Liberalizimi i vizave për Kosovën, PE vendos sot
Bisedimet në emër të Parlamentit Europian do t’i udhëheqë Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament. Votimi në PE ishte paraparë për muajt e ardhshëm, por sipas njoftimit të komitetit LIBE, “disa grupe parlamentare kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.
Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare.
Sot, kur raportuesja për vizat merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Europian, procesi kalon në nivelin e grupeve të punës. “Radio Europa e Lirë” mëson se takimi i parë i grupit të punës do të mbahet më 17 shtator.
Pasi të përafrohen bisedimet në kuadër të këtij grupi, çështja kalon më tej në nivel ministrash të Brendshëm të Bashkimit Europian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të cilësuar.
Komisioni Europian vendosi më 18 korrik të këtij viti se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimit Europian të liberalizojë vizat për qytetarët e saj. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e “Schengen”-it.