Kosova

Merret vendim, të hënën seanca për votimin e Qeverisë së Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka caktuar datën 3 shkurt për mbajtjen e seancës për votimin e Qeverisë së ardhshme. Seanca do të mbahet në ora 11:00, ashtu siç kishte kërkuar mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.  VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit.

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që seanca për votimin e qeverisë të mbahet më 3 shkurt në orën 11:00 – bazuar në kërkesën e mandatarit për kryeministër Albin Kurtit.

Këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari Glauk Konjufca menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë.

“Ne sapo e përfunduam një mbledhje të shpejtë të Kryesisë së Kuvendit. Siç e dini, mandatari për kryeministër Albin Kurti i është drejtuar Kuvendit dhe Kryesisë të Kuvendit me një kërkesë për paraqitjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës. Ai e ka kërkuar datën 3 shkurt dhe orën 11:00 që kjo seancë të mbahet. Mbledhja e Kryesisë vendosi njëjtë – pra, që të respektohet kjo datë dhe kjo orë. Ne sapo vendosëm që seanca plenare për krijimin e qeverisë së Kosovës të mbahet më 3 shkurt në orën 11:00”, ka thënë ai.

Glauk Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë është shprehur i bindur se marrëveshja me LDK-në do të arrihet.

“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende marrëveshje përfundimtare por jam shumë optimist se marrëveshja do të bëhet dhje se askush nuk dëshiron ta ndalë këtë. E tëra që duhet të bëjmë është ta implementojnë zërin e qytetarëve që ishte zë për ndryshim me Kurtin për kryeministër”.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqje nga kryeparlamentari, Konjufca tha se në Kosovë është koha për emërime dhe jo dorëheqje.

“Nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve. Zgjedhjet u cilësuan si të rregullta, demokratike dhe me standarde të larta dhe për këtë duhet përmbushur vullneti i qytetarëve. E tëra që duhet të bëjmë ne është ta impelmentojmë zërin e qytetarëve për ndryshim”.

Kujtojmë se VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit.

E mbrëmë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dërguar kërkesë zyrtare Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe kryetarit, Glauk Konjufca për caktimin e seancës për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kërkesa thotë se në përputhje me dekretin e presidentit të datës 20 janar, kërkon nga Kryesia e Kuvendit që më datën 3 shkurt në orën 11:00 të caktohet mbajtja e seancës për votimin e Qeverisë.

Kjo kërkesë është bërë njëanshëm dhe pa arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në.

Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

Për disa javë me radhë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë zhvilluar negociata, mirëpo ato nuk kanë sjellë si rezultat ndonjë marrëveshje koalicioni.

Aktualisht, Kosova qeveriset nga qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, por e cila ka kompetenca të kufizuara.

Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button