Politika

Mediat në sytë e opinionit publik, po aq të pabesueshme sa gjykatat

“Mediat sot në sytë e opinionit publik, janë po aq të pabesueshme sa gjykatat dhe këtë e kam të mbështetur tek anketimet shkencore të publikut, nuk është opinioni im”, deklaroi të martën në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News 24, kryeministri Rama sqaroi edhe njëherë pozicionin e tij në raport me mediat në vend. Sipas tij, “ka një ndryshim të madh mes kritikës dhe fyerjeve të pabazuara”. “Unë stimulohem shumë nga mendimi kritik dhe nga kundërshtimi kur diskutojmë, por kritika ngrihet mbi ide, fakte dhe argumenta, ndërsa balta e shpifjeve dhe akuzave nuk është kritikë”, tha kryeministri.

Sipas tij, “ka gjithmonë një moment kur duhen thënë disa të vërteta që sigurisht nuk janë absolute, por janë të vërtetat e mia”. “Kjo nuk është as strategji, as sulm, as një përpjekje për të denigruar këdoqoftë, por thjesht një e vërtetë që gjithkush ka opinionet e veta, dhe arsyet e veta, por këto i kam edhe unë”, shtoi ai.

Kryeministri u shpreh se nga anketimet e bëra, mediat sot në sytë e opinionit publik janë po aq të pabesueshme sa gjykatat. “Po flasim për pushtetin e 4-t, që ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe ushtrimi me papërgjegjshmëri të jashtëzakonshme e bën këtë pushtet të pabesueshëm. Ju ftoj të pyesni publikun, të merrni opinionin e tij mbi besueshmërinë e mediave dhe do të nxirrni konkluzionet vetë. Pavarësisht shumëçkaje që është progres në media, shumëçka tjetër është regres, një regres shumë i madh”, tha Rama.

Sipas tij, “audienca nuk është kriteri më i mirë për të kuptuar besueshmërinë”. “Nëse do t’i drejtoheni opinionit publik me një anketim serioz, ju do të shikoni se çfarë ju them nuk është aspak e çuditshme dhe skandaloze, por shumë më pranë perceptimit publik. Në botën e medias, jo gjithçka është për t’u hedhur poshtë, ka produkte të mira, momente të mira dhe shërbime të mira ndaj publikut, por është njësoj si ato materialet në kazan”, tha më tej Rama.

Duke theksuar se të drejtën për të shprehur opinionin e tij nuk mund t’ia marrë dhe shkelë askush, Kryeministri u shpreh se “nuk mund të jetë kurrë një objektiv krijimi i një klime negative në raport me këdoqoftë”. “Nuk është ky qëllimi im. Por ka vetëm një boomerang që unë i trembem, atij të  vendimeve dhe veprimeve të mia që në këtë punë që bëj janë të panumërta. Duke bërë këtë punë, edhe mund të gabosh. Bumerangu nga vendime apo veprime të gabuara të miat, është e vetmja gjë për të cilën unë shqetësohem”, tha Rama.

Duke cituar Rusveltin me shprehjen: Kush është në këtë arenë jeton me fytyrën në baltë, djersë dhe gjak, Rama u shpreh se “në këtë punë kryesorja është që të marrësh vendime të drejta dhe në çdo rast je i ekspozuar që të gabosh”.

“Unë nuk kam shpifur kurrë dhe nuk e kam parë shpifjen si një instrument politik”, tha Rama, duke shtuar se media në tërësinë e vetë nuk është thjesht tavolinë ping pongu, por është një platformë dhe një ndërmjetës për opinionin, një zë i pavarur që i jep publikut mundësinë të lexojë më mirë faktet dhe aktorë që janë në fushë”.

Kryeministri shprehu bindjen se “shqiptarët nuk ka asnjë forcë që t’i detyrojë të mendojnë në një mënyrë të caktuar duke i manipuluar. “Unë nuk kam asnjë fuqi që ta bëj këtë dhe nuk hyn në qëllimet e mia, që unë të delegjitimoj mediat në sytë e publikut”, shtoi ai.

Unë ëndërroj, shtoi Rama, “që në këtë vend të ketë realisht një pushtet të katërt që është i ndershëm, transparent me publikun, dhe këtë pushtet të katërt qeveria nuk e ka”.

Çështja Tahiri, Rama: T’ja lëmë drejtësisë që të bëjë punën e vetë

I pyetur mbi çështjen e patentave të deputetit Sajmir Tahiri, Kryeministri Rama u shpreh se “në momentin kur mësoi këtë lajm, pati ndjesinë e një konfuzioni të madh, por kjo mund të jetë shumë e rëndë, ose krejt pa lidhje”. “Nuk jam unë, ai që duhet ta them këtë”, tha Rama.

Në rastin konkret, sipas tij, “nuk kam parë dhe dëgjuar asnjë shpjegim apo përpjekje për një shpjegim racional të kësaj çështje, nga ana e atyre që kanë detyrimin ta bëjnë këtë për publikun, njerëzve të medias, nuk i takon politikës të futet në mes”.”Përpara drejtësisë ne jemi dhe duhet të sillemi të gjithë si të barabartë”, tha Kryeministri Rama.

“T’ja lëmë drejtësisë që të bëjë punën e vetë”, tha kryeministri Rama. “Këto janë çështje të hetimit. Unë mund të kem 100 ide, por nuk e kam kurajon ta them se është kështu. Historinë që zhvillohet në një proces hetimi dhe gjykimi, duhet ta shkruajnë dy palë, prokuroria nga njëra anë dhe Sajmir Tahiri me avokatët e tij. Pastaj do të thotë gjykata se kush është versioni  i drejtë”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri Rama theksoi se “për herë të parë në historinë e 27 vjetëve, një parti politike mori përsipër përgjegjësitë e veta politike”. “Përgjegjësinë politike e morëm të plotë. E para herë në historinë e 27 vjetëve, që një parti politike në qeveri nuk bën asnjë lëvizje dhe asnjë fjalë, ndërkohë që është në proces një figurë e rëndësishme e saj. Tahiri është jashtë grupit parlamentar dhe forumeve të partisë. Kjo është përgjegjësia politike dhe ne e morëm të plotë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “ne e lamë çështjen tërësisht në duart e drejtësisë dhe i hapëm rrugë të plotë hetimit të çështjes”.

Ndërkohë sipas tij, nuk ka asnjë analogji me rastin e gjyqtarit të arrestuar, pasi çështja e tij është ndjekur, hetuar dhe provuar, është lidhur përgjimi me provën faktike”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button