Ngërç politik në Kosovë, asnjë hap drejt konsensusit për presidentin
Kriza politike në Kosovë për zgjedhjen e presidentit të ri vijon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa afatet kushtetuese po afrohen me shpejtësi. Pavarësisht se ka kaluar një javë nga vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për t’i dhënë Kuvendit 34 ditë kohë për zgjedhjen e kreut të shtetit, asnjë lëvizje konkrete drejt një marrëveshjeje nuk është bërë publike. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa ligjvënësit kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur pasuesin e saj. Në rast se kjo nuk ndodh, funksionet e presidentit do të kalojnë përkohësisht te kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj.
Opozita pret ftesën e Albin Kurti
Nga kampi opozitar, situata mbetet e paqartë. Burime nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës bëjnë të ditur se ende nuk kanë marrë një ftesë zyrtare për dialog nga kryeministri Albin Kurti. Ndërkohë në PDK thanë se janë duke organizuar mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe se në këtë organ do të përcaktohen qëndrimet zyrtare të partisë në raport me zhvillimet politike në vend.
“Pas këtij procesi të brendshëm, PDK-ja do të dal me një qëndrim të qartë dhe të unifikuar për hapat e mëtejmë”, tha një zyrtar nga kjo parti. Dy ditë më parë, kryeministri Kurti paralajmëroi se do t’iu dërgojë ftesa liderëve të partive politike, por nuk tregoi se kur.
Kurti: Do të matemi me suksesin, jo përpjekjet
Albin Kurti ka deklaruar se ftesat për liderët politikë do të dërgohen pas konsultimeve të brendshme. Ai theksoi se procesi duhet të jetë i suksesshëm dhe jo thjesht formal. “Sa është e rëndësishme që ta trajtojmë me urgjencë është e rëndësishme edhe që të kemi edhe sukses. Sepse, në fund të fundit, nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrijmë”, theksoi Kurti më 30 mars.
Ai shtoi se do ta bënte këtë pas konsultimeve të brendshme, pa dhënë më shumë hollësi. Analistët politikë shohin si pengesë edhe kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, konkretisht Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku. Politologu Dritëro Arifi vlerëson se tërheqja e tyre do të hapte rrugën për negociata më serioze dhe një frymë kompromisi mes palëve politike.
Sipas tij, mungesa e një sinjali të tillë nga mazhoranca po e bllokon procesin dhe po e shtyn krizën drejt një përshkallëzimi të mundshëm. “Esenca është a do të dërgojnë sinjale paraprake, siç thashë me largimin e atyre kandidatëve. Ata duhet ‘të japin dorëheqje’ teknikisht, që krijohet hapësirë për negociata më serioze”, thekson Arifi.
Rreziku i zgjedhjeve
Zgjedhja e presidentit dështoi edhe në fillim të muajit të kaluar, kur kandidatët nuk u hodhën në votim për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend. Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ose me 61 vota në raundin e tretë. Megjithatë, për zhvillimin e seancës kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve.
Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka deklaruar se gjithçka do të varet nga takimet e ardhshme politike, duke shprehur optimizëm për arritjen e një kompromisi. “Uroj që përfaqësuesit e partive opozitare do të reflektojnë pozitivisht dhe Kosova ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme, e cila ka rrezik që të na çojë në zgjedhje, prapë po them të panevojshme”, tha Abrashi.
Por ndryshe e sheh situatën politologu Dritëro Arifi, i cili akuzon mazhorancën se po luan me kohën për të rritur presionin mbi opozitën dhe për të shtyrë vendimin për zgjedhje të mundshme. Sipas tij, edhe pse të gjitha partitë deklarojnë gatishmëri për zgjedhje, koha e mbajtjes së tyre mund të favorizojë njërën palë më shumë se tjetrën. “LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, tha ai.
Një krizë që mund të thellohet
Me afatet që po afrohen dhe mungesën e dialogut konkret, Kosova ndodhet përballë një momenti vendimtar politik. Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 prill, atëherë detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
Marrjen e detyrës nga Haxhiu, politologu Arifi e sheh si një nga arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje është duke shtyrë nisjen e diskutimeve me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, ndonëse të gjitha partitë politike deklarohen se janë të gatshme për zgjedhje, koha e mbajtjes së tyre mund të jetë më e përshtatshme për njërën palë se sa për tjetrën. “Mendoj që në këtë rast partia në pushtet po luan me elementin kohë me qëllim që të krijoj presion por ndoshta edhe një zvarritjen e radhës për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha ai.
The post Ngërç politik në Kosovë, asnjë hap drejt konsensusit për presidentin, vendi rrezikon zgjedhje të parakohshme appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.