Politika

Ndryshimi i statutit të PD-së/ Shano: Propozimet e Bashës nuk sjellin gjë të re

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Dritan Shano i konsideron propozimet e Bashës për ndryshimin e statutit të kësaj partie si ndryshime ortografike që nuk sjellin asgjë, madje, krejt të ndryshme, si nata me ditën me propozimet e Kadillit.

I ftuar në një emision televiziv duke folur në lidhje me propozimet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për ndryshimet në statut, Shano tha se “propozimet e Bashës kërkojnë të shkruajnë në statut ato që ndërkohë ndodhnin në praktikë për sa i përket zgjerimit të kryesive të degëve. Janë ndryshime që nuk prekin fare thelbin e statutit, nuk respektojnë nevojë që ka PD për të ndryshuar dhe shndërruar në një forcë politike që ngjall shpresë tek njerëzit. Shkuar do t’i quaja ndryshme gramatikore dhe sintaksore të statusit, pra duket sikur shpërndajnë më tepër begenisje dhe akses për disa pozicione të caktuara në PD, por nuk sjellin një gjë të re. Ndryshimet që kërkon Basha kanë një xhiro boshe, jo për atë nevojë që ka PD për të ndryshuar”.

Duke folur për garën për kryetarin e PD-së Shano tha se, “gara për kreun e PD filloi me disavantazh, kur dikush hyn si kryetar partie në këtë 100 m, ky person kryetari i partisë e fillon garën 90 metra para të tjerëve, po ashtu propozimet për debatet publike nuk u pranuan, ato që ne ia kërkojmë palës tjetër në një fushatë zgjedhjes nuk u pranuan. Kështu edhe ndryshimet statutore që ka propozuar Basha vazhdoj t’i konsiderojë ndryshime ortografike dhe sintaksore të statutit dhe asgjë më shumë se kaq”.

Në lidhje me ndryshimet në Këshillin Kombëtar të PD-së të propozuar nga Basha, për marrëveshjet politike që duhet t’i miratojë Këshilli, Shano tha se, “ne vijmë me një eksperiencë që në periudhën politike që lamë pas Këshilli Kombëtar dhe kryesia janë mbledhur shumë pak. Këto janë institucionet që do të duhet të formulonin dhe hartonin politika dhe strategji, pse jo dhe të vendosnin për aleancat para dhe paszgjedhore”.

“Unë nuk besoj se me këtë trashëgimi që po tentohet të ruhet e pandryshuar, do i bëjë këto që të ndodhin realisht si më parë”, tha ai.

Ai shtoi se “unë nuk besoj se Basha ka demonstruar ndonjë dëshirë për të ndryshuar. Edhe në garën për kryetar nuk pati asnjë propozim nga Basha. Nuk pati një reflektim se çfarë kam bërë, unë habitem, dhe kësaj do t’i shtoja edhe aleancat politike. Pra, unë nuk pashë ndonjë reflektim që të besoj se në katër vitet e ardhshme kryetari të sillet ndryshe. Pra, ky nuk është lajm i mirë as për mua, as për demokratët që duan të vijnë në pushtet”.

Shano tha se, “po të shikosh ato që ka thënë Basha në vitin 2015 pasi PD humbi zgjedhjet, janë po të njëjta me humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Pra ku është problemi? Unë kam një kryetar që është zgjedhur, i cili nuk ka demonstruar asnjë aftësi për të reflektuar, në mënyrë që PD të bëhet fituese”.

“Propozimet e Bashës janë krejt të ndryshme nga ato që ka propozuar Fatbardh Kadilli. Me propozimet e Bashës për ndryshimet në status nuk ka një shans që PD të ndryshojë. Unë mendoj se 18 korriku do të ripropozojë të njëjtën skenë të të bërit politikë, ku kryetari i partisë është ai që vendos për çdo gjë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi”, tha ai.

Në lidhje me propozimet e Bashës që nuk ka asnjë pikë për kryetarin që humbet zgjedhjet, ndryshe nga të Kadillit, Shano tha se ky është thelbi i një formacioni politik.

“Dallimi midis propozimeve që bën Basha dhe Kadilli në Manifestin Politik, janë si nata me ditën. Kemi një propozim te manifesti i Kadillit për të ndryshuar rrënjësisht Partinë Demokratike që në qelizë dhe deri në përfaqësim”, përfundoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button