Politika

Meta: Integrimi në BE e vetmja perspektivë, çdo alternativë tjetër e papranueshme

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë vetëm një alternativë, anëtarësimin e vendeve tona në Bashkimin Europian, pasi kjo është e vetmja e ardhme e sigurt jo vetëm vendeve tona, por edhe për vetë BE-në dhe gjithë kontinentin”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në vendin tonë.

Meta tha se “çdo ide dhe alternativë tjetër, qoftë edhe informale, për vendet tona dhe Ballkanin Perëndimor është e papranueshme dhe e padobishme jo vetëm për vendet tona, por edhe për BE-në dhe të ardhmen e Europës së Bashkuar”.

“Çdo ide informale që mund të paraqitet apo parashtrohet si alternativë për të zëvendësuar procesin e anëtarësimit të vendeve tona dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është e pakuptimtë dhe e dëmshme. Çdo proces në këtë rajon është bërë në frymëzimin e përbashkët të integrimit europian në të gjitha vendet tona. E vetmja perspektivë dhe zgjidhje është zgjerimi i BE-së dhe anëtarësimi i vendeve tona”, tha Meta.

Ai theksoi se është e drejtë legjitime kërkesa e çdo udhëheqësi të vendeve të BE-së për të kërkuar më tepër nga çdo vend që do të përfshihet në procesin e zgjerimit, por BE do t’i qëndroj të gjitha angazhimeve të saj strategjike sa i takon Ballkanit Perëndimor, të ndërmarra gjatë këtyre dekadave”.

Ky kontribut, vlerësoi Meta, “ka qenë mjaft i spikatur për arritjet pozitive të këtij rajoni që do të konsolidohen vetëm përmes procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit në BE”.

Meta tha se “ne duhet të reflektojmë të gjithë”. “Kemi një reflektim në Maqedoninë e Veriut përmes një zgjedhje të caktuara politike. Kjo është zgjedhja e tyre. Natyrisht edhe te ne është mjaft e rëndësishme të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjitha ato detyrime që duhet t’i kishim përmbushur. Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë mjaft të besueshme që të gjitha këto shqetësime të shuhen javët e muajt në vijim”, tha Meta.

Meta tha se “Shqipëria duhet të bëjë përpjekje shumë më të mëdha për të qenë më e besueshme dhe platforma më e mirë e reagimit mbetet ajo e miratuar nga Bundestagu gjerman.

Sa i takon marrëdhënieve dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, Meta shprehu bindjen se “zgjedhja e tij si President i Maqedonisë së Veriut i ka dhënë një dimension tjetër marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, duke kontribuar për forcimin e bashkëjetesës atje, shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të këtij vendi, por edhe forcimin e fqinjësisë mes dy vendeve tona”.

“Marrëveshja historike e Prespës është mjaft e rëndësishme është për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës europiane të rajonit. Maqedonia e Veriut po ecën e sigurt drejt anëtarësimit në NATO. Ne kemi treguar gjithmonë mbështetjen tonë më të sinqertë për këtë vlerë të shtuar të Aleancës, aq më tepër në këtë rajon që ka nevojë të forcojë parametrat e tij të sigurisë”, tha Meta.

Ai vlerësoi angazhimin e Presidentit Pendarovski për të përmbushur të gjitha detyrimet e marrëveshjes së Ohrit”. “Kjo është tepër e rëndësishme në të gjitha aspektet, jo vetëm të forcimit të bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, por edhe të vetë perspektivës europiane të këtij vendi, marrëdhënieve tona të gjithë rajonit”, tha Meta.

Presidenti shprehu gjithashtu angazhimin për integrimin gjithnjë e më të plotë të pakicës maqedonase në vendin tonë që përfaqësohet nga një komunitet i mrekullueshëm. “Ne do të marrim të gjitha angazhimet e duhura për të ruajtur më tej dinjitetin e tyre kombëtar e kulturor”, tha Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button