ArteSporti

“Lidershipi i urtë” i Ancelottit, libër që shpalos një lidership larg stereotipeve

Kryeministri Edi Rama priti në një bashkëbisedim Carlo Ancelotti, të vetmin trajner, fitues i tre herë Champions League, në ambientet e qendrës për hapje dhe dialog (COD).

Pjesë e dialogut me të ftuarit ishte edhe libri i fundit i Ancelotti-t, “Lidershipi i urtë: të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet” (Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches) i botuar në maj të 2016.

Libri i tij i fundit, një “management memoir”, që ai zgjedh të rrëfejë aventurën si trajner, duke u përqendruar jo aq në aspektin autobiografik, sa në rolin e tij të menaxherit. “Lidershipi i urtë…” shpalos botën e Ancelottit përmes metodave të tij, mentorëve, gabimeve dhe triumfeve të mëdha.

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë fjalës së tij se “arsyeja se pse sot gjendemi këtu, sigurisht është dashuria që është në zemër të çdo shqiptari që ndjek Ancelotti-n”.  “Një libër që e lexova me shumë kenaqësi. Ajo që është e veçantë në këtë libër është se flet për një lidership të qetë. Është një lidership i veçantë që nuk është pjesë e steriotipeve që ne jemi mësuar, të një sipërmarrjeje, të një skuadre dhe është në interes të madh që ne duam ta vazhdojmë bashkë këtë diskutim”, tha Rama.

Nga ana e tij, Carlo Ancelotti nënvizoi se në librin e tij flitet për një lider të qetë, pasi nuk ka pasur asnjë drejtues në jetën e tij, autoritar.

“Vij të flas për këtë libër  dhe nuk ka qenë punë por një kënaqësi, ka qënë një hobi për mua. Është një përvojë bazuar mbi marrëdheniet mes njerëzve, në fund të fundit futbolli është ky. Trajneri duhet të komunikojë, të menaxhojë shtypin, tifozët etj. Është një lidership i qetë, lidershipi lidhet me karakterin e personave dhe karakteri formohet nga përvoja që kanë jetuar. Në këtë udhëtim, unë asnjëhëre nuk kam patur një lider autoritar, as prindërit, as mësuesit, as trajnerët e mi. Ndonjëhere më kanë thënë që duhet të përdorësh thuprën, por unë nuk mundem të jem ky person, sepse askush nuk ka qenë kështu në jetën time”.

Rama e cilësoi librin si një mënyrë për të trazuar mendimet e personave jo të qetë, për të qenë një lider i qetë, për t’i motivuar personat në një mënyrë krejt tjetër. Ndaj sipas tij, në libër ka shumë gjëra të dobishme për shumë persona që duan të njohin një mënyrë tjetër lidershipi.

Carlo Ancelotti e nisi karrierën në futboll si lojtar, me ekipet Parma FC, AS Roma dhe AC Milan. Mesfushori luftarak i dha fund lojës dinamike për të nisur një tjetër përvojë, atë të trajnerit me AC Reggiana, Parma FC, Juventusin dhe AC Milan, ku njohu suksese të njëpasnjëshme. Kalimi në Chelsea FC, Paris Saint-Germain, Real Madrid CF dhe sot me FC Bayern München, shënoi përshkallëzim në rritje të triumfit të tij menaxherial.

Ai është fituesi i Globe Soccer Award në 2014, menaxheri më i Mirë në Botë IFFHS në 2007 dhe 2014, menaxheri më i Mirë i UEFA-s në 2002-2003, menaxheri më i Mirë në 2003 nga World Soccer Magazine, menaxheri më i Mirë i Serie A në 2001-2004, menaxheri më i mirë i Ligue1 (2012-2013), i Çmimit Kombëtar Enzo Bearzot në 2014, i Çmimit Lideri Frymëzues në 2015 dhe 4 herë Menaxheri më i Mirë i Muajit nga Premier League, cilësohet si “trajneri më i mirë i Europës”.

I mirënjohur nga dashamirësit e futbollit si Carletto, Ancelotti është vlerësuar si nga më të mirët e të suksesshmit e të gjitha kohëve

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button