ZVICËR – Pesë të zhdukur dhe 19 të plagosur pas zjarreve në dy qytete
GJENEVË, 21 gusht /ATSH-AFP/- Dy zjarre të fuqishme kanë tronditur gjatë natës dy qytete të Zvicrës, duke lënë pas 19 persona të plagosur dhe pesë të tjerë ende të zhdukur.
Ngjarjet ndodhën në Schaffhausen, në veri të vendit, dhe në Thusis, në lindje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e të dyja ngjarjeve.
Bilanci më i rëndë është regjistruar në Thusis, në kantonin Graubunden, ku zjarri shpërtheu pak pas mesnatës.
Godina ku funksiononte një restorant dhe ku kishte edhe ambiente banimi u përfshi tërësisht nga flakët.
Policia kantonale njoftoi se pesë persona nuk janë gjetur ende.
Katërmbëdhjetë banorë arritën të dilnin nga ndërtesa.
Tetë prej tyre pësuan dëmtime, dy në gjendje të rëndë, dy me plagë të moderuara dhe katër me dëmtime të lehta.
Pas marrjes së ndihmës së parë në vend, ata u transportuan në spitalet e Chur, Thusis dhe Ilanz, ndërsa një pjesë u dërguan edhe në një spital në Zyrih.
Sipas hetimeve paraprake, flakët nisën në katin e dytë të ndërtesës.
Për shkak të shembjes së shkallëve të brendshme, ekipet e shpëtimit u detyruan të ndërhynin edhe nga çatia, e cila u hap me ndihmën e një vinçi.
Rreth 100 zjarrfikës morën pjesë në operacion dhe puna për shuarjen e plotë të zjarrit vazhdonte ende sot në mëngjes.
Pamjet e shpërndara nga policia tregojnë një godinë shumëkatëshe të përfshirë nga flakët gjatë natës, me zjarr që del nga dritaret e kateve të sipërme dhe tym të dendur që ngrihet mbi ndërtesë.
Ndërkohë, në Schaffhausen, një tjetër zjarr shhpërtheu dje në mbrëmje, pak para orës 22:30, në kuzhinën e një apartamenti.
Qyteti ndodhet në veri të Zvicrës, pranë kufirit me Gjermaninë.
Në këtë incident u plagosën 11 persona, nëntë prej të cilëve u dërguan në spital.
Mes të dëmtuarve ishte edhe një punonjës policie.
Kur mbërritën zjarrfikësit, apartamenti ishte tashmë në flakë, por ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës pengoi përhapjen e zjarrit në apartamentet e tjera të pallatit.
Policia lokale ka hapur gjithashtu një hetim për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi zjarrin në Schaffhausen./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.