi i tij në elektorat, sado i debatueshëm, nuk mund të mohohet. Shqetësimi nëse Berisha duhet apo jo të jetë në krye të PD-së shpesh nuk lidhet me parime demokratike, por me vështirësinë për ta sfiduar atë në terrenin politik. Prandaj, kërkesa për të lëshuar PD-në nuk vlen në raport me kërkesën që të largohet vullnetarisht nga politika. Sepse, për Sali Berishën nuk ka fare rëndësi sigla. Ai është vetë i tillë.
Nëse largohemi nga realiteti shqiptar dhe shohim Hungarinë, kuptojmë se ekziston edhe një rrugë tjetër politike. Viktor Orban kishte ndërtuar një dominim të fortë politik përmes partisë së tij dhe një sistemi zgjedhor të favorshëm për pushtetin. Megjithatë, sfida ndaj tij nuk erdhi nga kërkesa për largimin e tij nga politika, por nga krijimi i një alternative të re. Peter Magyar, ish-bashkëpunëtor i tij, krijoi një lëvizje të re politike dhe arriti që brenda 2 viteve ta sfidojë në zgjedhje, duke fituar mbështetje të gjerë pa u bërë pjesë e strukturave të vjetra opozitare. Sepse ndryshimi nuk vjen duke kërkuar hapësirë brenda partive ekzistuese, por duke bindur drejtpërdrejt elektoratin.
Problemi që shfaqet shpesh në politikën shqiptare është se shumë prej atyre që kërkojnë ndryshim, qoftë nga protesta apo nga parti të vogla ekzistuese, nuk arrijnë të bëhen subjekte me ndikim real në elektorat. Atyre u mungon pesha politike për të krijuar besim masiv dhe për të konkurruar seriozisht me dy forcat e mëdha. Shumica e partive të vogla identifikohen fort me liderin që i drejton dhe pa të humbasin strukturë dhe identitet politik. Në momentin që mungon ai lider, ato shpesh dobësohen ose shpërbëhen, sepse nuk kanë ndërtuar ende një organizim të qëndrueshëm dhe rrënjë të forta në terren.
Historia e këtyre viteve tregon se është shumë e vështirë të krijosh një alternativë të besueshme. Edhe një forcë politike që për një periudhë arriti të luante rolin e “king maker”-it në politikën shqiptare, u shpërbë për shkak të përplasjeve të brendshme dhe pamundësisë për të tejkaluar interesat personale të drejtuesve burrë e grua. Kur edhe ajo parti nuk arriti të mbijetojë, është edhe më e vështirë për grupime të reja e të fragmentuara të krijojnë stabilitet afatgjatë.
Në këto kushte, kërkimi i largimit të Ramës është një betejë e humbur, sepse vendimin për të e marrin vetë socialistët. Po ashtu, edhe largimi i Berishës është një betejë e humbur, sepse vendimin për të e marrin demokratët dhe vetë ai. Kushdo që kërkon largimin e tyre apo ndryshimin e dy partive të mëdha nga jashtë, duhet të bëhet faktor real në elektorat dhe t’i mundë në garë. Çdo model tjetër mbetet zëvendësim i konkurrencës demokratike me presion politik.
Nëse do ta krahasonim me sportin, Paris Saint-Germain është skuadra që duhet mposhtur në fushë për të fituar Champions League, jo skuadra që duhet përjashtuar nga gara sepse të tjerët ndihen të pafuqishëm përballë saj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.