Operacioni i SPAK në Ministrinë e Brendshme/ Ambasadorja Kim: Abuzimi me tenderat, krim
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim vlerësoi sot operacionin e fundit antikorrupsion të SPAK lidhur me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit.
Ambasadorja Kim tha se “abuzimi me prokurimet publike është krim, njësoj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata amerikanë, taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë”.
“Më vjen mirë të shikoj më shumë veprime të SPAK kundër korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i proceseve të prokurimit publik është njëlloj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët (përfshirë shtetasit amerikanë, taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë) për të majmur kuletat e vetes ose të ‘miqve’ të tyre. Është një krim”, tha Kim.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.