Ndërhyrja për të frenuar rënien e euros, Sejko: Do të blejmë valutë në treg!
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të hyjë në tregun valutor, duke blerë valutë, në një veprim të jashtëzakonshëm që synon që të ndalojë rënien e lirë të monedhës së përbashkët, euro.
Lajmin e bëri të ditur guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për shtyp.
Operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme për të arritur objektivat e deritanishme tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në një deklaratë për shtyp.
Ky është një rast i veçantë i ndërmarrë në rrethana specifike, tha guvernatori, që po bëhet në mënyrë që të frenohet përshpejtimi i rënies së euros, që në muajin maj ka dalë përtej parametrave.
Si rrjedhojë Këshilli Mbikëqyrës mori një vendim të tillë për të ndërhyrë në treg.
Tregu ka pasur një rritje të sasisë së euros, që ka qenë konstante që nga viti 2015. Mbiçmimi nuk ka ardhur vetëm për shkak të sasisë së euro, por edhe si rrjedhojë e rritjes së pritshmërisë së agjentëve për një mbiçmim të kursit, që ka dalë jashtë parametrave normalë të regjimit të kursit të këmbimit dhe na ka detyruar të ndërhyjmë në treg, tha guvernatori.
Guvernatori tha se leku po forcohet nga oferta për valutë dhe nga konvertimi i kapitalit të bankave.
Qëllimi kryesor i operacioneve monetar do te ndërmerren vetëm për nevoja te përmbushjes së objektivave të inflacionit, pasi rënia e euros rrezikonte objektivin e inflacionit.
Në Shqipëri do të vazhdojë të jetë regjimi i lirë i kursit këmbimit, por BSH ka të drejtën e saj për të rregulluar parametrat e tregut, përfundoi guvernatori.
Forcimi i euros ka nisur që ditën e sotme. Monedha e përbashkët është rritur sot në tregun e brendshëm, pas më shumë se tre javësh që kishte shënuar rënie të fortë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.42 lekë, me një rritje relativisht të fortë prej 0.25 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Që nga data 18 maj dhe deri në 5 qershor, kur euro vetëm ka rënë në tregun e brendshëm, monedha e përbashkët kishte humbur 3.15 lekë.