Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, Reja: Ndeshje të rëndësishme, masim forcat tona
Trajneri i ekipit Kombëtar Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për mediet, ku ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar, në prag të dy ndeshjeve miqësore që Shqipëria do të zhvillojë kundër Uellsit, më 5 qershor dhe tre ditë më vonë ndaj Republikës Çeke.
Ekipi do të nisë grumbullimin prej ditës së sotme në kompleksin “Tropikal”, ku do të qëndrojë deri më 1 qershor, përpara se të niset drejt Uellsit, ku edhe do të zhvillojnë ndeshjen e parë miqësore. Nga Uellsi, kuqezinjtë do të nisen drejt Pragës, për të luajtur edhe ndeshjen tjetër të planifikuar ndaj Republikës Çeke. Trajneri kuqezi ka ftuar 25 lojtarë për këto dy ndeshje.
Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, Reja foli për lojtarët e grumbulluar për këto dy ndeshje, ku shpjegoi listën, duke theksuar se disa lojtarë që kanë qenë pjesë e grumbullimeve të kaluara, mungojnë për shkak të dëmtimeve. Ai theksoi se lista nuk është përfundimtare, dhe mund të ndryshojë në ditët në vijim si dhe u shpreh se ndeshjet ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke janë shumë të rëndësishme, që do t’i shërbejnë për si teste vlerësuese për ndeshjet e shtatorit. Ai foli edhe për çështjen e Nedim Bajramit dhe Florian Kamberit si dhe u ndal te kundërshtarët e Botërorit.
“Kemi disa probleme sa i përket pjesës së portierëve, si Berisha ashtu edhe Strakosha kanë pasur probleme fizike. Berisha ka një problem në dorë, ndërkohë që Strakosha është duke u rikuperuar. Sigurisht do flasim edhe me stafin mjekësor kur ekipi të grumbullohet, në mënyrë që të bëjmë një vlerësim sa i përket problemeve fizike dhe të shohim gjendjen e tyre. Për listën mund të them se do të jetë përfundimtare pasi të kenë mbaruar edhe ndeshjet e kampionatit shqiptar sot, do të kem mundësi të bëj ndonjë vlerësim, në qoftë se do të më duhet të bëj ndonjë zëvendësim, qoftë për pjesën e portës. Sa i përket Kamberit, kemi folur edhe me menaxherin e tij, kemi folur edhe me lojtarin dhe nuk kemi marrë përgjigje entuziaste. Siç duket nuk ka shfaqur dëshirë të madhe, por thotë se ka edhe probleme fizike. Sigurisht, ne do të marrim ato lojtarë që ndihen gati dhe janë aty për të kontribuar për ekipin. Gjithsesi do ta ndjekim edhe çështjen e Kamberit në vazhdimësi, nuk është e thënë që ka mbaruar këtu. Do ta shikojmë prapë, nëse do të kemi mundësi ta marrim sërish.Siç e thashë, lista nuk është përfundimtare, presim edhe sot. ”, tha Reja.
“Sa i përket Bajramit, unë shpresoj që çështja e tij të zgjidhet për pak ditë. Kemi folur me të vazhdimisht, ai ka dëshirë shumë të madhe për të luajtur me Kombëtaren shqiptare, që është thelbësore për këtë çështje, pra dëshira e lojtarit. Me aq sa kam parë, ai është një nga lojtarët më të mirë në Serie A, për rolin e tij dhe sigurisht që një lojtar me këto karakteristika na nevojitet shumë për skuadrën tonë, për mesfushën e lart. Është shumë Teknik, lojtar që zotëron aftësi të mira dribluese, që mund të driblojë lehtësisht kundërshtarët. Ka të dhëna shumë të mira sa i përket asisteve dhe për mua do të ishte një lojtar ideal për të kompletuar ekipin tonë. Shpresoj të zgjidhet sa më shpejt, dëshira e të gjithëve është që ai të luajë me Kombëtaren shqiptare dhe unë besoj se do kemi një fund pozitiv”, shtoi Reja.
Për rëndësinë e ndeshjeve, Reja u shpreh se, “kur të vijnë të gjithë lojtarët, do ulem dhe do flas me to. Siç e thashë, për mua nuk janë thjesht dy ndeshje miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme për atë që ne presim. I kam lënë disa ditë pushim, sepse ka qenë sezon shumë i gjatë dhe i ngjeshur dhe u kam thënë që pas një jave pushimesh të vijnë këtu dhe besoj se deri të shtunën do të jenë të gjithë këtu, ku do të flas me secilin për rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Janë ndeshje të vërteta, besoj se motivimi është aty. Këto dy ndeshje na duhen për të kolauduar vlerat tona dhe besoj se lojtarët do të jenë të motivuar për këto dy takime”.
Tekniku Reja u pyet nga gazetarët edhe për Kategorinë Superiore, ku dha edhe një mendim personal për këtë sezon futbollistik të këtij kampionati.
“Sa i përket këtij kampionati, ka qenë një kampionat shumë i ekuilibruar, nuk ka nevojë ta them, sepse siç e dini jemi në javën e fundit dhe akoma nuk dihet si mund të shkojë. Është një moment shumë interesant, me tre skuadra në lojë. Unë për vete do të jem në Durrës, por kjo nuk do të thotë se do të mbaj anë, thjesht e kam më kollaj të jem këtu për të ndjekur ndeshjen e Teutës. Salihi ndërkohë do të jetë në Shkodër. Unë uroj të fitojë më i miri, por asgjë nuk është e sigurtë, dhe mundësi kanë të gjithë, edhe Partizani. Gjithsesi, është një pikëpyetje e madhe kjo histori, derisa të mbarojnë 90 minutat. Dhe meqë jemi te kjo temë, ju jap rastin e Napolit, që luante për të marrë një biletë për Champions League, ku dukej në letër një ndeshje e lehtë, por nuk rezultoi e tillë. Sa i përket pyetjes për çështjen e pankinës, nuk kam pasur asnjë kontakt, por kam raporte shumë të mira dhe kam komunikim të vazhdueshëm”, theksoi ai.
Për kundërshtarët e Botërorit, Reja tha se, “këto ndeshje janë ndeshje ideale për të parë se ku jemi. Për këtë arsye do të flas dhe me lojtarët dhe do të përpiqem që t’i motivoj dhe t’i bind, sidomos ata që do të zbresin në fushë në ndeshjen e parë dhe pastaj në ndeshjen e dytë. Më e rëndësishme për mua është që ata të jenë të përgatitur mendërisht kur të zbresin në fushë. Unë mendoj që këta kundërshtarë janë shumë të ngjashëm me Poloninë, që është një nga ekipet më të forta në Europë, por edhe me Hungarinë e cila ka punuar mjaft mirë dhe ka një formë në rritje, sidomos vitin e fundit. Duhet të jemi të përgatitur të japim maksimumin në këto ndeshje për t´u rikthyer sa më në formë në shtator”.