Linda Halimi, frymëzim për gratë mbi peshë në SHBA
Performanca e Linda Halimit, në një nga talent show-t më të ndjekur në Amerikë, “American Idol”, ka qenë një ngjarje që ka bërë jehonë të madhe, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Amerikë.
Këngëtarja nga Kosova, nuk ka tërhequr vëmendjen vetëm për zërin e saj brilant dhe intepretimin perfekt, por dhe për historinë e saj të humbjes në peshë.
Gjatë klipit prezantues Linda, e cila në SHBA është shfaqur me emrin Lindita, tregon se ajo më parë ka qenë një vajzë që vuante nga kilogramët e tepërta. Për këtë kompeticion asaj i është dashur të humbasë mbi 68 kilogramë, falë dietave dhe ushtrimeve fizike.
Ka qenë kjo e vërtetë e Lindës, e cila është vlerësuar jashtëzakonisht nga shumë gra në Amerikë. Në faqen zyrare në Facebook të “American Idol”, kanë vërshuar komentet pozitive të atyre njerëzve qe e vuajnë këtë fenomen.
Në SHBA, mbipesha dhe obeziteti është një ndër problemet më shqetësuese të shoqërisë, Linda shihet një si një model frymëzues për shumë gra, të cilat e konsiderojne si pike referimi që me vullnet dhe përpjekje mund t’ia dalësh mbanë.
Në nëntor 2015, studiuesit e “Prevention Research Centers” kanë publikuar të dhënat kombëtare në lidhje me obezietin tek të rriturit dhe të rinjtë ne SHBA. Sipas këtij raporti rreth 36 përqind e të rriturve në të gjithë Amerikën dhe 17 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve janë obezë.
Ky raport thekson se përhapja dhe përqindja e rrezikut është më e lartë tek femra dhe se të prekuara nga obeziteti janë 38 përqind e grave, krahasuar me 34 përqind tek meshkujt.
Por edhe tek femrat të dhënat ndryshojnë, më të prekuar nga kjo sëmundje janë femrat me ngjyrë, të cila arrijnë në 57 përqind, krahasuar me 46 përqind të femrave hispanike, ndërkohë që gratë e racës kaukaziane, vijojnë të kënë përqindje të ulët ndaj këtij fenomeni.
Raporti thekson se kjo përqindje është vetëm për personat obezë, duke mos llogaritur numrin e amrikanëve që janë mbipeshë.