“Nuk na përfaqësoni!” Po “na”, kë përfaqëson?
Nga Rildo Ngjela
Slogani është i fuqishëm dhe frymëzues për masat edhe pse fjala “na” në këtë rast mbetet e papërcaktuar. Sakaq, është bërë e qartë se protestuesit me këtë slogan po i drejtohen qeverisë, opozitës dhe deputetëve, me disa përjashtime. Nga ana tjetër, është ende e paqartë se në emër të kujt po flitet. Le t’i marrim çështjet me radhë.
Është hera e parë që në Shqipëri protestohet kundër pozitës dhe opozitës në të njëjtën kohë, por nuk është fenomen i panjohur. Gjatë dy dekadave të mëparshme në Spanjë, Brazil, Argjentinë, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë protestuesit kanë kërkuar largimin e të dyja poleve politike duke u përballur me problemin se kush do të fliste në emër të protestës, kush do të negocionte me qeverinë, kush do t’i përfaqësonte ligjërisht kërkesat e tyre dhe kush do t’i zëvendësonte ata që qeverisnin. Si pasojë, në Argjentinë dhe Bullgari opozita fitoi me zgjedhje të parakohshme, në Spanjë protesta prodhoi një lëvizje të re politike, në Bosnje qeveria i mbijetoi protestave dhe në Brazil disa sipërmarrës morën në dorë protestën dhe e përdorën për qëllimet e tyre.
Gjithashtu ka një ndryshim mes përfaqësimit ligjor dhe politik të çështjes. Sipas Kushtetutës, deputetët janë përfaqësues të zgjedhur nga populli për t’i përfaqësuar politikisht. Ligjërisht mandati i tyre vazhdon edhe kur shfaqen pakënaqësi apo protestohet kundër vendimmarrjes së tyre. Nga ana tjetër, përfaqësimi politik buron nga besimi i qytetarëve dhe nga aftësia për të dalluar interesat e tyre në vendimmarrje.
Përgjigjja e kryeministrit se ka kontratë me 800 mijë shqiptarë dhe asnjë kontratë me ata që nuk e votuan është deklaratë e paplotë dhe përjashtuese, por ligjërisht korrekte. Partia në pushtet u certifikua me 83 mandate në Parlament. Ndërsa, nga morali politik kjo interpretohet si diçka tërësisht e pasaktë dhe refuzuese ndaj atyre që nuk e votuan apo nuk dolën fare për të votuar. Të dyja çështjet lidhen me njëra-tjetrën kur marrim parasysh se vendimet e qeverisë dhe Parlamentit prekin njësoj edhe ata që kanë votua pro, edhe ata që kanë votuar kundër si dhe ata që s’kanë votuar fare. Ata paguajnë taksat njësoj me të gjithë, sipas regjimit fiskal të vendosur nga fituesi i zgjedhjeve. Pra, preferenca politike e protestuesve dhe e atyre që kanë votuar apo s’kanë votuar fare, nuk e ndryshon përgjegjësinë institucionale që qeveria ka ndaj tyre.
Prandaj, të dyja pretendimet lëvizin në drejtime të kundërta. Slogani e zgjeron fjalën “ne” përtej grupimit të tyre, ndërsa përgjigjja e kryeministrit ngushton vëmendjen tek ata që e kanë votuar.
Është e qartë se qeveria ka një mandat ligjor dhe përgjegjësi institucionale ndaj çdo qyteari të Republikës së Shqipërisë, brenda dhe jashtë territorit të saj. Nga ana tjetër duhet të qartësohet numerikisht se kë përfaqëson fjala “na” tek slogani “Nuk na përfaqësoni”.
Më poshtë kam bërë një analizë gjuhësore të sloganit, referuar tërësisht tek Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ndoshta kjo na jep një kuptim më të qartë shkencërisht mbi përdorimin e saktë të fjalëve që përdorim dhe kuptimin që ato marrin.
***
Analiza gramatikore
Në fjalinë “Nuk na përfaqësoni”, “na” është trajta e shkurtër dhe e patheksuar e përemrit vetor “ne”, në vetën e parë shumës. Këtu përdoret në rasën kallëzore, si kundrinor i drejtë i foljes kalimtare “përfaqësoj”. Kryefjala është përemri i nënkuptuar “ju”, i shprehur përmes mbaresës së foljes. Fjalia është sintaksisht e plotë dhe mund të zgjerohet në: “Ju nuk na përfaqësoni”.
Rrafshi semantik
Në planin kuptimor, referenti i përemrit “na” përcaktohet nga konteksti. Ai përfshin folësin dhe grupin me të cilin identifikohet folësi: protestues, mbështetës ose një kategori të caktuar qytetarësh. “Ne” nuk do të thotë domosdoshmërisht populli ose të gjithë qytetarët.
Kuptimet e foljes “përfaqësoj”
Folja “përfaqësoj” këtu përdoret në dy kuptime: të veprosh në emër të një grupi dhe të mbrosh të drejtat dhe interesat e tij; ose të shprehësh dëshirat, vullnetin dhe mendimet e atij grupi. Slogani nuk sqaron nëse mohon përfaqësimin institucional apo përafrimin politik me interesat e folësve.
Funksioni retorik
Përdorimi i fjalës “na” e zhvendos pohimin nga pakënaqësia individuale “Ju nuk më përfaqësoni mua”, në një pretendim kolektiv. Në këtë mënyrë, në ligjërim ndërtohet një subjekt i përbashkët, pa u përcaktuar qartë përbërja dhe fushëveprimi i tij. Kur fjala “na” paraqitet si përfshirëse e të gjithë shoqërisë, kemi një zgjerim retorik të referencës. Ky zgjerim nuk rrjedh nga kuptimi gramatikor i përemrit dhe kërkon argumentim politik dhe shoqëror.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.