Një histori gazmore me telefona, roje dhe drejtësi të posaçme…
Nga Av. Dorian Matlija
Kam kohë që them publikisht se Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme janë ndër organet e drejtësisë me më pak standarde në Shqipëri. Dhe thagmat nuk kanë të sosur.
Sot ishte radha ime që të ndeshesha me rregulloren e re për sigurinë, rendin dhe solemnitetin në GJKKO, e cila, mes të tjerash, ndalon në mënyrë absurde avokatin të hyjë në sallë me telefon. Kurse laptopët e tabletët lejohet në sallë sipas Rregullores që rojet e sigurisë, të shkretët, nuk dinin si t’ia bënin kur avokati merrte anën te gjysma e korridorit ku ka sallat Gjykata e Apelit, e cila i lejon telefonat për bukuri. Kurse te kjo GJKKO-ja e famshme e shkallës së parë, Prokurorët, si kafshë më të barabarta se të tjerat, futen brenda me telefon. Por avokati jo. Dhe të mendosh që as Gjykata e Lartë dhe as Gjykata Kushtetuese nuk ndaloknë telefonin ta mbash me vete. Thjesht të thonë me mirësjellje që hiq zilen. Por GJKKO e shkallës së parë ha bukë veç. Dhe ka edhe komentar të rregullores, a thua se rregullorja e vet është ndonjë kod procedure 200 vjeçar me mjekërr të bardhë.
Unë isha fizikisht pas derës, gati për të bërë mbrojtjen, por nuk u lejova të hyja sepse refuzova të dorëzoja telefonin. Dhe nuk është se po më dukej vetja si Isa Boletini kur i këkuan të dorëzonte armët teksa hynte në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme Britanike. Thjesht po më dukej vetja krejt i zakonshëm, në nje gjykatë krejt të zakonshme. Gjykata u njoftua që isha aty dhe gjyqtarja brenda në seancë madje u shpreh se shqetësimi ishte i drejtë dhe se vetë asaj i duhej telefoni po për të njëjtat arsye pune. Por pastaj, pasi u konsultua me prokurorin A.D., që shpesh ligjet e rregullat i lexon në një dimension të vetëm, siç lexon spata kopaçen, erdhi edhe sentenca institucionale e ditës që “rregulli është rregull” dhe ankohu sipas ligjit.
Në fakt, vetë Rregullorja e thotë se masat e saj janë administrative dhe se, kur kanë të bëjnë me zhvillimin e gjykimit, prevalon vendimmarrja e trupit gjykues në sallë. Pra me ligj gjyqtari drejton seancën. Por në praktikë, roja te dera ka marrë më shumë fuqi, kurse prokurorit fuqia i vjen anash.
Dhe pastaj vjen pjesa më e bukur, që prokuroria, e cila vetë hyn serbes në sallë me telefon, kundër Rregullores, kërkon gjobitjen time me 50 mijë lekë, për të më dhënë mua heretikut një leksion. Gjykata e pranon.
Sigurisht që bëra ankim dhe jam mjaft i bindur që në një të ardhme jo të largët këto copëza të Rregullores, që cenojnë avokatët dhe pastaj edhe gazetarët për shumë arsye, do të bien si tjegulla njëra pas tjetrës. Por deri atëherë do kemi një gjykatë që do vazhdojë të mbulojë kokën krijuese të rregullores nën hijen e një burokracie që ka harruar se kush administron godinën dhe kush administron drejtësinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.