Obama: Nuk jemi në luftë me Islamin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka bërë një adresim të rrallë nga Zyra Ovale, pas të shtënave të javës së kaluar në Kaliforni, të cilat kanë lënë të vrarë 14 veta. Obama ka thënë se të shtënat “kanë qenë akt i terrorizmit, me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm. “…por, liria është më e madhe se frika”, ka thënë presidenti amerikan.
Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta kapërcejnë kërcënimin në rritje nga terrorizmi, por ka thënë se “amerikanët nuk duhet të kthehen kundër njëri-tjetrit dhe të lejojnë që kjo luftë të përkufizohet si luftë midis Amerikës dhe Islamit”.
“Nëse jemi të suksesshëm në mposhtjen e terrorizmit, komunitetet myslimane duhet t’i përfshijmë në mesin e aleatëve tanë më të fuqishëm dhe jo t’i largojmë ata me dyshime dhe urrjetje”, ka thënë Obama, duke përkujtuar audiencën e tij se amerikanët myslimanë janë pjesë e shoqërisë së Shteteve të Bashkuara.
Obama ka thënë se terrorizmi ka hyrë në një fazë të re, nga sulmet në shkallë të madhe të Al Kaidës në sulme më pak të komplikuara të individëve të radikalizuar. Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të luftojnë me çdo kusht grupin militant Shteti Islamik. Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë intensifikuar bombardimet kundër caqeve të këtij grupi dhe se do të vazhdojnë të trajnojnë dhe pajisin rebelët e moderuar në Irak dhe Siri.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të ndjekë komplotistët terroristë në çdo vend, ku është e nevojshme”, ka thënë presidenti amerikan. Në fjalimin e tij 13-minutësh, Obama i ka karakterizuar militantët e Shtetit Islamik si “banditë dhe vrasës”, duke shtuar: “Kërcënimi nga terrorizmi është i vërtetë, por ne do ta kapërcejmë atë”.
Javën e kaluar, Syed Rizwan Farook dhe gruaja e tij, Tashfeen Malik, kanë hapur zjarr në një festë të Krishtlindjeve në qytetin San Bernardino të Kalifornisë, duke vrarë 14 veta. Çifti më pas është vrarë nga policia.
I ashtuquajturi Shtet Islamik ka thënë se Farook dhe Malik kanë qenë mbështetës të tij, por nuk ka dhënë indikacione se vetë grupi ka qenë i përfshirë në organizimin e vrasjeve. Obama ka thënë po ashtu se ka disa gjëra që mund të bëhen brenda Shteteve të Bashkuara, për të luftuar terrorizmin. Ai ka bërë thirrje këtu për kontroll më të rreptë të armëve. Ky ka qenë adresimi i tretë i Obamës nga Zyra Ovale gjatë shtatë vjetëve në presidencë. Fjalimet e tilla janë të rezervuara për ngjarje me rëndësi kombëtare. Dy adresimet e mëparshme të Obamës, të dyja në vitin 2010, kanë përfshirë shpërthimin në platformën e gazit natyror Deepwater Horizon dhe fundin e operacioneve luftarake në Irak. Fjalime të tjera të rëndësishme nga Zyra Ovale kanë bërë George W Bush pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001; Ronald Reagan për shpërthimin në anijen kozmike Challenger më 1986; Richard Nixon kur ka njoftuar dorëheqjen e tij më 1974 dhe John F Kennedy për krizën kubane të raketave më 1962.