Kush janë 7 diplomatët që Glauk Konjufca i do jashtë shërbimit diplomatik
Muajin që shkoi, kryediplomati Glauk Konjufca shkarkoi 14 konsuj. Të martën, ai kërkoi tërheqjen e shtatë ambasadorëve përfshirë edhe Vlora Çitakun, e cila është e akredituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 2015. Por, kush janë 6 diplomatët tjerë, disa prej të cilëve në ambasadat ku punojnë kanë edhe familjarë.
Emri i parë që Ministri Konjufca do ta largojë nga detyra është ambasadorja e Kosovës në Uashington, e cila qe gati 5 vjet flet në emër të Kosovës edhe në mbledhjet e Këshillit e Sigurimit të Kombeve e Bashkuara kur aty diskutohet raporti i shefit të UNMIK’ut.
Çitaku ka qenë më parë zyrtare e lartë e PDK’së, deputete saj si dhe ka mbajtur pozitën e ministres së Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Hashim Thacit.
Shkarkimin e saj Konjufca e pati paralajmëruar pas skandalit me njohjen e Kosovës nga Xhamajka, një lajm i rremë që u shpërnda nga Presidenti Hashim Thaci, e presidenca pastaj ia la fajin Citakut. Gjatë qeverisjes së Haradinajt Citaku ishte akuzuar nga shefi I qeverisë se atje punon për Hashim Thacin. Citaku I kishte reaguar Haradinajt duke mohuar gjithcka.
Konjufca të martën ka propozuar që të shkarkohet nga misioni diplomatik edhe Lirim Grajçevci, ambasador i Kosovës në Hagë.
Këtë detyrë Grajqevci e ka marrë gjatë gushtit të vitit 2018. Më parë ai ka qenë ambasador në Britaninë e Madhe.
Para se të niste punën nëpër misione të rëndësishme diplomatike, Grajqevci ka qenë i lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë edhe këshilltar dhe përkthyes i Hashim Thacit, sa ishte kryeministër.
Edhe Ambasadori i Kosovës në Budapest, Shpend Kallaba, është në listën e atyre që kryediplomati kosovar dëshiron ta largojë nga shërbimi diplomatik.
Kallaba ishte këshilltar i Behgjet Pacollit, para se të bëhej ambasador në Sofje të Bullgarisë në vitin 2012.
Ai është vjehrri i Bubulina Krasniqit, motrës së deputetit të PDK’së, Memli Krasniqit. Edhe Bubulina punon në ambasadën e Kosovës në Budapest, bashkë me vjehrrin e saj.
Përvec Vlora Citakut, Konjufca dëshiron shkarkimin edhe të dikujt tjetër nga familja. Burri i motrës së Vlora Citaku, Edon Cana, është ambasador i Kosovës në Sofje të Bullgarisë. Ai e përbën listën e shtatë propozimeve të Ministrit të Jashtëm për largim nga diplomacia.
Konjufca kërkon edhe shkarkimin e Konsulles së Përgjithshme në Strasburg, Mimoza Ahmetajt.
Ajo ka qenë për disa muaj ministre për Integrime Evropiane, e emëruar nga PDK’ja. Para se të bëhej ministre Ahmetaj ka qenë ambasadore në Belgjikë dhe në Slloveni.
Në listën e Konjufcës është edhe konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë të Zvicrës, Ramadan Avdiu.
Për shumë vjet, Avdiu ka qenë anëtar i kryesisë së PDK’së dhe zëvendësminister i Financave.
Listën e përmbyll Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Malin e Zi. Ai u dekretua nga Presidenti Thaci, me propozim të ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli, në krye të misionit një vit më parë.
Hysa nga viti 2012 ka qenë ambasador i Kosovës në Shkup.
Gjatë periudhën 2003-2007 ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia ORA.
Ndryshe, kërkesa për shkarkimin e shtatë ambasadorëve përfshin valën e dytë të largimeve nga detyra që po i bën ministri i ri i Jashtëm. Ai sot shkroi se kërkon kthimin e këtyre ambasadorëve.
“Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politik që e kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës”, ka shkruar kryediplomati.
Javë më parë Konjufca ka shkarkuar 14 konsuj nga misione të ndryshme diplomatike, për të cilët konsideroi se janë emëruar kundërligjshëm.