“Kush do Drejtësinë duhet të mbështesë sot pa ekuivok PS-në”/ Çmontuam koorporatën antishtet të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste se “kush do Drejtësinë nesër, duhet të mbështesë sot pa ekuivok Partinë Socialiste”.
“Ne kemi vendosur një raport të ri me drejtësinë, jo thjesht sistemin e drejtësisë, por me drejtësinë në sensin e thjeshtë dhe bazik të së drejtës. Këtë mendoj se ne duhet ta bëjmë pjesë të të gjithë bashkëbisedimit me shqiptarët, nga sot deri kur të bjeri gongu i vrapimit në sprint drejt 25 prillit”, tha Rama.
Ai theksoi se “sot drejtësia është një kantier ku punohet, ku ka plot akoma rrëmujë, ku ka plot pisllëk, ku ka plot ende për të përfunduar, por ku për herë të parë qysh nga ndryshimi i sistemit, janë vendosur themelet e një sistemi drejtësie që do t’u japë mundësinë fëmijëve tanë që nesër të mos e pësojnë si ata që ishin fëmijë ose lindën në vitin ’90 dhe sot janë bërë burra e gra dhe nuk e kanë një sistem drejtësie të drejtë”.
Rama theksoi se “për të ngritur një sistem drejtësie të drejtë, nuk mjafton as vullneti, as vizioni, as ligjvënia, por duhet shumë më tepër se kaq, duhet kohë”.
“Sistemet e drejtësisë që ne i referohemi të vendeve të tjera nuk do të harrojmë asnjëherë që janë ngritur jo kur ne nuk kishim lindur akoma, por kur edhe ata që na kanë bërë kokën nuk kishin lindur akoma. Falë faktit se jemi sot në një sfidë ku nuk jemi vetëm dhe kemi fuqinë e madhe tërheqëse të BE-së si destinacion, do kapërcejmë kohën e disa gjeneratave për të arritur që brenda një dekade të kemi drejtësinë që të tjerë e kanë ngritur me dekada të tëra”, tha Rama.
“Përtej sistemit të drejtësisë ku njerëzit kanë shumë të drejtë, edhe unë njësoj si ata, të thonë dhe themi ku është drejtësia sot, patjetër që drejtësia sot nuk është ende aty ku ne e presim në pozicion, është thjesht një ferishte që po përpëlitet akoma në pelenat e përgjakura të një lindje shumë të vështirë, por kush tjetër mund ta bënte atë që ne e mundësuam? Kush e mendonte se do vinte dita në Shqipëri kur koorporata më e madhe antishtet fitimprurëse, nën kostumin e shtetit në paprekshmërinë e vetë e gjykatësve dhe e prokurorëve të korruptuar do të çmontohej dhe një pastrim kaq masiv do të materializohej para syve tanë? Askujt”, tha Rama.
Ai theksoi se “kjo është një arsye qoftë dhe e vetme për të kuptuar se kush do drejtësinë nesër, duhet të mbështesë sot pa ekuivok Partinë Socialiste”. “Mjafton të dëgjoni Saliun, Monën, Lulin për të kuptuar se me ne në krye ka shumë vështirësi, por nesër do të ketë drejtësi. Me ata në krye ka vetëm vështirësi, por kurrë nuk ka për të pasur drejtësi”, tha ai.