Bota

Me shkopinj gome kundër një opozite të rizgjuar. Perandoria e Putinit në krizë

Aleksej Navalni bëri thirrje për protestë dhe kudo erdhën para së gjithash rusë të rinj. Në Moskë policia e shpërndau me dhunë demonstratën. Jo sinjal i mirë për zgjedhjet presidenciale 2018, mendon Hermann Krause.

Pas një pushimi katërvjeçar opozita në Rusi është rikthyer. Në Moskë, dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë. Ndoshta ky ishte fillimi i një lëvizjeje të re “Anti-Putin” – me saktësi këtë megjithatë nuk mund ta thuash. Për demonstratat në të gjithë vendin bëri thirrje përmes rrjeteve sociale Aleksej Navalni.

Në blogun e tij antikorrupsion Navalni pati publikuar një film për Dmitri Medvedevin. Sipas kërkimeve të autorëve të pavarur të filmit, kryeministri është pasuruar gjoja paturpësisht – me jahte luksoze, me pasuri të paluajtshme luksoze dhe me një vreshtë në Toskanë. Edhe për rusët që janë mësuar që politikanët e tyre të jenë të korruptuar, kjo është tepër. Para së gjithash sepse ky Dmitri Medvedev, i cili konsiderohej si liberal në Perëndim, në një takim me pensionistët, pyetjes se pse janë kaq të ulëta pensionet në Rusi iu përgjigj: “Nuk ka para, duroni, ju uroj ta merrni me humor!”- shprehje që ndërkohë qarkullon kudo në Rusi.

Kryeministri i korruptuar mund të qëndrojë në post

Në fakt Medvedevi, të cilin gjithsesi populli nuk e do fare, nuk mund të mbahet më në post. Por që Vladimir Putini ta ndërrojë, kjo konsiderohet me pak gjasa. Ai u lëshoi pe demonstruesve, do të thoshin, dhe kjo do të interpretohej si shenjë dobësie. Putini – Presidenti i fortë! Një monument që ka nisur megjithatë të lëkundet, po të shohësh se si veproi pushteti shtetëror me të rinjtë që ecën të dielën paqësisht në Moskë në rrugën Tverskaja. Zëdhënësi i Putinit deklaroi vetëm se aksioni pati qenë një provokim.

Jo, kjo nuk është përgjigje për pyetjet e bëra dhe nuk është perspektivë për brezin e ardhshëm. Ai nuk do luftë në Siri, nuk do angazhim ushtarak në Donbass dhe nuk do konflikt në Ukrainë. Këta të rinj duan të mësojnë, të studiojnë dhe të udhëtojnë në botën e jashtme – ata ndihen pjesë e Evropës!

Të duket e çuditshme që manifestimet në qytetet e tjera ruse u lejuan. Kështu u protestua edhe në Siberi, në Ural dhe në Lindjen e Largët. Atje – në dallim nga Moska – u lejuan ta marrin fjalën edhe oratorë. Kudo dëgjoheshin të njëjtat halle: çmime të larta, të ardhura të ulëta, pensione të vogla dhe një shërbim i keq mjekësor.

Perandoria e Putinit në krizë – dhe këtë e dinë të gjithë

Jashtë Putini shfaqet si burrë i madh shteti, por brenda vendit gjendja është keqësuar. Varfëria po thellohet sërish, rrogat nuk paguhen. Rusia ndodhet jo vetëm në një krizë ekonomike, por edhe në një krizë politike: korrupsioni nuk është pakësuar aspak. Ministra, guvernatorë, deputetë ose nëpunës vazhdojnë të pasurohen. Këtë njerëzit e dinë.

Administrata e qytetit të Moskës i pati propozuar Navalnit të demonstronte jashtë qytetit, në një park – si të thuash jashtë syve të publikut. Këta Kremlini duket se i ka frikë, veçanërisht publikun e ri. Në vend të përgjigjeve jepen shkopinj gome. Jo shenjë e mirë për një periudhë tjetër në post të Presidentit të përjetshëm Putin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button