Pas dështimit të bisedimeve, Trump: Kanadaja kërkon “përfitimet” e të qenit pjesë e SHBA-së
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Kanadasë pas dështimit të bisedimeve tregtare mes dy vendeve, duke akuzuar Otavën se kërkon “përfitimet e të qenit shtet, por jo të jetë një i tillë”.
Komentet e Trump vijnë pasi negociatat tregtare u ndërprenë të premten, duke sjellë tarifa të reja amerikane prej 50% për një gamë të gjerë mallrash kanadeze.
Kryeministri kanadez Mark Carney i ka cilësuar tarifat e reja si një “llogaritje të gabuar”, duke akuzuar SHBA-në se synon të dëmtojë dhe përçajë Kanadanë.
Carney njoftoi se nga 8 shtatori Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave amerikane “dollar për dollar”, duke përfshirë taksat ndaj çelikut, produkteve të qumështit, pajisjeve dhe elektronikës. Ai deklaroi se dy vendet tashmë ndodhen në një “luftë tregtare”.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, tha Carney, duke shtuar: “Je në luftë kur sulmohesh. Ne u sulmuam”.
Përplasja vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar edhe nga deklaratat e përsëritura të Trump për ta bërë Kanadanë “shtetin e 51-të” të SHBA-së.
Dështimi i negociatave rrezikon të tronditë një marrëdhënie tregtare të integruar prej dekadash, ndërsa aktualisht nuk ka një rrugë të qartë drejt një marrëveshjeje të re mes dy vendeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.