Mickoski merr pjesë në festivalin folklorik të RMV-së në Pustec
“Prespa e Vogël është provë se kufijtë mund të ndajnë territore, por nuk mund ta fshijnë gjuhën, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë”, është shprehur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i pranishëm në festivalin folklorik të Maqedonisë “Prespa”, i mbajtur në sheshin “Goce Delçev” në Pustec.
Ky festival organizohej nga Shoqata e Maqedonisë “Prespa”, Shoqatës “VMRO DPMNE Shqipëria” dhe Komuna e Pustecit.
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen për gjuhën, kulturën dhe traditën maqedonase sepse trashëgimia jonë nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një thesar që po ndërtojmë për brezat e ardhshëm. Le të zgjasë fjala maqedonase, le të zgjasë kënga maqedonase, le të zgjasë lidhja midis Maqedonisë dhe maqedonasve nga Prespa e Vogël”, ka theksuar ai në një reagim në rrjetet sociale.
Kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolevski ka reaguar lidhur me ekzekutimin vetëm të himnit maqedonas dhe jo atij shqiptar në hapje të aktivitetit.
Kolevski u shpreh se ka kërkuar të ekzekutohet edhe himni shqiptar dhe se edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk e priti mirë këtë gjë.
“Para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO Shqipëri që në momentin që do ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare”, tha ai në një prononcim për mediet.
Kolevski nënvizoi se “duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”.
“Kërkoj ndjesë vërtetë pavarësisht se nuk më takon mua sepse s’kam qenë organizator i aktivitetit si bashki e Pustecit. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert megjithatë kërkoj ndjesë. Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë. Të tre flamujt i kemi çuar nga bashkia si simbol për miqësi midis të dy shteteve që aspirojnë për të shkuar në BE”, tha Kolevski.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.