Politika

Luan Rama injoron Bashën: Nuk merremi me ata që garojnë për vendin e tretë

Lëvizja Socialiste për Integrim ndihet e barabartë me Partinë Socialiste në garën elektorale të zgjedhjeve parlamentare, madje në qarqet më kryesore në vend, LSI e sheh veten forcë të parë politike që pas 25 qershorit do e gjejë atë në qeverisje.

Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së, nënkryetari i kësaj force politike Luan Rama, nuk e mori në konsideratë Partinë Demokratike duke mos e përfillur si kundërshtarë në këtë garë. “Nuk merremi me ata që garojnë për vendin e tretë”, u shpreh Rama. Ra në sy se gjatë gjithë deklaratës së tij përballë gazetarëve, Luan Rama përmendi vetëm Partinë Socialiste dhe triumfin që do të ketë LSI mbi këtë forcë politike.

Nënkryetari i LSI-së, i cili radhitet i pesti në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Tiranë, foli për fitore të sigurt, madje mandatin do ta garantonte edhe nëse do të ishte i dhjeti në listë. Ai tha se për hartimin e listave nuk ka pasur asnjë kushtëzim nga pjesëmarrja apo jo e opozitës në zgjedhje.

“Ne jemi nisur vetëm nga fakti që qytetarët të gjejnë në listat e LSI përfaqësuesit e tyre më dinjitozë dhe zëdhënës reale të shqetësimeve të tyre. Sa për vendin tim ju siguroj që do të kisha të njëjtën garanci për të qënë deputet në parlamentin e ardhshëm dhe nëse do të isha i 10-ti. LSI, sidomos në Tiranë, është e barabartë në garë me PS. Ne luftojmë përballë PS për vendin e parë në Tiranë, në Durrës, Elbasan, Fier. Ndërkohë që jemi absolutisht të parët në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës”, tha Rama.

Luan Rama sqaroi edhe një herë se LS ka bashkëqeverisur edhe me PD-në edhe me PS-në, si garanci për stabilitetin e vendit dhe të përmbushjes së reformave për integrimin e vendit.

“Ne kemi qënë në qeverisje si garanci e stabilitetit të qeverisjes, si garanci e funksionimit normal të institucioneve të vendit. Po, kemi qënë në qeverisje si garanci e reformave në kuadër të proçesit të integrimit europian të vendit, por dhe si profilaksi përballë arrogancës, mendjemadhësisë dhe abuzimit të qeverive. Ndërkaq, LSI në të dy qeveritë nuk ka patur asnjëherë drejtimin e qeverisë, prandaj jemi sot përballë qytetarëve, prandaj oferta jonë është për LSI forcë e parë për një drejtim të ri të qeverisë, për atë drejtim që duan qytetarët larg konfliktit”, tha Luan Rama.

“Jemi në garë për vendin e parë – tha ai – duke shprehur bindjen se LSI se do të dalë forcë e parë. Këtë bindje nënkryetari i LSI-së e krijon duke argumentuar se LSI-ja është zgjidhja më e mirë për qytetarët, e pikërisht edhe puna e kandidatëve dhe drejtuesve të fushatave në këtë garë zgjedhore, sipas tij duhet të fokusohet tek programi i LSI-së: Ulja e taksave, veçanërisht për pagat dhe bizneset, formalizimi i ekonomisë dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Nuk na interesojnë se çfarë mendojnë thonë dhe bëjnë të tjerët”, u shpreh Rama.

N.kryetari komentoi edhe emrat e rinj në listat e kandidatëve për deputetë të LSI-së, duke thënë se ky do të jetë një parlament “ndryshe nga parlamenti i shëmtuar që i mbaron mandati”. 

Ndërsa akuzat e fundit të adresuara ndaj LSI-së, Luan Rama i ‘justifikoi’ si pasojë e panikut që i kapur kundërshtarët për rezultatet në rritje të kësaj partie dhe prej listave të tyre të kandidatëve për deputetë që sipas LSI-së, janë skandaloze!

“Të tjerët janë në panik, të çoroditur, të përçarë për shkak të listave skandaloze që kanë. Ata shohin rritjen e LSI dhe nuk e menaxhojnë dot panikun e tyre. Unë i ngushëlloj me vargjet e Migjenit”, tha Luan Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button