Politika

Luan Rama largohet nga funksionet në LSI: Drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama është larguar nga të gjitha funksionet në LSI pas humbjes në zgjedhje.

“Humba në zgjedhje, largohem  nga të gjitha funksionet në LSI. Drejtuesi mban përgjegjësi  edhe kur nuk është përgjegjës”, shprehet Rama në reagimin e tij.

“Pa asnjë mëdyshje, me bindje dhe shumë ndershmërisht, në përputhje të plotë me parimet dhe kodin tim moral dhe politik sipas të cilit, drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës, kam vendosur të ndërpres angazhimin tim prej të gjithë funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësitë që më takojnë për humbjen e LSI-së në qarkun e Vlorës. Rezultati i zgjedhjeve që LSI arriti në qarkun e Vlorës, është nën nivelin e mundësive reale të votuesve që LSI ka në atë qark. Është rezultat i papërligjur politikisht, larg pritshmërive dhe objektivave të përcaktuar”, thekson Rama.

“Për rrjedhojë, pavarësisht rrethanave specifike dhe paradoksalisht penguese prej faktorësh jashtë politike që u krijuan në Vlorë, unë nuk mund të justifikohem, edhe pse u përpoqa të punoj ndershmërisht dhe me shumë përkushtim me të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së në qarkun e Vlorës”, shprehet ai.

“Nga sa na jep mundësi të lexojmë sot rezultati që përfundimisht është fiksuar në dokumentet zgjedhore, nuk mjaftoi puna që bëmë. Nuk mjaftoi as kontributi dhe e gjithë përvoja ime politike e tridhjetë viteve. Nuk mjaftuan as përpjekjet e mia për të krijuar kohezionin e domosdoshëm shpirtëror në kësi rastesh, duke u ngritur mbi pengesat, intrigat dhe shpifjet e gjithfarëllojshme, që LSI të arrinte rezultatin që meritonte. Me sa duket, kultura dhe etika e komunikimit publik, thjeshtësia dhe sinqeriteti në marrëdhëniet brenda partisë dhe të partisë me qytetarët, qytetaria dhe fryma e tolerancës, nuk mjaftuan që unë dhe LSI të votoheshim për ta përfaqësuar Vlorën në Kuvendin e Shqipërisë”, nënvizon Rama.

“Vendimi im për të ndërprerë angazhimin prej të gjitha funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është në koherencë edhe me frymën dhe përmbajtjen e Programit Politik dhe të Statutit të LSI-së, e cila duke qenë forcë përfaqësuese e rinisë kryesisht, por edhe e më të rriturve me mendësi, mentalitet dhe vizion të ri, duhet të ofrojë modele sjelljesh dhe qasjesh politike që motivohen nga interesi i vendit para atij të partisë në radhë të parë, dhe nga interesi i partisë para atij të individit më tej”, thekson Rama.

“Gjithnjë vjen një kohë kur veçanërisht në angazhimet partiake dhe politike rrethanat, kushtet dhe faktorë të shumtë të imponojnë ndërmarrjen e vendimeve të vështirë. Unë u gjenda pa dëshirën time përballë kësaj sfide, por me shumë kthjelltësi zgjodha një nga vendimet më të vështirë që më është dashur të ndërmarr ndonjëherë në të gjithë karrierën time politike, i bindur se është ndërkaq vendimi i duhur, vendimi më e drejtë”, shtoi ai.

“Unë do të vazhdoj të jem kontributor dhe votues i LSI-së, për aq kohë sa LSI do të jetë forcë që gjeneron energji dhe ide e që bashkon rreth saj të rinj e të reja, progresistë dhe eurosocialistë, për sa kohë që LSI do të jetë forcë që ofron kontribute për integrimin euroatlantik të Shqipërisë”, përfundon Rama reagimin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button