Nuk do shpikim “rrotën” në demokraci!
Nga Artan Xh. DUKA
Qartazi protesta po “kafshon” më shumë se ç’është në gjendje të “kapërdijë”. Qeveritë nuk ndërrohen duke mbushur sheshin ndryshe jemi gjithshka përveçse demokraci. E keqja e madhe sot nuk është individi Rama, Berisha etj emra të përfolur për abuzim e karshillëk politik ndaj qytetarit por deformimi me “ligj” i sistemit demokratik prej tyre që lejon të kullosin pa teklif ky takëm.
Kanë kopsitur me ligj përçudnimin e standardit demokratik, pronën, votën, deri edhe Kushtetutën që nuk ngjan më me atë që kaloi dikur në referendum. Ndaj edhe protesta të mos merret me emrat por me futjen e sistemit në binar ku thembra e Akilit ishte dhe mbetet sistemi zgjedhor me votën si “ADN” e demokracisë e që duhet vulosur në referendum sepse partitë janë në konflikt interesi me të.
Mazhoritari si “fjalëkalim” për normalitet demokratik
Së pari, protesta duhet të kërkojë rikthimin e sistemit mazhoritar sepse e keqja zuri fill në vitin 2008 kur ndryshoi sistemi zgjedhor. Mazhoritari nuk është i përsosur por i jep qytetarit gurin e arrën në dorë dhe Kuvendi rikthehet në identitet sepse aty janë vetëm të zgjedhurit direkt nga qytetari, përfshi edhe të pavarurit, veçanërisht tani kur “marka” e partive nuk vlen e hipnotizon më si dikur. Së dyti, sistemi mazhoritar duhet të jetë me dy raunde dhe plotësim proporcional kombëtar si dikur.
Me dy raunde që të ruhet sa më shumë kohezioni shoqëror dmth që votuesit edhe të bashkojnë votën për të mirën e përbashkët dhe me plotësim proporcional për të lënë vend për të renë në politikë. Së treti, kandidatët duhet të kandidojnë atje ku banojnë dmth Rama në Surrel e Berisha pas Kryeministrisë etj, sepse vetëm kështu deputetët do të mendohen gjatë para se të marrin kot. Deputeti nuk ka përse të marrë kredi të butë për shtëpi në Tiranë apo mbështetje qiraje etj por thjesht bileta falas sa herë të ketë punë në Kuvend sepse kohën më të gjatë ai duhet ta kalojë me votuesit.
Së katërti, partitë të mos mbështeten më nga buxheti i shtetit. Janë entitete vullnetare e nëse duan para nga taksapaguesi duhet edhe të pranojnë disa kushte ku më kryesori është kufizimi i mandateve partiake. Partitë duhet të bazohen tek kuotat e të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin dhe e njëjta gjë vlen edhe për të pavarurit. Po kështu me ligj, duhet të ndalen të gjitha format e sponzorizimeve që koha ka treguar se e kanë bishtin mbrapa dhe përkthehen në klientelizëm dhe favore në kurriz të taksapaguesit. Së pesti, marketingu politik duhet të kufizohet vetëm në bashkëbisedimet në salla të mbyllura e debatet në media.
Mitingjet ekzaltuese deri në shfaqje gala me financime që ngrënë hamendje, vetëm çorodisin e cenojnë mirëkuptimin e kohezionin mbarëqytetar. Zgjedhja politike nuk duhet të bazohet në tifozllëk e delir por argument e kokë të ftohtë. Qytetari nuk ia ka borxh politikës ta tërbojë, gënjejë, trillojë, përçajë etj, aq më tepër me paratë e tij se kësaj i thonë “po të paguaj të më gënjesh”! Së gjashti, duhet që me ligj të kufizohen mandatet në Kuvend e qeveri.
Nuk ka të rënë nga qielli që të plaken karrigeve duke dekurajuar kështu edhe hyrjen e marrjen me politikë nga ana e të rinjve. Postet të mos jenë më “llotari” jete por objektiva të arritshëm për këdo që ka ambicien për të patur gjërat në dorë e bërë mirë për shoqërinë. Së shtati, votat të numërohen nga administrata e punonjësit publikë. Partitë duhet të rrinë larg. U ka dalë syri e nami dhe paragjykohen në ato që bëjnë sepse janë në konflikt interesi ndaj edhe sikur procesi të jetë korrekt, boll të pranishme partitë që gjërat të shihen gjithnjë me dyshim dhe kjo cënon besimin qytetar tek sistemi.
Së teti, me ligj deputeti të mos ketë më imunitet përveçse asaj që i nxjerr goja në atë sallë. Rasti Balluku dëshmoi se pavarësisht retorikave e fasadave, politikanët korracojnë vetveten sa herë u troket drejtësia në derë ndaj me ligj, ata nuk duhet të kenë më “derë”. Së nënti, votimet në Kuvend duhet të jenë të fshehta që askush të mos guxojë të kandisë apo kërcënojë kënd në emër të interesit partiak në kurriz të interesit qytetar. Qëndrimin e tij deputeti ndërkohë duhet ta shprehë me fjalë dhe sesa nga kryetari i partisë, ai duhet të ndruhet nga mbresa që lë tek votuesi.
Dhe nëse deputeti, qoftë ky i thjeshtë apo vetë kryeministri, e shkel me të dyja këmbët e shpërfill interesin e votuesit, me ligj duhet të parashikohet edhe mundësia e peticionit në zonë dhe nëse mbi 50% e votuesve nuk e duan më, atëhere duhet të përsëriten zgjedhjet në atë zonë. Së dhjeti, politika duhet të shndërrohet në mision duke tërhequr qytetarë idealistë që kanë zotësi e përvojë në punët e mira për shoqërinë pa dallim. Për këtë gjë, deputeti e shtetari duhet të mos ketë më privilegje si deri më sot – rrogat e larta, pensionet, strehimi, shërbime falas etj. Nën shembullin e rilindësve, deputeti duhet të japë e jo marrë prej qytetarit dhe në të gjithë aktivitetin e tij duhet të udhëhiqet nga parime morale dhe kauza e së mirës së vendit.
Politikani që merr përsipër të flasë e qeverisë në emër të qytetarit duhet të motivohet jo nga interesi material por shpërblimi moral, emri i mirë që lë pas dhe përmbushja e jetës në shërbim të kombit. Nëse deputeti e shtetari jetojnë si gjithë të tjerët, pa statuse e privilegje të veçanta, kjo do të ishte edhe një mekanizëm vet-pastrimi në politikë. Shejtan-budallenjtë, të djallëzuarit, megalomanët, “firmatot” etj karikatura të karakterit njerëzor vetvetiu nuk do t’i hynin asaj pune dhe politika do të ishte më e pastër pa ta nëpërkëmbë.
Protesta që i vë “kapak” protestave
Demokracia nuk është e përsosur dhe as nuk presim të jetë e tillë. Ndaj edhe naiviteti spontan apo dhe i qëllimshëm (për interesa okulte), nuk pi ujë në politikë dhe protesta nuk duhet të bjerë në këtë hulli. Protesta të mos merret më me emrat por sistemin që i pjell ata. Të pretendosh se politika ka nevojë e zgjidhja vjen përmes emrave të rinj e partive të reja në Kuvend, pa prekur në rrënjë sistemin që i polli babëzinë, është të quash arritje uljen e “moshës mesatare” të politikanit të korruptuar sepse sa kohë ai mbetet i “pavarur” nga vullneti i votuesit (ligji aktual zgjedhor) ai me shumë gjasa do të marrë kot dhe do të vihet në shërbim të partisë, interesave personale, klientelizmit si të tjerët para tij dhe votuesi e interesi i tij do të mbeten pas liste.
Protesta duhet të propozojë e ngulmojë për një sistem zgjedhor që në mos garanton, nxit integritet e moral politik e qeverisës si kusht për rizgjedhje më pas. Njerëzit nuk janë të përsosur, politikanë nuk kanë pse bëjnë dallim ndaj njëlloj sikur kemi ligje për shoqërinë që kontrollojnë sjelljen e marrëdhëniet mes nesh, duhet të kemi ligje edhe për politikën që e mbajnë në “kapistall” atë. Nuk bëjmë përjashtim sepse edhe në perëndim politika abuzon por ndryshe nga ne, atje kur konstatohet apo kapet gafil nga media e pavarur, ose dorëhiqet, ose i troket drejtësia në derë, ose e largon partia ose qytetari me votë.
Protesta do të bëjë histori nëse i vë “kapak” edhe historisë së protestave në vend që kanë provokuar rrëmujë e kaos pafund. Në një demokraci normale ku politika kontrollohet nga vota e drejtësia, protestës duhet t’i “harrohet” emri! Por që qytetari të mos dalë e tororiset në shesh nga “zapatat” e ditës që klithin për revolucion sepse politika abuzive e bën tërkuzë e nuk shkulet nga karrigia, le të sigurohemi që kemi një sistem zgjedhor merite si ai mazhoritar që ua mat kokën me pe çdo katër vjet. SPAK e bota të bëjnë të tyren, qytetari të vetën! Me mazhoritarin, protesta ka shansin të bëjë histori.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.