Ndryshimi i sistemit të kasave, 15 mln euro për të ndërtuar mënyrën e re të llogaritjes
Sipas Financave, bizneset nuk do të kenë nevojë të blejnë kasa të reja, pasi sistemi do të instalohet në kasat aktuale dhe do të jetë pa pagesë.
Sistemi aktual kompjuterik që përdorin Tatimet funksionon mbi bazë ditore. Çdo biznes, kur mbyll aktivitetin në fund të ditës, nxjerr manualisht xhiron ditore dhe e dërgon atë në serverin e Tatimeve.
Por, me sistemin e ri, Financat thonë se transmetimi i të dhënave për çdo veprim që bën biznesi, shitje apo blerje, do të kryhet automatikisht në kohë reale dhe jo një herë në ditë.
Aktualisht në Shqipëri mendohet se ka 160 mijë kasa, që përdoren nga bizneset. Ministria e Financave thotë se sistemi i ri ul kostot për administratën dhe mbyll shtigjet për evazion. Madje, sipas saj ai sjell përfitime edhe për biznesin, duke i mundësuar plotësimin automatik të librave të shitjes dhe atyre të blerjeve.
Sistemi aktual i Tatimeve është instaluar fillimisht në vitin 2010, por ka rezultuar problematik. Në vitin 2015, qeveria shpenzoi 16 milionë euro për modernizimin e sistemit, por problemet nuk u zgjidhën.
Vet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e ka pranuar se sistemi ka probleme në transmetimin dhe raportimin e të dhënave, të cilat sipas Ministrisë së Financave zgjidhen përfundimisht me ndërhyrjen e re.